Botë

Del para gjyqit i dyshuari për sulmin në Solingen të Gjermanisë që la tre të vdekur

Gjermani

I dyshuari sirian për sulmin, Issa al H

Foto: Associated Press

Një burrë sirian ka dalë para gjyqit në Dusseldorf të martën, për një sulm me thikë, në të cilin u vranë tre persona, një rast që ka ngjallur debat mbi krimin nga të huajt në Gjermani dhe ka hapur rrugën për një goditje ndaj migracionit. 

I pandehuri 27-vjeçar, i identifikuar si Issa al H, akuzohet se ka hyrë me një thikë mes një turme që po argëtohej në një festival në qytetin perëndimor të Solingenit vitin e kaluar, duke goditur me thikë nga pas disa njerëz, raporton Reuters. 

Ai përballet me tri akuza për vrasje dhe 10 akuza për tentativë vrasjeje dhe akuzohet gjithashtu për anëtarësim në një organizatë të huaj terroriste.

Issa al H ka pranuar fajin në ditën e tij të parë në gjykatë, ku ka qëndruar në të shumtën e kohës me kokën ulur. 

Ai u ka kërkuar falje të afërmve të viktimave dhe ka shtuar se është i përgatitur për të pranuar dënimin e tij.

Ai nuk ka komentuar pretendimin se krimin e ka kryer në koordinim me grupin militant të Shtetit Islamik.

Nëse shpallet fajtor, i pandehuri përballet me burgim të përjetshëm.

Sulmi në Solingen ka nxitur protestë dhe thirrje për veprime më të ashpra kundër autorëve të huaj të krimit të dhunshëm, në prag të zgjedhjeve të shkurtit të Gjermanisë, të fituara nga konservatorët e Friedrich Merz.

Qeveria e tij e koalicionit, e cila mori detyrën në fillim të këtij muaji, ka mbyllur kufijtë e Gjermanisë për emigrantët pa dokumente dhe është zotuar të shtojë deportimet në Siri dhe Afganistan.