Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Përcaktohet një nga shtatë shtetet e “fushëbetejës”
Donald Trump pritet të fitojë në Karolinën e Veriut, një nga shtatë shtetet që do ta përcaktojnë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas projeksionit të AP-së.
Trumpi ka 230 vota elektorale, ndërsa Harrisi ka 187.
Sipas projeksioneve të AP-së, Harrisi ka fituar në Connecticut (7 vota elektorale), Delaware (3), Illinois (19), Massachusetts (11), Maryland (10), New Jersey (14), New York (28), Rhode Island (4), Vermont (3), Colorado (10), Washington (12), District in Maine (1), Kalifornia (54), D.C. (3), Oregon (8).
Ndërsa Trumpi është projektuar të fitojë në Wyoming (3), West Virginia (4), Tennessee (11), South Dakota (3), Karolinën e Jugut (9), Oklahoma (7), Ohio (17), Nebraska (2), Distrikti i Tretë i Nebraskas (1), North Dakota (3), Mississippi (6), Missouri (10), Louisiana (8), Texas (40), Kentucky (8), Indiana (11), Florida (30), Arkansas (6), Alabama (9), Montana (4), Utah (6), Kansas (6), Iowa (6), Idaho (4), Karolina e Veriut (16 vota).
Shtetet e tjera që pritet ta përcaktojnë rezultatin janë Pensilvania, Georgia, Michigani, Arizona, Wisconsini dhe Nevada.

S’ka befasi në bastione, shtetet e papërcaktuara pritet ta vonojnë procesin
Washington, 5 nëntor – Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Rezultatet e para të votave elektorale nuk kanë qenë befasuese. Trumpi ka fituar shumicën e bastioneve të Partisë Republikane, ndërsa Harrisi tek ato të Partisë Demokratike. Nga projeksionet e CNN-it dhe “Associated Press” në rreth 30 shtete, Trumpi ka siguruar të paktën 214 vota në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa Harrisi ka 179 vota elektorale. Për t’u bërë president, kandidatit i duhen 270 vota elektorale nga gjithsej 538 sa i ka Kolegji Zgjedhor. Numërimi konsiderohet i mbyllur në më shumë se gjysmën e shteteve. Kandidati republikan që synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, po prinë edhe me votë popullore. Nga numërimi i më shumë se 90 milionë votave popullore, 78-vjeçari prin me mbi 52 për qind.
Përderisa votat elektorale nga bastionet ishin të parashikuara, gara më e ashpër është në shtatë shtetet që konsideroheshin të papërcaktuara. Në asnjërin nuk ka projeksion për fitues, edhe për shkak se disa prej tyre procesin e votimit e kanë nisur më vonë, sipas kohës lokale. Në Georgia dhe Karolinën e Veriut ka nisur numërimi, por se rezultati është shumë i ngushtë për t’u konsideruar i sigurt. Si pasojë, pritet që procesi të marrë kohë deri në përfundim. Një tjetër vend që konsiderohet kyç për procesin final është Pensilvania. Aty, kur numërimi ka shkuar në mbi 50 për qind të votave, Trumpi për herë të parë ka dalë si udhëheqës duke tejkaluar Harrisin që printe që prej fillimit. Dallimi është më pak se dy për qind në shtetin që i ka 19 vota elektorale. Rëndësinë e këtij shteti e ka theksuar edhe kandidati republikan, Donald Trump, që në orët e para të procesit të numërimit, në një paraqitje në një radio në Filadelfia, u shpreh se po që se fiton në Pensilvani, e fiton krejt garën. Po ashtu gjatë ditës, Trumpi në rrjetin e tij social “Truth” ka hedhur akuza për dallavere me vota në Pensilvani.
Wisconsini është tjetër shtet në mesin e shtatë të papërcaktuarve. Aty në vazhdimësi ka pasur ndryshim në listën e kandidatit që i prinë garës.
Republikanët janë duke udhëhequr edhe për Senatin e Dhomën e Përfaqësuesve. Gara është për 34 nga 100 vendet e Senatit amerikan.
Proces i qetë
Amerikanët u janë drejtuar kutive të votimit që nga ora 5:00, sipas kohës lokale, për ta zgjedhur presidentin e 47-të në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Votuesit janë përballur me zgjedhje të vështirë midis dy kandidatëve, zëvendëspresidentes Kamala Harris, që përfaqëson demokratët, dhe ish-presidentit Donald Trump, që përfaqëson republikanët. Ata kanë ofruar vizione të ndryshme për ekonominë më të madhe në botë dhe fuqinë dominuese ushtarake.
