Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Elon Musk voton në Teksas
Biznesmeni Elon Musk ka votuar tashmë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Musk, i cili është mbështetësi më i shquar i republikanit Donald Trump, ka hedhur votën e tij në Teksas, raportoi “The Guardian”.
“Sapo votova në Cameron County, Teksas, shtëpia e Starbase”, ka shkruar në platformën “X”, drejtori ekzekutiv i SpaceX dhe Teslas.
Starbase është selia e SpaceX-it , e vendosur afër Haëthorne, Teksas, një qytet rural në veri të Hustonit.
“New York Times” ka raportuar se Musk do ta kalojë mbrëmjen e zgjedhjeve me Trumpin në Mar-a-Lago.
Bordi zgjedhor i Karolinës së Veriut zgjat votimin në dy zona
Bordi i zgjedhjeve i Karolinës së Veriut ka mbajtur një mbledhje emergjente dhe ka aprovuar një orë e gjysmë shtesë për të votuar, në dy zona që thuhet se ishin përkohësisht të padisponueshme për votuesit herët të martën, për shkak të problemeve teknike, raporton "CNN".
Dy zonat e ndryshme – një në qarkun Burke në rajonin perëndimor të shtetit dhe një në qarkun Wilson, në lindje të Raleigh – tani do të mbyllen në orën 8 pasdite në orën lokale.
Zëdhënësi i bordit zgjedhor të shtetit, Patrick Gannon, tha se vendvotimi në qarkun Wilson kishte disa “probleme me printerin që bëri që votuesit të mos ishin në gjendje të votonin për një orë apo më shumë”.
Një problem me një laptop në qarkun Burke ka kontribuar në vonesë në vendvotim të martën në mëngjes, ka thënë Kenny Rhyne, drejtori i zgjedhjeve lokale.
Harris u bën thirrje qytetarëve që të votojnë
Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, ka qëndruar në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat në Washington nga ku ka falënderuar ata që e kanë mbështetur fushatën e saj.
Ajo ka folur me disa qytetarë në telefon dhe i ka inkurajuar që të dalin për të votuar.
“Vetëm desha të kontrolloja dhe të sigurohesha se e dini ku mund të votoni sot nëse ende nuk keni votuar”, i ka thënë ajo njërit prej telefonuesve në seli.
Një qytetari tjetër është dëgjuar t’i thotë që “t’ia rikujtojmë njëri-tjetrit fuqinë e zërit, votës, sepse këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme”.
15 shtete kanë mobilizuar personelin e Gardës Kombëtare për ditën e zgjedhjeve
Më shumë se 250 personel të Gardës Kombëtare po ofrojnë mbështetje për ditën e zgjedhjeve në 15 shtete, ka thënë një zëdhënës për CNN të martën.
Sipas zëdhënësit, personeli është mobilizuar në shtetet e mëposhtme: Alabama, Arizona, Delaware, Hawaii, Illinois, Iowa, New Mexico, Karolina Veriore, Oregon, Pensilvani, Tennessee, Texas, Washington, Wisconsin dhe West Virginia.
Më pak se gjysma e trupave po ndihmojnë me misionet e sigurisë kibernetike, ka thënë zëdhënësi në një deklaratë. Pjesa tjetër po ofrojnë mbështetje bazuar në kërkesat lokale.
Përveç kësaj, Byroja e Gardës Kombëtare ka thënë se rreth 85 anëtarë janë në gatishmëri në Kolorado, Washington, DC, Florida dhe Nevada.
Gjatë fundjavës, përpara trazirave të mundshme civile për shkak të zgjedhjeve presidenciale, Garda Kombëtare ka thënë se ishte në gatishmëri si masë paraprake në disa shtete, duke përfshirë Washingtonin dhe Oregon, ku qindra fletë votimi u dëmtuan ose u shkatërruan.
FBI: Kërcënimet me bombë në disa vendvotime duket se kanë origjinë nga Rusia
FBI-ja ka thënë të martën se kërcënimet me bomba në disa vendvotime në shtete të ndryshme të SHBA-së duket se e kanë origjinë nga emaila me domene ruse.
