Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Zyrtarisht nis dita e zgjedhjeve në SHBA
Edhe zyrtarisht kanë nisur zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është Vermonti që ka hapur qendrat e votimit.
Një orë më pas, qendrat e votimit do të hapen në Connecticut, Kentucky, Maine, New Jersey, New York e Virginia.
Rreth orës 13:30 me kohën lokale në Kosovë, zgjedhjet do të hapen në katër shtete të tjera.
Ka shtete që nuk do të hapin qendrat edhe 7 orë, për shkak të kohës lokale atje.
Në SHBA tashmë miliona njerëz kanë votuar në procesin e njohur si “paravotim”.
Personalitetet e famshme që përkrahën Kamala Harrisin dhe Donald Trumpin
Është bërë debat se çfarë efekti ka përkrahja nga të famshmëve tek votuesit për zgjedhjet presidenciale në shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kandidatët gjithmonë i mirëpresin.
Këtu janë disa pjesëtar të listës A të Hollywoodit që kanë qenë përkrahës të zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ata të ish-presidentit, Donald Trump, shkruan The Guardian.
Kamala Harris
Këngëtarja Beyonce ka folur në tubimin që mbajti Harris në vendlindjen saj, në Houston të Texasit.
“Jam këtu si e famshme, jo si politikane. Jam këtu si nënë. Imagjinoni si do të rriteshin bijat tona duke e ditur se kanë mundësi pa fund, pa limite. Duhet të votojmë dhe ne jemi nevojë për ju”, ka thënë Beyonce.
Të tjerë të famshëm që përkrahin Harrisin janë: Taylor Swift, Bruce Springsteen, Stevie Wonder, Wilie Nelson, Oprah Winfrey, Julie Roberts, Kerry Washington, Julie Louis Dreyfus, Jennifer Lopez, Eminem, Megan Thee Stallion, Bad Bunny, Ricky Martin, Samuel L Jackson, Magic Johnson, Usher, Lizzo, Tyler Perry, Lebron James, Cardi B.
Donald Trump
Ish ylli i arteve marciale, Hulk Hogain,i cili në të kaluarën ka përkrahur ish-presidentin Brack Obama, tash po e përkrah Trumpin.
“S’i kemi pasur punët asnjëherë më mirë se me Trumpin”, ka thënë ai në një tubim.
Përkrahës të tjerë të famshëm të Trumpit janë: Elon Musk, Kid Rock, Kanye West, Jon Voight, Mel Gibson, Dr Phil, Dennis Wuaid, Roseanne Barr, Russell Brand, Buzz Aldrin.
Harris apo Trump? Këto janë komentet e gazetave gjermane dhe zvicerane
“Süddeutsche Zeitung”, München
Evropa nuk ka ndonjë ndikim mbi atë se kë do të zgjedhin amerikanët për president (ose ndoshta, shpresojmë, për presidente). Por evropianët kanë padyshim ndikim mbi mënyrën se si do të përballen me një president si Trumpi. Kjo, kaq është e sigurt, nuk do të jetë as e lehtë dhe as e këndshme. Megjithatë, ajo që duhet theksuar paraprakisht është: zemërimi, protestat, shpërthimet e mllefit apo inati nuk janë reagime të përshtatshme. Edhe kërcënimi me divorc nuk çon askund dhe do ta përçante e dobësonte vetëm Evropën.
Çfarë duhet bërë pra? Ndoshta evropianët mund ta marrin tronditjen nga Trumpi si një rast dhe burim force për të zgjidhur disa probleme të brendshme, të cilat deri tani janë përshkruar vetëm në raporte voluminoze, por jo në realitet. E vështirë? Po. E pamundur? Jo domosdoshmërisht. BE-ja, gjatë pandemisë së Covid-it dhe pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ka bërë me vendosmëri dhe qartësi disa gjëra të jashtëzakonshme, të cilat më parë konsideroheshin të paimagjinueshme, e lëre më të realizueshme. Por, siç duket, nuk kanë qenë të tilla.
“Tages Anzeiger”, Zürich
Amerikanët duhet të vendosin nëse duan t’ia besojnë vendin e tyre një politikaneje klasike. Kamala Harris ka një sfond multikulturor dhe përfaqëson kështu Shtetet e Bashkuara moderne; ajo do të ishte gjithashtu gruaja e parë në këtë post, një premierë historike. Por ajo është gjithashtu një politikane krejt normale me të mirat dhe të metat e saj, e etur për pushtet, pragmatike, ideologjikisht fleksibile. Jo Joe Bideni, por as shumë larg prej tij.
Ndërsa Donald Trumpi është një shkelës i rregullave, një “disruptor”, siç thuhet në zhargonin e biznesit të anglishtes së re. Ky reputacion magjeps shumë amerikanë, sepse ata në thelb nuk i besojnë shtetit. Dhe sepse politika për shumë njerëz ka dhënë rezultate të pamjaftueshme për dekada me radhë. Në një nga vendet më të pasura në botë, pabarazia midis më të pasurve dhe të gjithë të tjerëve po rritet. Ndërkohë, shoqëria po ndryshon me ritme të shpejta, përmes imigracionit, barazisë gjinore dhe ndryshimeve gjeopolitike.
Shumë amerikanë dyshojnë në ëndrrën amerikane. Donald Trumpi premton zgjidhje të thjeshta për këtë. Sa pak ky njeri i vlerëson institucionet demokratike, rregullat që mundësojnë bashkëjetesën në këtë vend të larmishëm dhe kompleks, mbështetësit e tij i lënë mënjanë. Ata, gjysma e popullsisë, nuk janë të gjithë të prekur nga racizmi dhe idetë fashistoide, të cilat janë pjesë e qëndrueshme të retorikës politike të Trumpit.