Harris ka mbrojtur të drejtat e abortit dhe është zotuar t’i ulë kostot e ushqimit dhe strehimit për familjet që punojnë.
E, Trumpi është zotuar ta mbyllë kufirin dhe ka propozuar ulje taksash me vlerë prej trilionë dollarësh.
Në SHBA mbi 80 milionë njerëz kishin votuar në procesin e njohur si “paravotim”.
Ata që hodhën votat të martën u përballën kryesisht me proces të qetë në të gjithë vendin, me disa parregullsi të vogla që ndodhin rregullisht, duke përfshirë radhët e gjata, çështjet teknike dhe gabimet në shtypjen e fletëvotimeve.
Agjencia amerikane për siguri kibernetike ka thënë se nuk ka incidente të mëdha që ndikojnë në infrastrukturën e zgjedhjeve në SHBA, ka raportuar “CNN”.
Mot ekstrem dhe “ndërprerje e përkohshme e infrastrukturës” janë raportuar në pjesë të SHBA-së, ndërsa votuesit po u drejtohen qendrave të votimit për ta zgjedhur presidentin.
“Nuk ka ndonjë incident të madh në nivel kombëtar që ndikon në sigurinë e infrastrukturës sonë zgjedhore. Ne jemi duke gjurmuar raste të motit ekstrem dhe ndërprerje tjera të përkohshme në infrastrukturë në zona të caktuara, por këto janë kryesisht ngjarje të pritshme”, ka thënë Cait Conley, këshilltare e lartë në Agjencinë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën e Sigurisë.
Ajo s’ka treguar se në cilat zona kanë ndodhur “ndërprerjet” e vogla.
Shkaku i pengesave teknike në disa qarqe u aprovua edhe vazhdimi i votimit për disa orë më tepër.
Në Michigan agjentët e FBI-së kanë arrestuar dy persona për kërcënime të lidhura me zgjedhjet, sipas “The Detroit News”.
Media me bazë në Michigan ka raportuar se një i dyshuar ishte i lidhur me një komplot vrasjeje që synonte Donald Trumpin.
Burri me emrin Isaac Sissel dyshohet se postoi në Reddit me emrin e përdoruesit "ShootUpTrumpRally" dhe që atëherë u ka thënë hetuesve se beson se "çdo gjë do të ishte më mirë nëse Trumpi do të kishte vdekur".
Në çështjen e dytë penale të zbardhur të martën, Christopher Clay Pierce, 46 vjeç, akuzohet për kërcënime kundër një komiteti të veprimit politik të paidentifikuar (PAC) të lidhur me demokratët gjatë dy vjetëve të fundit.
Pierce thuhet se ishte paralajmëruar më parë nga FBI-ja se ai mund të akuzohej për një krim nëse vazhdonte të postonte kërcënime në internet, por vazhdonte të ngacmonte grupin e lidhur me demokratët.
Rrjedhja e votimit
Vermonti ishte shteti i parë që hapi qendrat e votimit, teksa disa orë më pas u hapën edhe në vende të tjera si në Arizona.
Gara më e ngushtë mes kandidatëve u zhvillua në shtetet vendimtare sikurse janë Pensilvania, Wicsonsini, Georgia e Michigani.
Dy kandidatët kaluan orët e fundit të fushatës në Pensilvani, shteti më i madh i pavendosur, duke bërë përpjekje që t’i bindin qytetarët t’ua hedhin votën.
Rezultati në Dixville Notch, një fshat në New Hampshire, i cili, sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, ishte një paralajmërim i asaj që pritej të ndodhte pak orë më vonë. Dixville Notch ka vetëm 6 votues të regjistruar e të cilët ndanë votën përgjysmë për Harrisin dhe Trumpin.
Edhe sondazhet paraqesin rezultate aq të ngushta saqë gara po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë.
Trumpi kaloi orët e para të ditës së zgjedhjeve në Michigan, ku përfundoi një tubim natën vonë në Grand Rapids. Pjesën tjetër të ditës kandidati republikan e kaloi në Floridë, ku edhe votoi.
Harris mori pjesë në natën e zgjedhjeve në Universitetin Howard në Uashington, ku ajo u diplomua në ekonomi dhe shkenca politike, në vitin 1986.