FBI-ja ka thënë se nuk është përcaktuar se ishin kërcënime të besueshme.
“FBI është në dijeni për kërcënime me bombë në vendvotime në disa shtete, shumë prej të cilave kanë origjinën nga emaila me domene ruse. Asnjë nga kërcënimet nuk është përcaktuar të jetë i besueshëm deri më tash”, ka thënë në deklaratë FBI-ja, raporton “CNN”.
FBI-ja arreston dy persona në Michigan për kërcënime zgjedhore
Agjentët e FBI-së kanë arrestuar dy persona në Michigan për kërcënime të lidhura me zgjedhjet, sipas The Detroit News.
Media me bazë në Michigan thotë se një i dyshuar ishte i lidhur me një komplot vrasjeje që synonte Donald Trumpin, raporton BBC.
Burri me emrin Isaac Sissel, dyshohet se postoi në Reddit me emrin e përdoruesit "ShootUpTrumpRally" dhe që atëherë u ka thënë hetuesve se beson se "çdo gjë do të ishte më mirë nëse Trumpi do të kishte vdekur".
Në çështjen e dytë penale të zbardhur të martën, Christopher Clay Pierce, 46 vjeç, akuzohet për kërcënime kundër një komiteti të veprimit politik të paidentifikuar (PAC) të lidhur me demokratët gjatë dy vjetëve të fundit.
Pierce thuhet se ishte paralajmëruar më parë nga FBI-ja se ai mund të akuzohej për një krim nëse vazhdonte të postonte kërcënime në internet, por vazhdonte të ngacmonte grupin e lidhur me demokratët.
Kosovës i kërkohet ta shtyjë para bashkëpunimin me SHBA-në pavarësisht fituesit
Cilido krah politik që merr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë për katër vjetët e ardhshëm do t’i mirëmbajë raportet strategjike me Kosovën, ka thënë presidentja Vjosa Osmani të martën, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.
Sipas saj, bashkëpunimi i dëshmuar SHBA-Kosovë do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve presidenciale, ku kandidatë janë republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris.
“Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje mbi partizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjidhet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë do të jetë edhe pas kësaj date”, ka thënë Osmani.
Por gjatë katër vjetëve të Administratës Biden, e ku Harris është nënpresidente, ka munguar bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, vlerësoi hulumtuesi i politikës së jashtme në “Demokraci Plus”, Artan Abrashi.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme që Kosova ta shtrijë bashkëpunimin me cilindo prej kandidatëve që i fiton zgjedhjet.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne të mos e kushtëzojmë bashkëpunimin tonë dhe lidhjen tonë me SHBA në bazë të individit, por duhet të bashkëpunojmë përtej linjave partiake. Presidenti Biden ka pasur një lidhje emocionale me Kosovën por qeveria Kurti nuk ka ditur ta shfrytëzojë atë. Prandaj pak rëndësi ka personi që fiton zgjedhjet, me rëndësi është që ne te kemi një strategji të qartë se si do t’i qasemi administratës së re amerikane”, ka thënë Abrashi.
Ai ka përmendur arritjen e marrëveshjes së Uashingtonit nga Qeveria Hoti, momentum të cilin thotë se nuk e ka shfrytëzuar Kurti nën udhëheqjen e Bidenit. Nën drejtimin e Trumpit, Abrashi shprehet se mund të ketë sërish lëvizje të tilla në dialogun Kosovë-Serbi.
“Në mes të dy kandidatëve qoftë demokratë apo republikanë ne kemi parasysh që në fund të mandatit të presidentit Trump ka pasur një tentativë që t’i qojë proceset përpara. Prandaj ka mundësi që në se z.Trump rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, çështja e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë të shtyhet deri në fund”, ka shtuar ai.
E në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-amerikane shohin përparësi e mangësi në lidhje me Kosovën te dy nga kandidatët.
Anëtari i Bordit të kësaj Lidhjeje, Agim Aliqkaj, ka vlerësuar se bashkëpunimi me Harrisin do të mund të ishte më i lehtë për shqiptarët e Kosovës, ndonëse thotë se s’ka parë përparim sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi gjatë qeverisjes së Bidenit.