“Neue Zürcher Zeitung”, Zürich
Ajo që thotë dhe bën republikani (Donald Trump) është pjesë e një shfaqjeje të personalitetit aq të çakërdisur, saqë bëhet fascinante. Trump, Trump, Trump: Përkrah tij, të gjithë të tjerët duken si statistë. Pikërisht ky është rreziku më i madh. Njeriu priret ta mbivlerësojë këtë vetë-promovues që sfidon çdo konventë.
Megjithatë, Trump është vetëm një simptomë e ndryshimeve epokale. Thuhet se burrat bëjnë historinë – dhe natyrisht, edhe gratë. Por ata mund të forcojnë vetëm atë që është tashmë pjesë e epokës. Hitleri do të kishte mbetur një artist i dështuar po të kishte jetuar në një Gjermani të qëndrueshme dhe të prosperuar.
Sa shumë do ta ndryshonte botën një mandat i dytë i republikanit (Trump)? Kjo është pyetje e gabuar. Më e saktë do të ishte të mendonim se sa shumë ai mund ta përshpejtojë ndryshimin. Dhe balancat gjeopolitike po ndryshojnë në themel, gjë që ne e perceptojmë si një varg krizash.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Frankfurt
Kur Amerika (të martën) zgjedh presidentin, do të ndodhë diçka që shumë njerëz në Evropë nuk e konsideronin më të mundshme: Trump është përsëri në fletëvotim dhe ka një mundësi reale për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Harris ka një pozicion më të mirë në sondazhe se Biden, i cili (jo plotësisht me dëshirë) ia la asaj kandidaturën. Por Trump dhe Harris janë tani aq afër njëri-tjetrit, saqë nuk ka një favorit të qartë. Rreth gjysma e zgjedhësve amerikanë janë të gatshëm të votojnë përsëri për ish-presidentin.
Kjo kundërshton sidomos një perceptim që ishte i përhapur në Evropë pas fitores së parë të Trumpit në zgjedhjet e vitit 2016: se ky ishte disi një aksident politik në një vend që në thelb ende i ishte përkushtuar “vlerave liberale” aq të shumëpërmendura; një lëshim, i favorizuar nga interneti dhe përrallat e rreme të republikanit. Fitorja e Bidenit në vitin 2020 dukej se e mbështeste këtë interpretim. Si pothuajse gjithmonë, kur një demokrat është në pushtet në Uashington, në Evropë, veçanërisht në Gjermani, rizbulohen marrëdhëniet transatlantike; këtë herë, megjithatë, Putin ofroi ndihmë të konsiderueshme.
Në të vërtetë, Trumpi ishte një pararendës. Nëse rizgjidhet, ai do të kthehet në një botë politike që i është afruar ideve të tij. Kjo ndikon veçanërisht në Evropë. Partitë e djathta populiste kanë qenë gjithashtu në rritje këtu për vite me radhë, madje edhe në vendet e Evropës Perëndimore ato po fitojnë zgjedhje. Radikalizimi i vazhdueshëm i Trumpit është gjithashtu një fenomen i njohur në këto vende. Është formula e suksesit të AfD-së (partisë ekstremiste të së djathtës gjermane).
Dalin rezultatet e para nga qyteti i vogël amerikan
Kandidatja e Partisë Demokratike, Kamala Harris, dhe kandidati i Partisë Republikane, Donald Trump, kanë marrë nga tri vota në komunitetin Dixvile Notch në New Hampshire e që njihet si momenti i parë i garës së madhe presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qyteza në kufi me Kanadanë ka hapur dhe mbyllur qendrën e votimit në mesnatë, si traditë që daton prej 1960-s.
Në zgjedhje morën pjesë vetëm gjashtë votues.
Përderisa Dixville Notch s’është gjithmonë vendi që tregon fituesin final, por në disa raste konsiderohet storie suksesi për nisje të mbarë.
Në pjesën tjetër të SHBA-së votimi pritet të nisë shumë shpejt. Fituesi, për shkak të garës së ngushtë, nuk pritet të dihet shpejt.
Garë shumë e ngushtë, por kush do t’i fitojë zgjedhjet – sipas inteligjencës artificiale
Pos sondazheve paraprake, edhe inteligjenca artificiale ka lënë të kuptohet se rezultati i zgjedhjeve amerikane mes kandidatëve Kamala Harris dhe Donald Trump do të jetë shumë i ngushtë. Duke pyetur robotin virtual të AI-së, ChatGPT, kjo platformë rekomandoi se është shumë herët të dihet ndonjë fitues potencial, por tha se dy kandidatët kanë avantazhe të lehta në disa shtete.
“Në disa nga sondazhet dhe rezultatet e hershme, Kamala Harris dhe Donald Trump janë të afërt në disa shtete vendimtare, me Harris që ka një avantazh të lehtë në sondazhet kombëtare, ndërsa Trump shfaqet i fortë në disa shtete të rëndësishme si Karolina e Veriut dhe Pennsylvania”, thuhet në një përgjigje të ChatGPT, që është produkt i kompanisë amerikane OpenAI.
Aty thuhet se shtetet si Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin do të jenë vendimtare në rezultatin final, pasi ato historikisht kanë pasur ndikim në rezultatin zgjedhor.
