Nga numërimi i rreth 90 milionë votave, kandidati i Partisë Republikane, Donald Trump, është duke i prirë garës për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ish-presidenti po prinë në vota popullore, por edhe në garën për vota elektorale. Pavarësisht se po udhëheq, gara e ngushtë në shtetet e papërcaktuara mbetet shpresë për Kamala Harrisin e Partisë Demokratike
Washington, 5 nëntor – Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Rezultatet e para të votave elektorale nuk kanë qenë befasuese. Trumpi ka fituar shumicën e bastioneve të Partisë Republikane, ndërsa Harrisi tek ato të Partisë Demokratike. Nga projeksionet e CNN-it dhe “Associated Press” në rreth 30 shtete, Trumpi ka siguruar të paktën 214 vota në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa Harrisi ka 179 vota elektorale. Për t’u bërë president, kandidatit i duhen 270 vota elektorale nga gjithsej 538 sa i ka Kolegji Zgjedhor. Numërimi konsiderohet i mbyllur në më shumë se gjysmën e shteteve. Kandidati republikan që synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, po prinë edhe me votë popullore. Nga numërimi i më shumë se 90 milionë votave popullore, 78-vjeçari prin me mbi 52 për qind.
Përderisa votat elektorale nga bastionet ishin të parashikuara, gara më e ashpër është në shtatë shtetet që konsideroheshin të papërcaktuara. Në asnjërin nuk ka projeksion për fitues, edhe për shkak se disa prej tyre procesin e votimit e kanë nisur më vonë, sipas kohës lokale. Në Georgia dhe Karolinën e Veriut ka nisur numërimi, por se rezultati është shumë i ngushtë për t’u konsideruar i sigurt. Si pasojë, pritet që procesi të marrë kohë deri në përfundim. Një tjetër vend që konsiderohet kyç për procesin final është Pensilvania. Aty, kur numërimi ka shkuar në mbi 50 për qind të votave, Trumpi për herë të parë ka dalë si udhëheqës duke tejkaluar Harrisin që printe që prej fillimit. Dallimi është më pak se dy për qind në shtetin që i ka 19 vota elektorale. Rëndësinë e këtij shteti e ka theksuar edhe kandidati republikan, Donald Trump, që në orët e para të procesit të numërimit, në një paraqitje në një radio në Filadelfia, u shpreh se po që se fiton në Pensilvani, e fiton krejt garën. Po ashtu gjatë ditës, Trumpi në rrjetin e tij social “Truth” ka hedhur akuza për dallavere me vota në Pensilvani.
Wisconsini është tjetër shtet në mesin e shtatë të papërcaktuarve. Aty në vazhdimësi ka pasur ndryshim në listën e kandidatit që i prinë garës.
Republikanët janë duke udhëhequr edhe për Senatin e Dhomën e Përfaqësuesve. Gara është për 34 nga 100 vendet e Senatit amerikan.
Proces i qetë
Amerikanët u janë drejtuar kutive të votimit që nga ora 5:00, sipas kohës lokale, për ta zgjedhur presidentin e 47-të në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Votuesit janë përballur me zgjedhje të vështirë midis dy kandidatëve, zëvendëspresidentes Kamala Harris, që përfaqëson demokratët, dhe ish-presidentit Donald Trump, që përfaqëson republikanët. Ata kanë ofruar vizione të ndryshme për ekonominë më të madhe në botë dhe fuqinë dominuese ushtarake.
Harris ka mbrojtur të drejtat e abortit dhe është zotuar t’i ulë kostot e ushqimit dhe strehimit për familjet që punojnë.
E, Trumpi është zotuar ta mbyllë kufirin dhe ka propozuar ulje taksash me vlerë prej trilionë dollarësh.
Në SHBA mbi 80 milionë njerëz kishin votuar në procesin e njohur si “paravotim”.
Ata që hodhën votat të martën u përballën kryesisht me proces të qetë në të gjithë vendin, me disa parregullsi të vogla që ndodhin rregullisht, duke përfshirë radhët e gjata, çështjet teknike dhe gabimet në shtypjen e fletëvotimeve.
Agjencia amerikane për siguri kibernetike ka thënë se nuk ka incidente të mëdha që ndikojnë në infrastrukturën e zgjedhjeve në SHBA, ka raportuar “CNN”.
Mot ekstrem dhe “ndërprerje e përkohshme e infrastrukturës” janë raportuar në pjesë të SHBA-së, ndërsa votuesit po u drejtohen qendrave të votimit për ta zgjedhur presidentin.