“Nëse fiton zonja Harris ne mendojmë se do të jetë më lehtë të punohet me të edhe pse administrata Biden nuk ka bërë për Kosovën dhe për çështjen e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë sa duhet. Për arsye se ia ka lënë çështjen Evropës që ka qenë gabim shumë i madh sepse Evropa kurrë nuk mund ta zgjidhë këtë çështje kaq kapitale”, ka thënë ai.
Mirëpo, ai shpreh drojë por edhe shpresë me fitoren e mundshme të Donald Trump.
“Sa i përket administratës Trump, është pak më e rrezikshme për arsye se megjithatë veprimet e tij janë më të shpejta nganjëherë të pa parapara domethënë frikësohem se presidenti Trump është pak i paparashikueshëm dhe mund të shkojë edhe keq edhe mirë. Megjithatë unë mendoj se në anën strategjike, Amerika kurrë nuk do të qojë dorë prej Kosovës”, ka deklaruar ai.
Nga këto votime do të nxirret fitues presidenti i 47-të i SHBA-së.
Optimizëm në Gjorgjia se fituesi në këtë shtet do të dihet natën e zgjedhjeve
Sekretari i Shtetit të Gjorgjias, Brad Raffensperger është optimist se një fitues i Gjorgjias do të parashikohet në natën e zgjedhjeve.
Me më shumë se 4 milionë vota të hershme të hedhura tashmë dhe fletëvotimet e pranuara me postë, të gjitha ato duhet të ngarkohen dhe regjistrohen jo më vonë se një orë pas mbylljes së votimit, sipas Raffensperger.
Shumica e qendrave të votimit do të mbyllen në orën 19:00 deri në orën 20:00.
"Ju do të keni ndoshta 99% të gjithë kësaj, kështu që do të keni një ide të mirë se si duket gara”, ka thënë ai.
Shumë nga qarqet më të vogla të Gjorgjias po përpiqen të përfundojnë deri në orën 22:00 ose 22:30 më së voni.
Luiziana përballet me kërcënim nga një stuhi teksa zhvillohen votimet
Disa pjesë të Luizianës përballen me kërcënimin e stuhive të forta ndërsa votuesit shkojnë drejt qendrave të votimit.
Qendra e Parashikimit të Stuhive të CNN-it ka përmirësuar pjesë të shtetit në nivelin 2 nga kërcënimi 5 për mot të ashpër.
Të paktën një tornado është vërejtur pranë Lafayette dhe rritja e ajrit të ngrohtë dhe të lagësht mund të krijojë stuhi më kërcënuese.
Gjykata zgjat orët e votimit në një qark të Pensilvanisë pas një mosfunksionimi të softuerit
Një gjykatë e Pensilvanisë pranoi kërkesën e zyrtarëve zgjedhorë të qarkut Cambria që orët e votimit të zgjateshin deri në orën 22:00 sipas kohës lokale, pasi një mosfunksionim i softuerit ndërpreu skanimin e fletëvotimeve.
Fletët e votimit të hedhura pas orës 20:00 sipas kohës lokale, do të jenë fletë votimi provizore, thuhet në urdhrin e gjykatës, raporton CNN.
"Bordi Zgjedhor i Qarkut Cambria mësoi herët këtë mëngjes se një mosfunksionim i softuerit në Sistemin elektronik të votimit të qarkut i ka penguar votuesit të skanojnë fletëvotimet e tyre. Kjo nuk duhet t'i dekurajojë votuesit që të votojnë në zonat e tyre të votimit”, ka thënë zyra e Komisionerëve të Qarkut në një deklaratë të martën.
Në deklaratë theksohej se “do të numërohen të gjitha votat” dhe se banorët duhet të vazhdojnë të votojnë. Qarku Cambria është rreth 70 milje në lindje të Pittsburgut.
Trumpi voton, ndihet "shumë optimist"
Ish-presidenti Donald Trump ka hedhur votën e tij në Florida.
Kandidati republikan për president ka arritur në qendrën e votimit në Palm Beach me bashkëshorten, Melania Trump.
Trump ka folur pasi ka votuar. Ai është pyetur për mundësinë që as ai e as Kamala Harris të mos arrijnë 270 votat elektorale deri në fund.