ChatGPT ka rekomanduar që të përcillen mediumet e mëdha botërore amerikane për rezultate dhe informacione të sakta. Por, duke i kërkuar një parashikim, ChatGPT tha se Harris ka gjasa më të mëdha për t'u shpallur presidente e SHBA-së.
Sondazhet e fundit nga shtatë shtetet e papërcaktuara
Përderisa orët vendimtare po afrohen, sondazhet e fundit në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e bëjnë garën edhe më të ashpër.
Janë shtatë shtete të cilat pritet të jenë vendimtare me votën e tyre elektorale. Sondazhet e përditësuara në vazhdimësi kanë nxjerrë rezultate të cilat janë brenda margjinës së gabimit.
Sipas të dhënave të fundit të BBC-së, Donald Trumpi i Republikanëve po prin ngushtë në Nevada, Georgia, Karolinë të Veriut dhe Arizona, ndërsa me epërsi po aq të ngushtë Harrisi udhëheq në Wisconsin e Michigan. Dyshja duket se është duke shkuar baras në Pensilvani.
Pensilvani (19 vota elektorale) – Baras
Nevada (6) – Trump <1
Wisconsin (10) – Harris +1
Georgia (16) – Trump +1
Karolina e Veriut (16) – Trump +1
Michigan (15) – Harris +1
Arizona (11) – Trump +2
Jetë të ndryshme. Harris dhe Trump siç nuk i keni parë kurrë më parë
Dekada të ndryshme, kandidatja demokrate për president, Kamala Harris i kaloi vitet e saj të hershme në Oakland, Kaliforni, dhe kandidati republikan Donald Trump u rrit në lagjen Queens të Nju Jorkut.
Harris dhe motra e saj Maya u rritën nga nëna e tyre indiane, Shyamala Gopalan Harris, studiuese e kancerit dhe aktiviste sociale.

Babai i Trumpit, Fred Trump, ishte djali i emigrantëve gjermanë dhe nëna e tij, Mary Anne MacLeod Trump lindi në Skoci. Ata e regjistruan në Akademinë Ushtarake të Nju Jorkut në moshën 13-vjeçare.
Harris kaloi pesë vjet në shkollën e mesme në Montreal, Kanada, ku nëna e saj filloi punë si mësuese në Universitetin McGill. Më vonë ajo u regjistrua në kolegjin afro-amerikan, Universitetin Howard në Uashington DC.
Trump ka thënë se pesë vjetët në akademi, të cilat i nisi më 1959, i dhanë atij trajnim ushtarak dhe e ndihmuan në formimin e aftësive të tij drejtuese. Ai nuk iu bashkua Luftës së Vietnamit për shkak të çështjeve akademike dhe të plagëve në këmbë.

Që në moshë të re, Harris u mësua nga nëna e saj për rëndësinë e lëvizjes për të drejtat civile dhe ajo mori pjesë në Marshin vjetor të Lirisë Martin Luther King Jr në Uashington në 2004.
Pasi u diplomua në Universitetin e Pensilvanisë, Trump u favorizua për të pasuar të atin në krye të biznesit familjar.

Harris u kthye në Kaliforni, ku ajo u ngjit me shpejtësi në krye të sistemit të drejtësisë së shtetit - duke siguruar punë si prokurore e përgjithshme - dhe e përdori atë moment për të nisur garën për Senatin e SHBA-së në 2016.
Në të njëjtën kohë kur ajo hyri në Kongres, Trump po hynte në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, pasi kishte befasuar botën duke mposhtur Hillary Clintonin.
Tri vjet më vonë, Harris zhvilloi fushatë presidenciale jo dhe aq mbresëlënëse, por u zgjodh nga fituesi i garës demokratike, Joe Biden, si zëvendëspresidente. Ata e siguruan fitoren duke e mposhtur Trumpin dhe Mike Pence.
Fundi i presidencës Trump dhe fillimi i mandatit Biden-Harris u shënuan nga bllokime për Covid, detyrime për mbajtje maskash dhe trazira sociale pas vrasjes nga policia të George Floydit në Minneapolis.

Harris e pati të vështirë për të lënë gjurmë si zëvendëspresidente, por zëri i saj u dëgjua në vitin 2022 kur Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha fund të drejtës kushtetuese për abortin.
Ishte Trump ai që e kishte bërë Gjykatën e Lartë më konservatore, duke i hapur rrugën vendimit të abortit.
Gjatë kohës së tij në Zyrën Ovale, ai gjithashtu nxori SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe ndërmori hapa për ta reduktuar imigracionin.
Vizita debutuese ndërkombëtare e Harrisit si zëvendëspresidente ishte në Guatemalë në vitin 2021, si pjesë e përgjegjësisë që iu dha për ta reduktuar numrin e imigrantëve nga Amerika Latine që arrinin në kufirin jugor të Amerikës me Meksikën.

Çështjet e politikës së jashtme që kanë dominuar kohën e saj në detyrë përfshijnë luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe tërheqjen kaotike të trupave amerikane nga Afganistani.
Vizita e parë e Trumpit jashtë shtetit si president ishte në Arabinë Saudite në vitin 2017. Trump mbron politikat izoluese që përfshijnë shkëputjen e vendit të tij nga konfliktet e huaja dhe promovimin e industrisë amerikane.
Harris është e martuar me Doug Emhoff , i cili bën fushata rregullisht në emër të saj. Ajo është njerka - ose “Momala”, siç thotë ajo - për fëmijët e Emhoffit nga martesa e tij e parë, Cole dhe Ella.