“Nuk ka ndonjë incident të madh në nivel kombëtar që ndikon në sigurinë e infrastrukturës sonë zgjedhore. Ne jemi duke gjurmuar raste të motit ekstrem dhe ndërprerje tjera të përkohshme në infrastrukturë në zona të caktuara, por këto janë kryesisht ngjarje të pritshme”, ka thënë Cait Conley, këshilltare e lartë në Agjencinë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën e Sigurisë.
Ajo s’ka treguar se në cilat zona kanë ndodhur “ndërprerjet” e vogla.
Shkaku i pengesave teknike në disa qarqe u aprovua edhe vazhdimi i votimit për disa orë më tepër.
Në Michigan agjentët e FBI-së kanë arrestuar dy persona për kërcënime të lidhura me zgjedhjet, sipas “The Detroit News”.
Media me bazë në Michigan ka raportuar se një i dyshuar ishte i lidhur me një komplot vrasjeje që synonte Donald Trumpin.
Burri me emrin Isaac Sissel dyshohet se postoi në Reddit me emrin e përdoruesit "ShootUpTrumpRally" dhe që atëherë u ka thënë hetuesve se beson se "çdo gjë do të ishte më mirë nëse Trumpi do të kishte vdekur".
Në çështjen e dytë penale të zbardhur të martën, Christopher Clay Pierce, 46 vjeç, akuzohet për kërcënime kundër një komiteti të veprimit politik të paidentifikuar (PAC) të lidhur me demokratët gjatë dy vjetëve të fundit.
Pierce thuhet se ishte paralajmëruar më parë nga FBI-ja se ai mund të akuzohej për një krim nëse vazhdonte të postonte kërcënime në internet, por vazhdonte të ngacmonte grupin e lidhur me demokratët.
Rrjedhja e votimit
Vermonti ishte shteti i parë që hapi qendrat e votimit, teksa disa orë më pas u hapën edhe në vende të tjera si në Arizona.
Gara më e ngushtë mes kandidatëve u zhvillua në shtetet vendimtare sikurse janë Pensilvania, Wicsonsini, Georgia e Michigani.
Dy kandidatët kaluan orët e fundit të fushatës në Pensilvani, shteti më i madh i pavendosur, duke bërë përpjekje që t’i bindin qytetarët t’ua hedhin votën.
Rezultati në Dixville Notch, një fshat në New Hampshire, i cili, sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, ishte një paralajmërim i asaj që pritej të ndodhte pak orë më vonë. Dixville Notch ka vetëm 6 votues të regjistruar e të cilët ndanë votën përgjysmë për Harrisin dhe Trumpin.
Edhe sondazhet paraqesin rezultate aq të ngushta saqë gara po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë.
Trumpi kaloi orët e para të ditës së zgjedhjeve në Michigan, ku përfundoi një tubim natën vonë në Grand Rapids. Pjesën tjetër të ditës kandidati republikan e kaloi në Floridë, ku edhe votoi.
Harris mori pjesë në natën e zgjedhjeve në Universitetin Howard në Uashington, ku ajo u diplomua në ekonomi dhe shkenca politike, në vitin 1986.
Optimizmi i Trumpit
Ish-presidenti Donald Trump hodhi votën e tij në Floridë.
Kandidati republikan për president votoi në qendrën e votimit në Palm Beach me bashkëshorten Melania Trump.
Trumpi foli pasi votoi. Ai tha se s’beson se do të dihet fituesi qysh në natën e zgjedhjeve.
“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se ndihet “shumë optimist”.
“Dëgjoj se po ia dalim shumë mirë”.
Trumpi ka shtuar se rezultati mes dy kandidatëve as që “do të jetë i afërt”, porse do të marrë kohë për t’u certifikuar.
Ai tha se nuk beson se i duhet t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë dhe se ata duhet të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ai humb.
“Nuk kam pse t’ua them këtë”, ka thënë ai, kur u pyet nëse do t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë.
“Por, a do t’u thoshit?”, u pyet ai.
“Nuk kam pse t’u them atyre se nuk do të ketë dhunë. Sigurisht se nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nuk kam pse t’ua them. Dhe sigurisht se nuk dua dhunë, por qartazi nuk kam pse t’ua them. Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë njerëz që nuk besojnë në dhunë. Ndryshe nga pyetja juaj. Ju besoni në dhunë”, ka theksuar Trump.
Bota në pritje të presidentit të ri
Bota nuk e zgjedh presidentin e SHBA-së, por ndikimi i zgjedhjeve vërehet gjithandej.
Është një vendim që do të ketë ndikim global, duke nisur nga luftërat në Gazë dhe në Ukrainë e deri te tregtia.