“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se ndihet “shumë optimist”.
“Dëgjoj se po ia dalim shumë mirë”.
Trumpi ka shtuar se rezultati mes dy kandidatëve as që “do të jetë i afërt”, por se do të marrë kohë për t’u certifikuar.
Trump ka deklaruar se nuk beson se i duhet t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë dhe se ata duhet të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve nëse ai humb.
“Nuk kam pse ua them këtë”, ka thënë ai kur u pyet nëse do t’u thotë mbështetësve të tij se nuk duhet të ketë dhunë.
“Por, a do t’u thoshit?” u pyet ai.
“Nuk kam pse u them atyre se nuk do të ketë dhunë. Sigurisht se nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nuk kam pse ua them. Dhe sigurisht se nuk dua dhunë, por qartazi nuk kam pse ua them. Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë njerëz që nuk besojnë në dhunë. Ndryshe nga pyetja juaj. Ju besoni në dhunë”, ka theksuar Trump.
Hapen qendrat e votimit në Alaska dhe Washington
Qendrat e votimit në Alaska dhe Washington janë hapur sapo ora ka shënuar 7 e mëngjesit atje.
Janë tri vota nga Kolegji Elektoral që duhen të merren në Alaska dhe 12 në Washington.
Hawaii do të jetë shteti i fundit amerikan që hap qendrat e votimit.
Agjencia për Siguri Kibernetike thotë se s’ka incidente të mëdha që prekin infrastrukturën zgjedhore
Agjencia amerikane për siguri kibernetike ka thënë se nuk ka incidente të mëdha që ndikojnë në infrastrukturën e zgjedhjeve në SHBA, raporton “CNN”.
Moti ekstrem dhe “ndërprerje e përkohshme e infrastrukturës” janë raportuar në pjesë të SHBA-së, ndërsa votuesit po i drejtohen qendrave të votimit për ta zgjedhur presidentin.
“Nuk ka ndonjë incident të madh në nivel kombëtar që ndikon në sigurinë e infrastrukturës sonë zgjedhore. Ne jemi duke gjurmuar raste të motit ekstrem dhe ndërprerje tjera të përkohshme në infrastrukturë në zona të caktuara, por këto janë kryesisht ngjarje të pritshme”, ka thënë Cait Conley, këshilltarja e lartë në Agjencinë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën e Sigurisë.
Ajo s’ka treguar se në cilat zona kanë ndodhur “ndërprerjet” e vogla.
Harris thotë se do të drekojë me familjen para natës së zgjedhjeve
Kandidatja demokrate për presidente e SHBA-së, Kamala Harris, do të marrë pjesë në darkën familjare – të cilën e quajti traditë – para se të kalojë ditën duke mobilizuar votuesit përmes intervistave.
Ajo ka thënë se pasi të mbyllen qendrat e votimit, do të jetë në gjirin familjar.
“Kam një traditë të ngrënit darkë me familjen time dhe kështu do bëjmë. Kam familjarë që qëndrojnë me ne. E gjatë tërë ditës do të jem duke folur me njerëzit dhe duke ua rikujtuar që të dalin të votojnë”, ka thënë Harris.
Harris ka inkurajuar votuesit në Pittsburgh që t’u drejtohen qendrave të votimit.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mbajnë në mend se në demokracinë tonë, njerëzit vendosin dhe vota juaj është fuqia juaj”
Zgjatet koha e votimit në një qark në Pensilvani për shkak të problemit me softuer
Koha e votimit është zgjatur në Cambria County, në Pennsylvani, pasi një "mosfunksionim i softuerit" pengoi aftësinë e votuesve për të skanuar fletët e votimit, ka bërë të ditur të martën Zyra e Komisionerëve të Qarkut.
Zyrtarët zgjedhorë në qark këmbëngulin se mosfunksionimi "nuk duhet të dekurajojë votuesit që të votojnë në qendrat e tyre të votimit”, raporton CNN.