Anëtarë të ndryshëm të familjes së Donald Trumpit kanë luajtur role në karrierën e tij politike, megjithëse paraqitjet në fushatën e 2024-s nga gruaja e tij, ish-Zonja e Parë Melania Trump, kanë qenë të kufizuara.

Me gruan e tij të parë, Ivana, Trump ka tre fëmijë: Donald Jr, Ivanka dhe Eric. Ai ka një vajzë, Tiffany, me gruan e tij të dytë, Marla Maples. Ai u martua me gruan e tij të tretë Melania në vitin 2005, me të cilën ka një djalë, Barronin.
Harris hyri në garën presidenciale të vitit 2024 relativisht vonë në proces, duke zëvendësuar Joe Bidenin pasi u tërhoq. Ka shkruar historinë si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatiko-amerikania e parë që udhëheq kandidaturën e një partie për presidente.
Shpjegime: Gjithçka rreth garës presidenciale
Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen çdo katër vjet. Këto zgjedhje të përgjithshme, që nga viti 1845, kërkohet të zhvillohen të martën e parë të muajit nëntor. Këtë vit, dita e zgjedhjeve i bie të jetë 5 nëntori.
Shtetet i mbikëqyrin vetë proceset e tyre të votimit, që do të thotë se koha e hapjes së qendrave të votimit ndryshon nga shteti në shtet. Qendrat e para të votimit, në disa qarqe në Indiana dhe Kentucky, mbyllen në ditën e zgjedhjeve në orën 18:00 me orë lokale, ndërsa qendrat e fundit të votimit mbyllen në orën 1 të mëngjesit me orë lokale, të mërkurën, 6 nëntor, në Alaska.
Miliona amerikanë votojnë edhe më herët, personalisht ose edhe përmes postës.
Pse dita e zgjedhjeve zgjat më shumë se një ditë?
Në secilin shtet, procesi i votimit ka dallimet e tij. Votimi, si në shtetin e Washingtonit, Oregonit dhe Utahs, kryhet pothuajse tërësisht me postë, proces ky që zgjat me javë të tëra.
Çdo shtet ka në dispozicion edhe votimin e hershëm, i dedikuar për personat të cilët nuk mund të shkojnë në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve, duke siguruar kështu që të gjithë ta kenë mundësinë që të votojnë.
Kush janë kandidatët për president këtë vit?
Nga radhët e demokratëve, këtë vit, mandatin për presidente e synon zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila kandidon bashkë me guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, me këtë të fundit që synon postin e zëvendëspresidentit.
Ish-presidenti, Donald Trump, do të rikandidojë për president nga radhët e republikanëve, bashkë me senatorin e Ohios, JD Vance.
Ka edhe kandidatë të tjerë dhe opsionet ndryshojnë varësisht nga shteti. Chase Oliver i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë së Gjelbër, janë disa nga kandidatët, të cilët janë opsion për shumicën e shteteve.
Mirëpo, për ta përgjithësuar, shumica dërrmuese e amerikanëve pritet të votojnë për Harrisin ose Trumpin.
Pse Trump dhe Harris janë kandidatët kryesorë?
Dy partitë kryesore, Republikane dhe Demokrate, zhvilluan në fillim të vitit garën mes anëtarëve të partisë së tyre, për t’u nominuar si kandidatë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Përkundër faktit se shumë republikanë nuk përkrahën Trumpin pas sulmit në Kapitol si revoltë ndaj humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020, ish-presidenti ia doli prapë që të jetë kandidati republikan për president këtë vit. Këto janë zgjedhjet e treta radhazi, ku Trumpi zyrtarizohet si kandidat nga radhët e republikanëve.
Për demokratët, presidenti Joe Biden dominoi garën dhe u përball vetëm me kundërshtime simbolike. Por shqetësimet për moshën e Bidenit – 81 vjeç – dolën në pah. Pas një debati në qershor, Bideni rezultoi të jetë i dobët kundrejt Trumpit, duke bërë që presidenti të pranojë presionin dhe të largohet nga gara për president, përpara mbajtjes së konventës së demokratëve.
Mbështetja e Bidenit për Kamala Harrisin, zëvendëspresidenten e tij, qe shtysë që ajo të zgjidhej kandidate për presidente nga radhët e demokratëve. Madje asnjë demokrat nuk e sfidoi atë në konventën e gushtit.
Kur do të dihet fituesi?
Kjo mund të marrë pak kohë.
Në vitin 2020, CNN-i nuk doli me emrin e fituesit deri katër ditë pas ditës së zgjedhjeve. Shumë shtete ishin në garë të ngushtë atë vit.
Në 2016-n, një ditë pas ditës së zgjedhjeve, ndonëse numërimi i votave zhvillohej ende në shumë shtete, Hillary Clinton pranoi se nuk do ta fitonte garën.
Trump nuk ka gjasa që ta pranojë ndonjëherë humbjen.
Nëse në shtetet kyçe zhvillohet garë e ngushtë, mund të duhen ditë të tëra për ta përcaktuar fituesin. Lajmi i mirë është se shumë shtete kanë bërë ndryshime që nga viti 2020, duke lehtësuar përpunimin e fletëvotimeve me postë, të cilat kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar.
Në vitin 2000, për shkak të garës më të ngushtë në historinë e Shteteve të Bashkuara, fituesi u bë i ditur vetëm 36 ditë pas zgjedhjeve, kur Gjykata e Lartë e SHBA-së përfundoi rinumërimin e votave në Florida.