Optimizmi i Trumpit
Ish-presidenti Donald Trump hodhi votën e tij në Floridë.
Kandidati republikan për president votoi në qendrën e votimit në Palm Beach me bashkëshorten Melania Trump.
Trumpi foli pasi votoi. Ai tha se s’beson se do të dihet fituesi qysh në natën e zgjedhjeve.
“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se ndihet “shumë optimist”.
“Dëgjoj se po ia dalim shumë mirë”.
Trumpi ka shtuar se rezultati mes dy kandidatëve as që “do të jetë i afërt”, porse do të marrë kohë për t’u certifikuar.
Ai tha se nuk beson se i duhet t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë dhe se ata duhet të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ai humb.
“Nuk kam pse t’ua them këtë”, ka thënë ai, kur u pyet nëse do t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë.
“Por, a do t’u thoshit?”, u pyet ai.
“Nuk kam pse t’u them atyre se nuk do të ketë dhunë. Sigurisht se nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nuk kam pse t’ua them. Dhe sigurisht se nuk dua dhunë, por qartazi nuk kam pse t’ua them. Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë njerëz që nuk besojnë në dhunë. Ndryshe nga pyetja juaj. Ju besoni në dhunë”, ka theksuar Trump.
Bota në pritje të presidentit të ri
Bota nuk e zgjedh presidentin e SHBA-së, por ndikimi i zgjedhjeve vërehet gjithandej.
Është një vendim që do të ketë ndikim global, duke nisur nga luftërat në Gazë dhe në Ukrainë e deri te tregtia.
Sa i përket Izraelit dhe luftërave që po zhvillon në Gazë dhe Liban, zëvendëspresidentja Harris ka avokuar prej kohësh për zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ajo ka deklaruar se nëse vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë, do të përpiqet që t’i japë fund luftës sa më shpejt.
Në anën tjetër, ish-presidenti Trump ka politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA-ja të shkëputet nga konfliktet nëpër botë. Ai e ka pozicionuar veten si mbështetës të palëkundur të Izraelit, por ka folur pak për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
Lidhur me luftën në Ukrainë, ukrainasit shqetësohen se Trumpi do të imponojë një marrëveshje të shpejtë, të favorshme për Rusinë. Ata shpresojnë se me Harrisin presidente do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës në fushëbetejë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka komentuar zgjedhjet duke thënë se Kievi është i përgatitur edhe me rrethanën nëse Trumpi fiton.
“Nuk kam dëgjuar që ai ka thënë se nuk do të mbështesë Ukrainën. Por sigurisht ne i kuptojmë të gjitha rreziqet. Nuk jam i sigurt se Trumpi, nëse do të zgjidhet president, ai dëshiron të humbasë. Por sidoqoftë, kjo është arsyeja pse Ukraina ka planin e saj të përkohshëm, se si të forcohet vetë. Do të jetë shumë e vështirë”, ka deklaruar Zelensky ditë më parë.
Megjithatë, në Rusi, presidenti Vladimir Putin sheh shumë pak ndryshim midis Trumpit dhe Harrisit për Ukrainën. Ai beson se të dy do të jenë më pak të përkushtuar ndaj Ukrainës sesa Joe Bideni.
Harrisi është zotuar ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Ndërkaq Trumpi ka thënë se do t’i japë fund luftës brenda 24 orësh përmes një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë.
Për Evropën këto zgjedhje në SHBA konsiderohen si fundi i një epoke, cilido qoftë rezultati.
Shumica e liderëve evropiano-perëndimorë janë thellësisht të shqetësuar. Ka drojë se ekonomia do të pësojë katastrofë, nëse jetësohet deklarata e Trumpit për vendosjen e tarifave prej 20 për qind për gjithçka që i shitet Amerikës, duke përfshirë eksportet evropiane.
Shqetësime janë ngritur edhe për sigurinë, meqë Trumpi ka folur vazhdimisht edhe për largimin nga NATO-ja.
“Kushdo që i fiton këto zgjedhje ne do të punojmë me Kamala Harrisin, do të punojmë me Donald Trumpin dhe do të sigurohemi që aleanca të qëndrojë e bashkuar. Është në interesin tonë, por edhe të Shteteve të Bashkuara, sepse ata nuk janë për të përsëritur gabimin e tërheqjes nga Evropa pas Luftës së Parë Botërore. Në një moment të tillë, një Rusi e guximshme është në krahun tonë lindor dhe do të paraqesë një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, është shprehur Rutte.