"Bordi Zgjedhor i Qarkut Cambria mësoi herët këtë mëngjes se një mosfunksionim i softuerit në sistemin elektronik të votimit të Qarkut, i ka penguar votuesit të skanojnë fletëvotimet e tyre”, është thënë në një deklaratë nga Zyra e Komisionerëve të Qarkut.
"Bordi ka paraqitur një urdhër gjykate për zgjatjen e kohës për të votuar brenda Qarkut Cambria. Askush nuk duhet të largohet nga qendrat e votimit nëse dëshiron të japë votën e tij. Bordi i Zgjedhjeve i Qarkut Cambria mori masa për të thirrur specialistë të IT-së për të shqyrtuar çështjen e softuerit. Të gjitha fletët e votimit të kompletuara do të pranohen, sigurohen dhe numërohen nga Bordi i Zgjedhjeve”, thuhet më tej në deklaratë.
Voton kandidati republikan për zëvendëspresident
Kandidati republikan për zëvendëspresident, JD Vance, ka votuar në Ohio të martën, në qendrën e votimit në Cincinnati.
Ai u shfaq me humorr të mirë teksa mbërriti në qendër të votimit me bashkëshorten e tij, Usha dhe fëmijët e tij.
Pasi votoi, Vance ka deklaruar se zgjedhjet amerikane janë një nga traditat më të mëdha në demokracinë amerikane.
“Ndihem mirë, nuk e di kurrë derisa ta dish, por ndihem mirë për këtë garë...Shpresojmë që të shkojë po aq mirë për mua dhe presidentin Trump”, ka deklaruar ai.
Shumica e shteteve nisin votimin
Shumica e shteteve tashmë kanë nisur procesin e votimit.
Arizona, Iowa, Oklahoma, Teksasi, Kolorado, Wisconsin, Tennessee, Nebraska, Arkansasi, New Mexico, Utah, Mississippi, Minnesota, Montana, Dakota e Veriut dhe e Jugut.
Alabama, Delawere, Florida, Georgia, New Hampshire, Illinois, Indiana, Kansas, Louisiana, Maryland, Massachusetts, Michigan, Missouri, Pensilvania, Rhode Island dhe Wyoming kishin nisur më herët.
Për pak do të nisin edhe pak shtete që kanë mbetur.
Si duket fletëvotimi në SHBA
Amerikanët të martën po votojnë për president të ardhshëm, por fletëvotimi ka një pamje më ndryshe nga fletëvotimet e vendeve të tjera.
Fletëvotimi i bardhë i përmban edhe dy ose tri faqe të tjera, që pos kandidatëve për presidentë përfshijnë edhe garën për Dhomën e Përfaqësuesve dhe të Senatit.

BBC-ja ka raportuar se në fletëvotim radhiten edhe iniciativa dhe propozime lokale, të tilla si financimi dhe shërbimet komunitare. Që fletëvotimi të jetë i vlefshëm, qytetari amerikan duhet të zgjedh në rubrikë me shenjën (*) ose (X).
Tashmë disa shtete i kanë hapur vendet e votimit.
Osmani: Kosova e ka përkrahjen e të gjitha partive amerikane
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.
Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.
“Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen e jashtëzakonshme amerikane të të gjitha partive. Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje mbi partizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjedhjet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë do të jetë edhe pas kësaj date”, “, ka thwnw Osmani tw martën, raportoi KSP.
Amerikanët janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar. Shtetet e papërcaktuara Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, janë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të 47-të të shtetit më të fuqishëm në botë.
Sondazhet paraqesin rezultate aq të ngushta sa që gara po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë.
Amerikanëve iu bëhet thirrje të mos mashtrohen nga teoritë konspirative
Zyrtarët e procesit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu kanë bërë thirrje votuesve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe e teorive konspirative.
CNN ka raportuar se zyrtarët janë zotuar ta ruajnë integritetin e votës, derisa kanë bërë thirrje për kujdes.
“Këtu në Gjeorgji është lehtë të votosh dhe është vështirë të mashtrosh. Sistemet tona janë të sigurta dhe njerëzit janë gati”, ka thënë sekretari i Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Rafensperger.
Republikanët kanë thënë se procesi zgjedhor është prekur, duke pretenduar se në një pjesë të votimit ka pasur mashtrime.