Suedia po ecën përpara me planet për ta ulur moshën e përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjet për raste të rënda, në përpjekje për t’u përballur me rritjen e numrit të fëmijëve të rekrutuar nga bandat kriminale për të kryer krime të dhunshme pa u përballur me pasoja të rënda ligjore.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, ka deklaruar se vendi ndodhet në një “situatë emergjente” dhe se ndalimi i përdorimit të fëmijëve nga rrjetet kriminale është një detyrë kyçe për Qeverinë.
Megjithatë, disa institucione, përfshirë Policinë, Shërbimin korrektues dhe Prokurorinë, kanë shprehur kundërshtime ndaj këtij propozimi duke paralajmëruar se masa mund të çojë në përfshirjen e fëmijëve edhe më të vegjël në krime.
Nëse miratohet, ligji pritet të hyjë në fuqi këtë verë.
Strommer ka theksuar se propozimi nuk përbën “ulje të përgjithshme të moshës së përgjegjësisë penale, por do të zbatohet vetëm për “krime më të rënda” si vrasja, tentativa e vrasjes, shpërthimet e rënda me bomba, veprat e rënda me armë dhe përdhunimi.
Sipas propozimit, disa prej këtyre të miturve mund të përballen me dënime me burgim në raste të caktuara.
Të dhënat e Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit tregojnë se numri i veprave penale të regjistruara, të lidhura me të dyshuar nën moshën 15 vjeç, është dyfishuar gjatë dekadës së fundit.
Qeveria aktuale erdhi në pushtet në vitin 2022 me zotimin për të ashpërsuar luftën kundër krimit të organizuar. Në fillim të vitit të kaluar, një hetim i urdhëruar nga Qeveria rekomandoi uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç për raste të rënda.