Ka një besim se nëse Harris fiton, do të presë që evropianët të bëjnë më shumë për veten e tyre, pasi Bideni është presidenti i fundit i SHBA-së që personalisht është i lidhur me aleancën e krijuar në luftën e ftohtë.
Kina ka një rol tjetër të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Njerëzit në Pekin janë të ndarë se cili kandidat do të ishte më i mirë për Kinën.
Zyrtarët ekonomikë kinezë janë të vetëdijshëm se Trumpi ka bërë thirrje për tarifa të përgjithshme mbi eksportet e Kinës, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë e Kinës. Ky është një vend që është jashtëzakonisht i varur nga kërkesa e huaj, veçanërisht nga Amerika, për t’i mbajtur fabrikat e tij në funksion dhe punëtorët e punësuar.
Ndërkohë bota e politikës së jashtme kineze sheh avantazhe me fitoren e Trumpit.
Kina ndihet gjithnjë e më e ngufatur nga përpjekjet e SHBA-së, veçanërisht nga administrata Biden, për t’i forcuar aleancat më shumë nga fqinjët e Kinës: Japoninë, Korenë e Jugut, Filipinet, Indinë dhe mbi të gjitha Tajvanin. Harris ndoshta do t'i vazhdonte ato përpjekje. Trumpi është shumë më pak i përkushtuar për ndërtimin dhe ruajtjen e aleancave ndërkombëtare.
Dhe Trumpi ka treguar gjithashtu shumë më pak interes për ta mbrojtur Tajvanin, gjë që është shumë e mirëpritur nga Pekini.
Trumpi i pari pas numërimit të mbi 50 milionë votave
Sipas projeksioneve të AP-së, Harrisi ka fituar në Connecticut (7 vota elektorale), Delaware (3), Illinois (19), Massachusetts (11), Maryland (10), New Jersey (14), New York (28), Rhode Island (4), Vermont (3), Colorado (10), Washington (12), District in Maine (1), Kalifornia (54), D.C. (3).
Ndërsa Trumpi është projektuar të fitojë në Wyoming (3), West Virginia (4), Tennessee (11), South Dakota (3), South Carolina (9), Oklahoma (7), Ohio (17), Nebraska (2), Distrikti i Tretë i Nebraskas (1), North Dakota (3), Mississippi (6), Missouri (10)
Trumpi ka 214 vota elektorale, ndërsa Harrisi 179.
Deri tash, rezultatet janë të pritshme.
Harrisi ngushton diferencën
Kandidatja demokrate Kamala Harris është projektuar ta fitojë Illinoisin, sipas AP.
Illinoisi ka 19 vota elektorale.
Harris ka 71 vota elektorale, ndërsa Trumpi 101, sipas projeksioneve që ka publikuar AP-ja deri tash.
Trumpi po prin
Trumpi pritet ta fitojë edhe Karolinën e Jugut e Arkansasin.
Harrisi pritet të fitojë në New Jersey, Rhone Island, Conneticut e Delaware.
Trumpi ka 101 vota elektorale, ndërsa Harrisi 52 deri tash.
Dalin projeksionet për tetë shtetet e tjera
Donald Trump është parashikuar të fitojë në Alabama, Florida, Missouri, Oklahoma dhe Tennessee, raporton BBC.
Kamala Harris pritet të fitojnë në District of Columbia (Uashington), Maryland dhe Massachusetts.
Trumpi është projektuar të fitojë edhe në Kentucky, Indiana dhe West Virginia.
Harrisi pritet të fitojë në Vermont.
Të gjitha këto janë në përputhje me pritshmëritë, sipas historisë së votimit të secilit shtet.
Me projeksionet e publikuara deri tash, Trumpi prin me 90 vota elektorale, ndërsa Harrisi ka 27.
Trumpi fiton edhe katër vota elektorale
Kandidati republikan Donald Trump do ta fitojë West Virginian, sipas projeksionit të CNN-it.
Ai do të marrë katër vota elektorale nga ky shtet.
Paraprakisht, Trumpi është parashikuar ta fitojë edhe Kentuckyn dhe Indianan.
Harrisi është projektuar të fitojë në Vermont.
Janë rezultate të pritshme.