Këtë vit, është herët për të dalë në përfundime, mirëpo nëse nuk ka garë të ngushtë, rrjete të tilla si CNN-i, mund të projektojnë fituesin që natën e zgjedhjeve. Kjo pritet të shihet.
Cilat janë çështjet kryesore, me të cilat përballen amerikanët?
Njëra prej çështjeve kryesore, për të cilën amerikanët kërkojnë zgjidhje, është kostoja e jetesës. Çmimet u rritën pas pandemisë Covid-19 dhe Trumpi po shikon të përfitojë nga nostalgjia që njerëzit kanë, për vitet kur kostoja e produkteve ushqimore ishte më e ulët. Plani i tij për të vendosur tarifa të përgjithshme për mallrat e huaja mund të rrisë më tej çmimet, sipas ekonomistëve, por bazuar në sondazhe, Trumpi del të ketë avantazh ndaj Harrisit në fushën e ekonomisë.
Përkrahësit e Trumpit janë gjithashtu të motivuar nga politika që ish-presidenti kultivon për imigracionin. Ai ka premtuar të deportojë miliona emigrantë që kanë kaluar kufirin ilegalisht dhe ta mbyllë kufirin e SHBA-së.
Për votuesit e Harrisit, çështja e abortit është thelbësore. Pasi Gjykata e Lartë, me një të tretën e gjyqtarëve të emëruar nga Trumpi, përmbysi çështjen Roe v. Wade, Harrisi i ka cilësuar të drejtat riprodhuese si çështje të lirisë personale dhe është zotuar t’i mbrojë ato të drejta.
Ekziston edhe çështja kyçe e demokracisë. Trumpi u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë për ndërhyrje në zgjedhje pasi u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Trumpi u shpall fajtor edhe për akuza të tjera në Nju-Jork, lidhur me pagesat në këmbim të heshtjes, përpara zgjedhjeve të 2016-s. Dënimi i tij është caktuar të zyrtarizohet në fund të nëntorit, që do të thotë, pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Megjithatë, akuzat e tij për krime, apo edhe mundësia e burgimit, nuk e bëjnë Trumpin të papërshtatshëm për të shërbyer si president.
Si zgjidhet presidenti në SHBA?
Më shumë se 150 milionë njerëz pritet të votojnë në zgjedhjet presidenciale, në ose para ditës së zgjedhjeve. Por janë 538 (votat elektorale) anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, që do të zgjedhin presidentin në një proces që zgjat deri në dhjetor dhe janar.
Amerikanët votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për president, dhe në fakt zgjedhin edhe listën e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të lidhur me cilindo kandidat që fiton votën popullore në çdo shtet.
Më pas, këta anëtarë hedhin votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin në Kapitolin e secilit shtet më 17 dhjetor. Ky takim i njohur si Kolegji Zgjedhor, parashihet me Kushtetutën e vendit.
Këto vota elektorale numërohen në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve më 6 janar 2025.
Presidenti i ri merr detyrën më 20 janar 2025.
Cilat janë shtetet e fushëbetejës së 2024-tës?
Mendohet se janë shtatë shtete që mund të fitohen nga secili kandidat. Si rezultat, fushatat zgjedhore janë fokusuar në këto vende. Ato mund të ndahen në dy kategori të përgjithshme.
3 fusha beteje në Midwestern, i njohur si “muri i kaltër” - Këto janë shtetet e Pennsylvanias, Michiganit dhe Wisconsinit. Dikur shtete që përkrahnin demokratët, por që së fundmi kanë ndryshuar qasje, pasi popullsia ka ndryshuar.
Kur Trumpi e fitoi Shtëpinë e Bardhë në 2016-n, ai i fitoi të tri shtetet. Kur Bideni fitoi në 2020-ën, ai i fitoi po ashtu të tri shtetet. Nëse Harrisi fiton të tri shtetet këtë vit, ajo ka të ngjarë të ketë fituar edhe postin e presidentes. Por sondazhet tregojnë garë të ngushtë në të tri shtetet. Pjesëmarrja e votuesve luan rol të rëndësishëm, dhe për Harrisin janë tejet të nevojshme votat e grave dhe të afroamerikanëve. Të tri shtetet kanë qendra urbane.
4 fushëbeteja të Rripit të Diellit – Këto shtete me popullsi në rritje përfshijnë Arizonan, Nevadan në Perëndim e Karolinën e Veriut si dhe Georgian në Lindje. Arizona, Georgia dhe Karolina e Veriut dikur ishin shtete republikane. Trumpi fitoi Karolinën e Veriut dy herë, por kishte garë të ngushtë në vitin 2020. Demokrati i fundit që fitoi atje ishte Barack Obama në 2008-n. Bideni ishte demokrati i parë që fitoi Georgian që nga Bill Clintoni në vitin 1992, dhe Arizonan që nga Clintoni në 1996-n.
Fushëbeteja për 1 votë në Nebraska - 48 shtete ia japin votat e tyre elektorale fituesit, bazuar në avantazhin në secilin shtet. Nebraska dhe Maine e bëjnë atë ndryshe, duke i dhënë votat bazuar në distriktin e kongresit. Shteti i Nebraskas është territor i sigurt i Trumpit, por distrikti i kongresit rreth qytetit të Omahas është një fushëbetejë. Kjo votë e vetme mund të jetë shumë e rëndësishme në rast të një gare të ngushtë në Kolegjin Zgjedhor.
