Botë

Sondazhet në SHBA: Kush është përpara - Harris apo Trump?

Kamala Harris & Donald Trump

Votuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shkojnë në kutitë e votimit më 5 nëntor për të zgjedhur presidentin e ardhshëm. Zgjedhjet fillimisht ishin ‘rimeç’ i vitit 2020, por gjithçka ndryshoi në korrik kur presidenti Joe Biden u largua nga kandimi dhe i hapi rrugë zëvendëspresidentes demokrate, Kamala Harris, shkruan BBC. 

Pyetja kryesore tani është - a do ta ketë Amerika presidenten e parë grua apo do t’ia ofrojë një mandat të dytë Donald Trumpit?

Kush po udhëheq në sondazhet kombëtare?

Harrisi ka pasur epërsi të vogël ndaj Trumpit në mesataret kombëtare të sondazheve që kur hyri në garë në fund të korrikut dhe vazhdon të mbetet përpara.

Harris pa rritje në sondazhe në javët e para të fushatës së saj, duke krijuar epërsi prej afro katër pikë përqindjeje në fund të gushtit.

Sondazhet ishin relativisht të ngjashme në shtator dhe në fillim të tetorit, por kanë pësuar disa ndryshime në dy javët e fundit.

Ndërsa sondazhet tregojnë se sa popullor është një kandidat në të gjithë vendin, ato nuk janë mënyra më e mirë për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo për shkak se SHBA-ja përdor një sistem kolegji zgjedhor, në të cilin çdo shteti i jepet një numër votash afërsisht në përputhje me madhësinë e popullsisë së tij. Një total prej 538 votash të kolegjit zgjedhor janë në dispozicion, kështu që një kandidat duhet të arrijë 270 për të fituar.

Ka 50 shtete në SHBA, por për shkak se shumica e tyre pothuajse gjithmonë votojnë për të njëjtën parti, në realitet ka vetëm një pjesë të vogël ku të dy kandidatët kanë shanse për të fituar.

Kush po fiton në sondazhe në shtetet e papërcaktuara?

Për momentin, epërsia në shtetet e tilla është aq e vogël sa është e pamundur të dihet se kush është me të vërtetë përpara duke parë mesataret e sondazheve.

Sondazhet janë krijuar për të shpjeguar gjerësisht se si ndihet publiku për një kandidat ose një çështje, jo për të parashikuar rezultatin e një zgjedhjeje. 

Është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se këto sondazhekanë një diferencë gabimi prej rreth tre deri në katër pikë përqindjeje, kështu që secili kandidat mund të jetë më mirë ose më keq sesa sugjerojnë numrat aktualisht.

Që kur Harrisi u vendos të ishte kandidatja demokrate, në shtetet e papërcaktuara ka pasur goxha ndryshime.

Në Arizona, Georgia, Nevada dhe Karolinën e Veriut, numrat kanë ndryshuar disa herë që nga fillimi i gushtit, por Trumpi ka epërsi të vogël në të gjitha për momentin.

Në tre shtetet e tjera - Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin - Harris kishte udhëhequr që nga fillimi i gushtit, ndonjëherë me dy ose tre pikë, por sondazhet kanë pësuar ndryshime ndjeshëm dhe Trumpi tani ka epërsi shumë të vogël në Pensilvani.

Të tre këto shtete kishin qenë bastione demokratike përpara se Trumpi t’i “pushtonte” në zgjedhjet e vitit 2016. Biden i rifitoi në vitin 2020 dhe nëse Harrisi mund të bëjë të njëjtën gjë, atëherë do të jetë në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet.

Në Pensilvani, Biden ishte prapa me gati 4.5 pikë përqindjeje kur u largua. Është shtet kyç pasi ka numrin më të madh të votave elektorale nga të shtatë shtetet. Fitimi në Pensilvani lehtëson rrugën për ta marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.