Serwer: Nëse Trumpi fiton do të ketë përpjekje për ndarje të Kosovës dhe Bosnjës
Daniel Serwer, profesor amerikan në universitetin Johns Hopkins, ka thënë se nëse zgjedhjet amerikane i fiton kandidati republikan Donald Trumpi atëherë do të ketë menjëherë përpjekje për ndarje të Kosovës, Bosnjën dhe Ukrainës.
Në një intervistë në “Interaktiv”, Serweri u pyet nëse Trumpi do të ketë synime të tjera si ajo e shtatorit 2020 kur liderët e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit – e cila nuk gjeti zbatim.
“Por unë mendoj se ata do të përpiqen ta bëjnë këtë, por me një marrëveshje shumë më të madhe për ndarjen. Por nuk mendoj se ndarja do ta presë 20 janarin. Unë mendoj nëse Trumpi fiton, ka të ngjarë të shihni përpjekjet për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës të iniciuara shumë përpara 20 janarit. E dini, Serbia do të përpiqet të përfitojë nga një lëvizje e dobët e Shteteve të Bashkuara dhe të shkojë drejt asaj që mendon se administrata Trump do të inkurajonte gjithsesi. Sigurisht. Kjo është aj ajo që unë imagjinoj”, ka thënë ai.
VIDEO:
Bideni ende beson se do ta kishte mundur Trumpin
Edhe pse presidenti amerikan Joe Biden nuk e di se si do të përfundojë gara e nxehtë mes zëvendëspresidentes, Kamala Harris dhe ish-presidentit, Donald Trump, sipas burimeve ai beson një gjë me siguri: Se do ta kishte fituar këtë garë, raporton CNN.
Njerëzit e afërm me Bidenin kanë thënë se, duke e pasur parasysh favorizimin e tij në mesin e votuesve të klasës së bardhë punëtore, ai beson se do t’i kishte fituar shtetet e Murit të Kaltër, që zyrtarët e fushatës së Harrisit tani thonë janë rruga e saj drejt fitores.
Duke parë rolin qendror të këtyre votuesve në fitoren e Trumpit në vitin 2016, Bideni dhe këshilltarët e tij më të afërt gjithashtu besojnë se Trumpi nuk do ta kishte fituar kurrë mandatin e parë ose se do të arrinte të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur nëse Bideni shqetësohet se do ta mbajë fajin për trajektoren e kësaj gare nëse Harris nuk fiton, një këshilltar i lartë i presidentit i tha CNN-it se “presidenti është më i shqetësuar për atë që do t’i ndodhte vendit nëse ndodh kjo”.
CNN: Trumpi planifikon t’i keqpërdorë vonesat në vendvotime
Teksa kandidati republikan, Donald Trump po i pret rezultatet e zgjedhjeve ai pritet t’i përsërisë lëvizjet e njëjta që ka përdorur ndër vite: të përdorë çdo lloj vonese, qoftë gabim i teknologjisë ose i njerëzve, në vendvotime dhe ta ekzagjerojë për t’ia përshtatur narrativës së tij për mashtrimet zgjedhore, raporton CNN.
Trump veç se ka filluar të pretendojë se ka raportime të mashtrimeve masive në Filadelfia, edhe pse zyrtarët thonë se nuk ia kanë idenë për çfarë po flet ai dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë supozim.
Por ka një ndryshim të madh nga 2020-ta. Trumpi nuk ka kontroll mbi Departamentin e Drejtësisë ose ndonjë zyrtarë të lartë për t’i bërë presion, siç ka bërë me prokurorin e përgjithshëm, Bill Barr, katër vjet më parë.
Projeksioni i AP-së: Trumpi fiton Kentuckyn dhe Indianan, Harrisi në Vermont
Kandidati republikan Donald Trump do t’i fitojë shtetet e Kentuckyt dhe Indianas, ndërsa demokratja Kamala Harris do të jetë e para në Vermont, sipas projeksionit të Associated Press.
Indiana ka 11 vota elektorale, ndërsa Kentucky ka tetë.
Vermonti i ka tri.
Indiana dhe Kentucky ishte parashikuar të fitoheshin nga republikanët, teksa Vermonti është bastion i demokratëve.
Një kandidat duhet t’i fitojë 270 vota elektorale për t’u zgjedhur president.
Dalin rezultatet e para
Kanë dalë rezultatet nga disa vendvotime në dy shtetet amerikane, Kentucky dhe Indiana. Këto shtete janë të sigurta që fitohen nga republikanët.
