Botë

Soledari dhe Bakhmuti, qytete me miniera kripe që po “mbushen me rusë të vrarë”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se trupat e tij po përballen me sulme të reja dhe ende më të ashpra në qytetin Soledar, që është kthyer në një djerrinë, të mbushur me trupa të vrarë rusë, raportoi Kyivpost të martën.

Sipas Zelenskyt, ushtria ukrainase ka shënuar sukses në këtë zonë të luftimeve, duke krijuar kohë shtesë për trupat e tij ndaj agresionit rus.

Por, luftimet kanë shkaktuar edhe humbje të mëdha të forcave ukrainase dhe zyrtarët ushtarakë kanë pranuar se ushtarët rusë kanë shënuar arritje në disa zona.

Soledari është qytet minierash kripe që ndodhet në rajonin e Donetskut, rreth 15 kilometra nga Bakhmuti, ku aktualisht është kryeqendra e gjithë luftës.

Sipas mediumit ukrainas, forcat ruse nuk e kontrollojnë plotësisht Soledarin, por kanë shënuar avancim të dukshëm në disa zona të caktuara. Forcat ruse thanë të hënën se Soledari është pushtuar totalisht nga ta.

Bakhmuti dhe Soledari janë qëllime edhe të Yevgeny Prigozhinit, themelues i grupit mercenar “Wagner”, që ka deklaruar se luftimet po ndërmerren “ekskluzivisht” nga njësitë e grupit.

Sipas Prigozhinit, në Soledar po zhvillohen “beteja të përgjakshme” për kontrollin e qytetit.

“Le të jemi të sinqertë me veten: ushtria ukrainas po lufton me guxim për Bakhmutin dhe Soledarin. Raportet për dezertimin e tyre nuk janë të vërteta. Forcat e Armatosura të Ukrainës po i mbrojnë me nder territoret”, deklaroi Prigozhin.

Sipas KyivPost, shefi i mercenarëve dëshiron t’i pushtojë këto dy qytete për shkak të mundësisë strategjike për minierat e kripës.

“Qershi mbi torte është sistemi i minierave Soledar dhe Bakhmut, që në vakt është rrjet qytetesh nëntokësore. Ato jo vetëm që kanë mundësinë të mbajnë një grup të madh njerëzish, në një thellësi prej 100 metrash, por edhe tanket dhe mjetet luftarake mund të lëvizin”, shtoi Prigozhin.

Ai po pretendon se Bakhmuti dhe Soledari posedojnë rezerva të mëdha armësh nga Lufta e Parë Botërore.