Sa i përket Izraelit dhe luftërave që po zhvillon në Gazë dhe Liban, zëvendëspresidentja Harris ka avokuar prej kohësh për zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ajo ka deklaruar se nëse vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë, do të përpiqet që t’i japë fund luftës sa më shpejt.
Në anën tjetër, ish-presidenti Trump ka politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA-ja të shkëputet nga konfliktet nëpër botë. Ai e ka pozicionuar veten si mbështetës të palëkundur të Izraelit, por ka folur pak për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
Lidhur me luftën në Ukrainë, ukrainasit shqetësohen se Trumpi do të imponojë një marrëveshje të shpejtë, të favorshme për Rusinë. Ata shpresojnë se me Harrisin presidente do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës në fushëbetejë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka komentuar zgjedhjet duke thënë se Kievi është i përgatitur edhe me rrethanën nëse Trumpi fiton.
“Nuk kam dëgjuar që ai ka thënë se nuk do të mbështesë Ukrainën. Por sigurisht ne i kuptojmë të gjitha rreziqet. Nuk jam i sigurt se Trumpi, nëse do të zgjidhet president, ai dëshiron të humbasë. Por sidoqoftë, kjo është arsyeja pse Ukraina ka planin e saj të përkohshëm, se si të forcohet vetë. Do të jetë shumë e vështirë”, ka deklaruar Zelensky ditë më parë.
Megjithatë, në Rusi, presidenti Vladimir Putin sheh shumë pak ndryshim midis Trumpit dhe Harrisit për Ukrainën. Ai beson se të dy do të jenë më pak të përkushtuar ndaj Ukrainës sesa Joe Bideni.
Harrisi është zotuar ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Ndërkaq Trumpi ka thënë se do t’i japë fund luftës brenda 24 orësh përmes një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë.
Për Evropën këto zgjedhje në SHBA konsiderohen si fundi i një epoke, cilido qoftë rezultati.
Shumica e liderëve evropiano-perëndimorë janë thellësisht të shqetësuar. Ka drojë se ekonomia do të pësojë katastrofë, nëse jetësohet deklarata e Trumpit për vendosjen e tarifave prej 20 për qind për gjithçka që i shitet Amerikës, duke përfshirë eksportet evropiane.
Shqetësime janë ngritur edhe për sigurinë, meqë Trumpi ka folur vazhdimisht edhe për largimin nga NATO-ja.
“Kushdo që i fiton këto zgjedhje ne do të punojmë me Kamala Harrisin, do të punojmë me Donald Trumpin dhe do të sigurohemi që aleanca të qëndrojë e bashkuar. Është në interesin tonë, por edhe të Shteteve të Bashkuara, sepse ata nuk janë për të përsëritur gabimin e tërheqjes nga Evropa pas Luftës së Parë Botërore. Në një moment të tillë, një Rusi e guximshme është në krahun tonë lindor dhe do të paraqesë një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, është shprehur Rutte.
Ka një besim se nëse Harris fiton, do të presë që evropianët të bëjnë më shumë për veten e tyre, pasi Bideni është presidenti i fundit i SHBA-së që personalisht është i lidhur me aleancën e krijuar në luftën e ftohtë.
Kina ka një rol tjetër të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Njerëzit në Pekin janë të ndarë se cili kandidat do të ishte më i mirë për Kinën.
Zyrtarët ekonomikë kinezë janë të vetëdijshëm se Trumpi ka bërë thirrje për tarifa të përgjithshme mbi eksportet e Kinës, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë e Kinës. Ky është një vend që është jashtëzakonisht i varur nga kërkesa e huaj, veçanërisht nga Amerika, për t’i mbajtur fabrikat e tij në funksion dhe punëtorët e punësuar.
Ndërkohë bota e politikës së jashtme kineze sheh avantazhe me fitoren e Trumpit.
Kina ndihet gjithnjë e më e ngufatur nga përpjekjet e SHBA-së, veçanërisht nga administrata Biden, për t’i forcuar aleancat më shumë nga fqinjët e Kinës: Japoninë, Korenë e Jugut, Filipinet, Indinë dhe mbi të gjitha Tajvanin. Harris ndoshta do t'i vazhdonte ato përpjekje. Trumpi është shumë më pak i përkushtuar për ndërtimin dhe ruajtjen e aleancave ndërkombëtare.
Dhe Trumpi ka treguar gjithashtu shumë më pak interes për ta mbrojtur Tajvanin, gjë që është shumë e mirëpritur nga Pekini.