Në Indiana, që ka 11 vota elektorale, janë numëruar 1 për qind e votave.
Republikani Donald Trump aktualisht ka 70.7 për qind të votave dhe Kamala Harris 27.6 për qind.
Në Kentucky, që ka tetë vota elektorale, u numëruan 1.9 për qind e votave.
Trumpi aktualisht ka 65.1 për qind të votave dhe Harris 33.7 për qind.
Rreth 10 vendvotime në Georgia do të rrinë të hapura më gjatë, shkak i ndërprerjeve nga kërcënimet
Rreth 10 vendvotime në një pjesë të qarqeve të Georgias do të rrinë të hapura më gjatë për shkak të kërcënimeve që kanë ndërprerë procesin e votimit, sipas Sekretarit të Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger.
“Janë rreth 10”, ka thënë Raffensperger, duke iu referuar vendvotimeve që do të zgjasin deri në orën 7 në kohën lokale.
“Dhe mund të shtyhen për rreth 20 deri në 40 minuta”, ka shtuar sekretari për zgjatjen e procesit të votimit.
Zyrtari i lartë i zgjedhjeve të Georgias ka thënë se pjesëmarrja përgjatë shtetit ka qenë mjaft e lartë, në total po arrin në 5.2 milionë pjesëmarrës, raporton CNN.
Mustafa: Demokratët i humbën shpresat me Bidenin, por Harrisi e ka kthyer lojën
Studiuesi i filozofisë, Latif Mustafa, ka thënë se demokratët i patën humbur shpresat teksa presidenti aktual Joe Biden ishte planifikuar të ishte kundërshtar i republikanit Donald Trump në zgjedhjet që po mbahen sot, por nominimi i Kamala Harrisit e ka kthyer lojën.
Sipas tij, demokratët bën “zgjedhje strategjike” kur zgjodhën Harrisin përballë Trumpit.
“Nëse zgjidhet, Kamala Harris do të shënonte sukses të ri në historinë politike të SHBA-së, do të bëhej presidentja e parë në histori. Harrisi është grua me ngjyrë me bindje social-demokrate apo liberale të majta e cila vjen nga drejtësia dhe kjo përzgjedhje nuk është bërë krejt rastësisht nga kampi demokrat por është bërë qëllimisht që ta sulmojë Trumpin sepse ai vjen nga një fushë ku ka bërë shkelje të shumta ligjore, është burrë maskulinist dhe ka politika anti-imigrante. Derisa ishte Bideni në fushatë, demokratët i patën humbur shpresat, por Kamala Harris e ka kthyer lojën dhe fitorja e saj do të ishte mrekulli, ka thënë Mustafa në “Interaktiv”.
Exit-polli: Votuesit të shqetësuar për dhunë të mundshme
Ja disa nga të dhënat e hershme të exit-polleve në lidhje me mënyrën se si ndihen votuesit për procesin elektoral dhe demokracinë në SHBA, raporton BBC.
Tri e katërta e të pyeturve kanë thënë se ndihen sikur demokracia është “shumë” ose “në njëfarë mënyre” e kërcënuar në SHBA.
Shtatë nga 10 votuesit janë të shqetësuar nga dhuna si shkak i zgjedhjeve.
CBS ka thënë se kjo është hera e parë në histori, që exit-pollet kanë pyetur për perspektivën e votuesve ndaj dhunës, meqë lidhet veçanërisht me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
Shtatë nga 10 votuesit janë të sigurt se zgjedhjet janë duke u mbajtur në mënyrë të drejtë dhe adekuate. Përkrahësit e Harrisit janë më të sigurt, ndërsa në mesin e mbështetësve të Trumpit vetëm gjysma e tyre.
Të dhënat janë nga marrë nga valët e para të të dhënave të exit-polleve, prandaj këta numra mund të ndryshojnë gjatë natës.
Çfarë ndodh nëse dy presidentët kanë vota të barabarta?
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe amerikanët mund të zgjedhin mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.
SHBA-ja ka sistem që nuk shikon se cili kandidat ka më shumë vota në nivel vendi, por numërohen votat elektorale në proporcion me numrin e banorëve të një shteti. Për shembull, shteti i Kalifornisë i ka 54 vota elektorale – më së shumti.
Janë gjithsej 538 vota elektorale, të cilët janë të ndara në 50 shtete dhe në kryeqytetin amerikan, Uashington.