Është situata e kundërt në Maine, i vetmi shtet tjetër që nuk i jep të gjithë anëtarët apo votat elektorale të tij, fituesit mbarëkombëtar. Trumpi mund të marrë votë elektorale edhe në Maine.
Kosovarët preferojnë kandidaten demokrate Kamala Harris
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që do të mbahen të martën, po përcillen me interes edhe në Kosovë.
Për garën mes ish-presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris qytetarët në Kosovë shprehën një preferencë.
Ndonëse thanë se të dy kandidatët kanë qasje pozitive ndaj Kosovës.
“Kamala Harris... Është vijë e partisë më stabile, më e sigurt. Ekziston mundësia të vazhdojë si ka qenë deri tash, gradualisht. Ai më shpejt i kryen punët, Trumpi”, u shpreh një qytetar.
“Megjithëse Trumpi si ekonomist është shumë i fortë, por edhe Harrisi si juriste shumë e pëlqyeshme. Bën vaki që edhe unë do ta votoja”.
“Edhe pse për Trumpin nuk jam, ai që duhet të japë ndonjë mendim, sepse s’kam të bëj asgjë me të në kuptimin direkt. Por, sjelljet, shprehjet pak po më çojnë kah Kamala Harris”, u shpreh një tjetër.
Njohësi i zhvillimeve politike Mazllum Baraliu, tha se gjatë mandatit të parë të Trumpit është lidhur një marrëveshje e dëmshme për Kosovën.
“Nuk ka rëndësi kush fiton, marrë parasysh drejtimet, karrierën e profesionet e tyre, zonja Harris për shembull, ajo ka një karrierë të suksesshme në mbrojtjen e ligjit, pra sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ndërsa në anën tjetër kemi një kandidat atipik, i pazakonshëm, do të thosha unë jostabil në kuptimin e qëndrimeve por edhe radikal në ato qëndrimet e tij në politika të shpejta ku mund të ketë ndikim në gjithë botën por edhe në Kosovë”, ka deklaruar Baraliu.
Më e rezervuar u shpreh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Ajo theksoi se kosovarët janë populli më proamerikan në botë dhe se mbështetja e Amerikës është përtej partive.
“Prandaj, duke kryer detyra e shtëpisë në Kosovë, duke i quar përpara reformat, agjendën e reformave, duke e vendosur sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar, atëherë miqësia dhe partneriteti me Amerikën kështu forcohet, nuk forcohet me fjalë, nuk forcohet me deklarata, por forcohet me punë konkrete”, është shprehur tutje Gërvalla.
E nga një matje e opinionit e bërë nga Gallup del se shumica e qytetarëve në shtetet evropiane mbështesin kandidaten demokrate.
E kandidati republikan ka dalë më i preferuar në Serbi, Hungari e Bullgari e disa vende në lindje të Evropës.
Donald Trump: Rikthimi i pazakontë
Në verën e vitit 1946, në Queens të Nju-Jorkut, u lind Donald Trump, tash kandidati republikan për t’u rikthyer si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një larmi e profesioneve të ndryshme e ka përcjellë që nga fëmijëria e deri te mosha 78-vjeçare.
Puna e parë që do t’i krijonte një jetë fitimprurëse ishte në vitin 1968. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Pensilvanisë iu bashkua kompanisë së babait të tij që merrej me pasuri të paluajtshme.
Në vitet 1970-80, Trump zgjeroi biznesin duke blerë prona jashtë qytetit të Nju-Jorkut dhe duke ndërtuar kompleksin e apartamenteve 36-katëshe të quajtur “Trump Plaza”.
Përveç profilit afarist, Trumpi u sfidua gjatë jetës edhe në të tjera fusha.
Ai njihet edhe si autor i disa librave e po ashtu ishte edhe pjesë e ekranit televiziv. Për 11 vjet rresht ai drejtoi dhe prodhoi shfaqjen e njohur televizive “The Apprentice”.
Prej vitit 1996 deri më 2015 ishte drejtor i konkurseve të bukurisë “Miss USA”, “Miss Teen USA” dhe “Miss Universe”.
E derisa organizonte gara të bukurisë, Trumpi i hyri një gare edhe më sfiduese – asaj të politikës.
Më 16 qershor 2015, ai shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, derisa pranoi nominimin republikan në korrik të 2016-s.
Me këtë konkurs, Trumpi u tregua pishman për një deklarim të tij të vitit 1980. Në një intervistë atëkohë, ai e përshkruante politikën si një jetë shumë të keqe dhe thoshte se njerëzit e aftë zgjedhin botën e biznesit në vend të politikës.
Më 8 nëntor të vitit 2016, Trumpi u zgjodh presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke fituar garën ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton.
Zgjedhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë solli drama të shumta për demokracinë amerikane.
Por, një mandat 4-vjeçar nuk i mjaftoi Trumpit, ambiciet e të cilit u shtuan në politikë duke synuar edhe një mandat tjetër.
Pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar si president, në verën e 2020-ës, Trumpi rishpalli kandidaturën dhe do ta sfidonte Joe Bidenin, kandidatin e demokratëve që arriti ta fitonte garën ndaj Trumpit.
Por rezultati i atyre zgjedhjeve nuk ishte kapërdirë lehtë nga republikani, që insistonte se zgjedhjet janë vjedhur dhe e kontestonte rezultatin.
Trumpi kështu bëri thirrje për protesta në mënyrë që të pengohej certifikimi i Bidenit gjatë seancës së Kongresit.
Si pasojë e tyre më 6 janar 2021, Capitoli u sulmua nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. Katër persona mbetën të vdekur, ndërsa mbi 50 persona ishin arrestuar.
