Shërbimi i Sigurisë në Suedi (SAPO) ka vendosur të ulë nivelin kombëtar të rrezikut nga terrorizmi të premten, duke e kthyer atë në nivelet e para vitit 2023.
SAPO e pati kategorizuar nivelin e rrezikut si “të lartë”, pas disa rasteve ku aktivistë anti-islamikë dogjën kopje të Kuranit, duke nxitur reagime të ashpra nga besimtarët myslimanë në shumë shtete të ndryshme, transmeton Reuters.
Shërbimi i Sigurisë ka njoftuar se pas një periudhe, gjatë së cilës Suedia u veçua si objektiv specifik në propagandën militante, tani ajo po trajtohet gjithnjë e më shumë si pjesë e Perëndimit në përgjithësi.
“Suedia është shndërruar nga një objektiv primar në një objektiv legjitim për islamizmin e dhunshëm në nivel global”, ka thënë shefja e SAPO-s, Charlotte von Essen, në një konferencë për shtyp.
“Kërcënimi i sulmeve nga ekstremizmi i dhunshëm, në kuptimin tradicional, nuk është më aq i lartë sa më parë”, ka shtuar ajo.
Essen ka theksuar se Suedia nuk është imune dhe se sulmet mund të ndodhin pavarësisht nga vlerësimi i nivelit të terrorizmit.
Djegiet e Kuranit në vitin 2023 nxitën protestuesit e zemëruar të sulmonin dhe të vandalizonin ambasadën e Suedisë në Bagdad, krahas thirrjeve për dhunë nga grupe militante si Hezbollahu, al Shabaab dhe al Kaeda.