Ekziston skenar sipas të cilit të dy kandidatët mund të marrin nga 269 vota elektorale, pra do të kishte rezultat të barabartë.
Kjo nuk ka ndodhur në historinë moderne amerikane, veçanërisht pasi zgjidhet midis dy kandidatëve, por Kushtetuta e SHBA-së ka zgjidhje edhe për këtë.
Nëse të dy kandidatët marrin numrin e njëjtë të votave elektorale, Kongresi Amerikan do të kishte fjalën e fundit. Dhoma e Përfaqësuesve do ta zgjidhte presidentin, ndërsa Senati do të zgjidhte zëvendëspresidentin.
Megjithatë, në Dhomën e Përfaqësuesve, përfaqësuesit, prej të cilëve janë 435, nuk do të votonin, por shtetet federale përmes përfaqësuesve do të kishin secila nga një votë.
Duhen 26 shtete për të zgjedhur një president dhe pikërisht ky numër aktualisht kontrollohet nga republikanët.
Në Senat, secili anëtar do të votonte veçmas, dhe demokratët kanë shumicën.
Me fjalë të tjera, është i mundur skenari paksa i pabesueshëm ku president do të ishte Donald Trump dhe zëvendësi i tij demokrati Tim Walz.
Por gjasat janë shumë të vogla për të ndodhur një skenar i tillë.
Ekipi i Harrisit optimist për fitore në vendin kyç
Përveç pjesëmarrjes së lartë në Filadelfia, ekipi i fushatës së kandidates demokrate Kamala Harris është inkurajuar edhe nga pjesëmarrja e lartë e puerto rikanëve dhe studentëve në Pensilvani, që i ka konsideruar si trendë që çojnë drejt fitores në vendin kyç të zgjedhjeve presidenciale, raporton “CNN”.
Radhët e votuesve në Universitetin Lehigh afër Allentown ka qenë shtatë orë e gjatë sot, sipas ekipit të Harrisit.
Ky ekip ka dërguar zëvendësues dhe mbështetës për t’i mbajtur studentët në linjë. Ata po punojnë gjithashtu për ta zgjatur orarin e votimit atje.
Në Filadelfia, sipas ekipit, tri objektet që kanë pasur numrin më të lartë të votuesve puerto-rikanë, të cilët konsiderohen plotësisht pro-Harris, gati ka arritur shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e vitit 2020.
Mbyllen qendrat e para të votimit
Janë mbyllur qendrat e para të votimit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qendrat janë mbyllur në Indiana dhe Kentucky. Pas tyre, pas një ore do të nisin t’i mbyllin qendrat edhe shtetet e tjera.
Exit-pollet e para pritet të dalin pas mbylljes së qendrave.
Çfarë thonë exit-pollet e para?
Exit-pollet në SHBA nuk parashikojnë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve, por krijojnë një pasqyrë të opinioneve dhe motivimeve të votuesve.
CBS raporton se gjendja e demokracisë dhe ekonomia kanë qenë çështjet kryesore për të gjithë votuesit.
Nga ata që votuan për Harrisin:
Gati gjashtë në 10 persona e renditën gjendjen e demokracisë si çështjen e tyre numër një;
Rreth një në pesë persona e renditi abortin si numër një;
Pak më shumë se një në 10 zgjodhi ekonominë.
Nga ata që votuan për Trumpin:
Gjysma thanë se ekonomia ishte çështja e tyre numër një;
Një në pesë tha se migracioni ishte çështja kryesore;
Pak më shumë se një në 10 persona tha se rendit gjendjen e demokracisë si çështjen numër një. /REL
Trumpi po përgatitet të flasë sonte, thonë burime
Kandidati republikan për president i SHBA-së, Donald Trump, po planifikon që t’u adresohet disa mijëra mbështetësve të tij të cilët janë mbledhur në Qendrën e Konventës në Palm Beach gjatë natës, kanë bërë të ditura burime për CNN.
Trumpi u ka thënë gazetarëve më herët se nuk ishte i sigurt për planet e tij dhe se nuk kishte ndonjë fjalim. Por, burimet kanë thënë se presin që ai të flasë pavarësisht rezultateve.
Nëse Trumpi do të pretendojë fitoren ndërsa ende numërohen votat - siç bëri në mënyrë të rremë më 2020 – mbetet të shihet.