Marrëveshja e fundit e mbetur për kontrollin e armëve bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka skaduar të enjten, duke hequr çdo kufizim mbi dy arsenalet atomike më të mëdha në botë, për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli.
Përfundimi i Traktatit New START mund të hapë rrugën për atë që shumëkush druhet se mund të jetë një garë e pakufizuar e armatimeve bërthamore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar ka shprehur gatishmërinë për t’iu përmbajtur kufijve të traktatit edhe për një vit tjetër, nëse Uashingtoni bën të njëjtën gjë, por presidenti amerikan Donald Trump, ka qenë i paqartë në këtë drejtim.
Putini e ka diskutuar skadimin e marrëveshjes me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, të mërkurën, ka bërë të ditur këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov, duke vënë në dukje se Uashingtoni nuk i është përgjigjur propozimit të tij për zgjatje.
Rusia “do të veprojë në mënyrë të balancuar dhe të përgjegjshme, bazuar në një analizë të thelluar të situatës së sigurisë”, ka thënë Ushakov.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka deklaruar të mërkurën në mbrëmje se “në rrethanat aktuale, supozojmë se palët e Traktatit New START nuk janë më të lidhura nga asnjë detyrim apo deklaratë simetrike në kuadër të traktatit, përfshirë dispozitat e tij thelbësore, dhe janë në thelb të lira të zgjedhin hapat e tyre të mëtejshëm”.
New START, i nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm Barack Obama dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev, kufizonte secilën palë në jo më shumë se 1.550 koka bërthamore dhe jo më shumë se 700 raketa dhe bombardues, të dislokuara dhe gati për përdorim. Fillimisht ishte parashikuar të skadonte në vitin 2021, por u zgjat për edhe për pesë vjet.
Marrëveshja parashikonte inspektime në terren për të verifikuar zbatimin, megjithëse ato u ndërprenë në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19 dhe nuk rifilluan kurrë.
Në shkurt të vitit 2023, Putini pezulloi pjesëmarrjen e Moskës, duke thënë se Rusia nuk mund të lejonte inspektime amerikane të objekteve të saj bërthamore në një kohë kur Uashingtoni dhe aleatët e tij në NATO kishin shpallur hapur se synimi i tyre ishte humbja e Moskës në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, Kremlini pati theksuar se nuk po tërhiqej plotësisht nga marrëveshja teksa ishte zotuar të respektonte kufijtë e saj për armët bërthamore.
Ndërkohë, teksa po ofronte në shtator respektimin e kufizimeve të parapara në NEW START edhe për një vit, për të fituar kohë që të dyja palët të negociojnë një marrëveshje pasardhëse, Putini ka thënë se skadimi i paktit do të ishte destabilizues dhe mund të nxiste përhapjen bërthamore.
New START pasoi një sërë të gjatë paktesh SHBA-Rusi për reduktimin e armëve bërthamore. Edhe ato janë përfunduar.