E 2 vjet pas, më 2 gusht 2023, ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara ishte ngritur aktakuzë për komplot për mohim të disfatës elektorale të vitit 2020.
Kjo s’është përballja e vetme e Trumpit me drejtësinë. Më 30 maj 2024, ai u bë presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale. Ish-presidenti u shpall fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesorë për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
E, përkundër telasheve me sistemin e drejtësisë, Partia Republikane ia ka besuar postin e kandidatit për president sërish në garën e 5 nëntorit.
Trumpi e nisi garën me Bidenin, por pasi e mposhti në debat ai u tërhoq dhe tani ish-presidenti përballet me zëvendëspresidenten aktuale, Kamala Harris.
Kamala Harris: Nga drejtësia e politika, drejt historisë
“Zambak uji” është kuptimi i emrit të Kamala Harrisit që po synon të bëhet gruaja e parë që merr postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Harris, e njohur si bijë emigrantësh, u lind në Oakland të Kalifornisë më 20 tetor të vitit 1964.
E rritur në një mjedis ku nëna i ishte përkushtuar shëndetësisë, ndërsa babai ekonomisë, 60-vjeçarja iu përkushtua fushës së drejtësisë.
Më 1982, ajo u regjistrua në Universitetin e Howardit, një universitet historikisht i dominuar nga amerikanët me ngjyrë, në zemër të Uashingtonit, ku diplomoi në drejtimin e shkencave politike.
Pas diplomimit, Harris u kthye në Kaliforni dhe ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e California Hastings. Harrisi punoi për tri dekada si prokurore në Oakland, para se më 2004 të zgjidhej kryeprokurore e qarkut të San Franciskos, detyrë kjo në të cilën shërbeu deri më 2011.
Më 2011, Harris u bë amerikania e parë me ngjyrë që do të zgjidhej prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Derisa mbajti këtë post ajo u përqendrua mbi çështje të ndryshme, si reforma në drejtësinë penale, krizën e hipotekave, mbrojtjen e mjedisit, dhe barazinë gjinore.
Kandidatja amerikane për presidente tërhoqi vëmendjen kombëtare sa ishte kryeprokurore, kur mbajti fjalim në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në Karolinën e Veriut, më 5 shtator 2012. Zgjedhja si folëse vuri në pah rritjen e ndikimit brenda partisë dhe potencialin si udhëheqëse e ardhshme.
Por kapërcimin e vërtetë jetësor drejt politikës Harris e bëri në vitin 2015, kur lansoi fushatën për t’u zgjedhur senatore, duke synuar ta zëvendësonte senatoren e kahershme të Kalifornisë, Barbara Boxer.
Fushata e saj u mbështet nga ish-presidenti Barack Obama dhe zëvendëspresidenti i atëhershëm, Joe Biden, duke bërë që në zgjedhjet e 2016-s Harris të zgjidhet senatorja e parë me ngjyrë nga shteti i Kalifornisë.
Në zgjedhjet e 2020-s, kandidati i Partisë Demokratike për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, zgjodhi Kamala Harrisin për të qenë krahu i tij i djathë e për të udhëhequr postin e zëvendëspresidentes.
Më 20 janar 2021, Harris bëri një hap gjigant në politikë. Harris u betua si zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara. Ajo u bë gruaja e parë, si gruaja e parë me ngjyrë dhe si gruaja e parë jugaziatike të arrinte këtë majë të politikës amerikane.
Derisa po kryente detyrën si zëvendëspresidente, Harrisin po e priste një detyrë shtesë.
Dy partitë rivale amerikane po bëheshin gati për zgjedhjet e reja presidenciale të këtij viti. Demokratët e zgjodhën për kandidat presidentin aktual, Joe Biden, por në fushatë e sipër, për shkak të arsyeve shëndetësore, Biden u tërhoq nga gara, kështu kongresi i partisë pastaj zgjodhi Harrisin kandidate për presidente.
Më 23 gusht Harris pranoi kandidaturën për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo do ta sfidojë ish-presidentin Donald Trump, me të cilën ka pasur një sërë divergjencash e përplasjesh gjatë fushatës zgjedhore.
Nëse Harris fiton, ajo do të lërë shenja të thella në historinë moderne të politikës amerikane, pasi do të jetë gruaja e parë me ngjyrë që ka shërbyer si kryeprokurore e Kalifornisë, si gruaja e parë jugaziatike që është zgjedhur zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara, si dhe gruaja e parë që do të marrë postin më të lartë të demokracisë më të fuqishme në botë.
Premtimet kryesore të Harrisit dhe të Trumpit
Votuesit amerikanë do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy profileve të ndryshme për president, midis zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.
Inflacioni
Kandidatja demokrate Harris ka thënë se prioriteti i ditës së parë do të ishte përpjekja për të reduktuar kostot e ushqimit dhe të strehimit për familjet që punojnë.
Ajo ka premtuar ndalimin e rritjes së çmimeve për gjërat ushqimore, të ndihmojë ata që blenë shtëpi për herë të parë dhe të rrisë pagën minimale.
Inflacioni u rrit nën presidencën Biden, siç ndodhi në shumë vende perëndimore, pjesërisht për shkak të periudhës pas COVID-19 dhe luftës në Ukrainë. Që atëherë, inflacioni ka filluar të bjerë.
Trumpi ka premtuar “t'i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën përsëri të përballueshme”.
Ai ka premtuar norma më të ulëta interesi, pavarësisht se ato nuk kontrollohen nga presidenti.
