Botë

Starmer thotë se ish-Princi Andrew duhet të dëshmojë në SHBA për lidhjet me Epstein

Princi Andrew

Foto: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë të shtunën se ish-Princi Andrew duhet të dëshmojë para një komisioni të Kongresit Amerikan, pas zbulimeve të reja rreth lidhjeve të Andreë me financierin dhe abuzuesin e ndjerë, Jeffrey Epstein.

Dosjet e shumta të reja në lidhje me Epstein, të publikuara nga departamenti i drejtësisë i SHBA-së të premten, përfshinin emaile sipas të cilave vëllai i Mbretit Charles kishte mbajtur kontakte të rregullta me Epstein për më shumë se dy vjet, pasi ai u shpall fajtor për krime seksuale me fëmijë.

Dosjet gjithashtu përfshijnë fotografi që tregojnë Andrew teksa i prekte belin një gruaje të paidentifikuar të shtrirë në dysheme. 

Mbreti ia hoqi vëllait të tij titullin e princit dhe e dëboi atë nga rezidenca e tij në oborrin e Kështjellës Windsor në nëntor, pas zbulimeve të mëparshme rreth lidhjeve të tij me Epstein.

Ish-princi, 65 vjeç, tani përdor mbiemrin Andrew Mountbatten-Windsor. Ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje në lidhje me Epstein dhe më parë kishte mohuar mbajtjen e lidhjeve me financierin pas dënimit të Epstein në vitin 2008, përveç një vizite në Nju Jork në vitin 2010 për t'i dhënë fund marrëdhënies së tyre.

Starmer, duke folur me gazetarët në avionin për në Japoni pas një vizite katër-ditore në Kinë, ka thënë se ish-princi duhet të paraqitet para ligjvënësve amerikanë për të shpjeguar gjithçka që di për Epstein për të ndihmuar viktimat e tij.

"Kushdo që ka informacion duhet të jetë i përgatitur ta ndajë atë informacion në çfarëdo forme që i kërkohet ta bëjë këtë”, ka thënë Starmer. 

Në nëntor, anëtarët e një komiteti kongresional amerikan që hetonte rastin Epstein intensifikuan thirrjet e tyre që Andreë t'u përgjigjej pyetjeve.

Epstein vdiq nga vetëvrasja në vitin 2019 në një burg të Manhattanit, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual. Ai ishte burgosur në vitin 2008 pasi kishtë kërkuar nga një e mitur marrëdhënie seksuale me pagesë.