Ekonomistët kanë paralajmëruar se zotimi i tij për të vendosur taksa më të larta mbi importet mund të rrisë çmimet.
Taksat
Harris dëshiron t’i rrisë taksat për bizneset e mëdha dhe për amerikanët që fitojnë 400 mijë dollarë në vit.
Por ajo ka zbuluar gjithashtu një sërë masash që do të lehtësonin barrën tatimore për familjet.
Trumpi ndërkohë ka propozuar të ulë taksat, si në vitin 2017, të cilat më së shumti i ndihmuan të pasurit.
Kandidati republikan planifikon që uljen e taksave ta shpaguajë me rritjen e tarifave për importet.
Ekspertët kanë thënë se planet e të dy presidentëve për taksat do ta shtonin deficitin në rritje, por i Trumpit më shumë.
Aborti
Harris i ka kthyer të drejtat e abortit në qendër të fushatës. Ajo vazhdon të mbrojë legjislacionin që do të garantonte të drejtën e abortit në të gjithë vendin.
Trump ndërkohë nuk ka pasur mesazh të qëndrueshëm për abortin.
Tre gjyqtarët që ai emëroi në Gjykatën e Lartë sa ishte president ishin vendimtarë në vitin 2022 për përmbysjen e së drejtës kushtetuese për abort, një vendim i vitit 1973 i njohur si “Roe v Wade”.
Migracioni
Harris u përball me krizën kufitare në vitin 2023 – kur numër rekord i njerëzve kaluan nga Meksika në SHBA. Që atëherë, shifrat kanë rënë në nivelin më të ulët të katër vjetëve të fundit.
Në këtë fushatë ajo ka ashpërsuar qëndrimin dhe ka theksuar përvojën e saj si prokurore në Kaliforni për përballjen me trafikuesit e qenieve njerëzore.
Trump është zotuar ta mbyllë kufirin dhe ta ndërtojë një mur të lartë.
Ai ka premtuar gjithashtu dëbimin më të madh ndonjëherë të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së. Ekspertët kanë thënë se nëse ndodh, kjo do të përballet me sfida ligjore.
Politika e jashtme
Harris është zotuar ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Ajo është zotuar, nëse zgjidhet, të sigurojë që SHBA-ja dhe jo Kina të fitojë “garën e shekullit XXI”.
Ajo ka qenë avokuese për një kohë të gjatë për zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe ka bërë thirrje për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Trump ka politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA-ja të shkëputet nga konfliktet nëpër botë.
Ai ka thënë se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë në 24 orë përmes një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë, një veprim që demokratët thonë se do të trimëronte Vladimir Putinin.
Trump e ka pozicionuar veten si mbështetës i palëkundur i Izraelit, por ka folur pak për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Tregtia
Harris ka kritikuar planin e Trumpit për të vendosur tarifa mbi importet, duke e quajtur “taksë kombëtare për familjet që punojnë”, e cila do t'i kushtojë çdo familjeje 4 mijë dollarë në vit.
Ajo pritet të ketë qasje më të butë për taksimin e importeve, duke ruajtur tarifat që administrata Biden-Harris vendosi për disa importe kineze si automjetet elektrike.
Trump i ka vendosur tarifat për importet si premtim kryesor në këtë fushatë. Ai ka propozuar tarifa të reja 10-20 për qind për shumicën e mallrave të huaja dhe shumë më të larta për ato nga Kina.
Ai ka premtuar se do t’i nxisë kompanitë të qëndrojnë në SHBA për të prodhuar mallra, duke iu dhënë normë më të ulët të taksës së korporatës.
Kujdesi shëndetësor
Harris ka qenë pjesë e një administrate të Shtëpisë së Bardhë, e cila ka ulur kostot e barnave me recetë dhe ka kufizuar çmimet e insulinës në 35 dollarë.
Trump, i cili shpesh është zotuar ta ndryshojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, ka thënë se nëse zgjidhet vetëm do ta përmirësonte atë, pa ofruar specifika. Akti ka qenë i dobishëm për sigurimin shëndetësor për miliona amerikanë.
Rendi dhe ligji
Harris është përpjekur të krahasojë përvojën si prokurore me faktin se Trumpi është dënuar për një krim.
Trump është zotuar të shkatërrojë kartelet e drogës, ta shtypë dhunën e bandave dhe të rindërtojë qytetet e drejtuara nga demokratët, që thotë se janë të pushtuara nga krimi.
Armët
Harris ka premtuar politika më të ashpra për zgjerimin e kontrollit ose ndalimin e armëve – të cilat do të kenë nevojë për ndihmën e Kongresit.
Trump e ka pozicionuar veten si mbrojtës i palëkundur i Amendamentit të Dytë, të drejtës kushtetuese për të mbajtur armë. Duke iu drejtuar Shoqatës Kombëtare të Pushkës në maj, ai u shpreh se ishte miku i tyre më i mirë.
Marihuana
Harris ka bërë thirrje për dekriminalizimin e marihuanës për përdorim rekreativ. Ajo thotë se shumë njerëz janë dërguar në burg për posedim të vogël të marihuanës dhe flet për numra joproporcionalë të arrestimeve për burrat me ngjyrë dhe ata latinë.
Trump e ka zbutur qasjen dhe ka thënë se është koha për t’iu dhënë fund “arrestimeve dhe burgosjeve të panevojshme” të të rriturve për sasi të vogla të marihuanës për përdorim personal.











