Botë

Skadimi i paktit të armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë rrezikon një garë të re armatimesh

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Traktati New START mes SHBA-së dhe Rusisë do të skadojë të enjten, duke hequr kufizimet e fundit të ndërsjella mbi dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.

Ky moment përbën një goditje fatale për më shumë se pesë dekada kontrolli të armëve, në një kohë të paqëndrueshmërisë globale në rritje, dhe kontribuon në kolapsin e përgjithshëm të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo është një periudhë e re, një realitet i ri dhe ne jemi gati për të,” u ka thënë agjencive ruse të lajmeve zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, gjatë një vizite në Pekin.

Alexandra Bell, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e buletinit të “Atomic Scientists” ka thënë se gjithçka po shkon në drejtim të gabuar. 

“Kur bëhet fjalë për rreziqet bërthamore, gjithçka po shkon në drejtimin e gabuar gjatë vitit 2025. Rreziqet bërthamore janë bërë më komplekse, më të rrezikshme dhe kemi parë liderë që kanë dështuar në detyrimin e tyre për t’i menaxhuar këto rreziqe”, ka deklaruar Bell.

“Dhe jemi vetëm dy ditë larg nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të shpërdorojnë gjysmëshekulli pune për të ruajtur stabilitetin bërthamor mes dy fuqive më të mëdha bërthamore”, ka shtuar ajo. 

Dmitry Medvedev, i cili ka nënshkruar marrëveshjen New START me Barack Obamën në vitin 2010, kur ishte president i Rusisë, ka thënë se skadimi i traktatit duhet të “alarmojë të gjithë”.

“Kur ka një marrëveshje, do të thotë se ka besim, por kur nuk ka marrëveshje, do të thotë se besimi është shteruar”, ka thënë Medvedev, i cili së fundmi është shndërruar në një zë të ashpër të Moskës.

Obama ka shkruar në rrjetet sociale se skadimi i traktatit “do të fshinte pa asnjë arsye dekada diplomacie, dhe mund të nxisë një tjetër garë armatimi që e bën botën më pak të sigurt”. 

Avokatë të kontrollit të armëve u kanë bërë thirrje dy superfuqive bërthamore të botës të veprojnë në momentet e fundit për të shpëtuar traktatin, i cili kufizon arsenalin strategjik të vendosur të secilit vend në 1.550 koka bërthamore dhe numrin total të sistemeve të dërgimit (raketa ose bombardues) në 800.

Në shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar zgjatjen e marrëveshjes Neë START edhe për një vit, gjë për të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, në atë kohë tha se “duket si një ide e mirë”.

Por këto deklarata nuk duket se janë shoqëruar nga ndonjë negociatë thelbësore. Moska thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje formale ndaj propozimit njëvjeçar të Putinit.

“Mungesa e një përgjigjeje është gjithashtu një përgjigje”, ka deklaruar Ryabkov të martën.

Trumpi ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të hequr dorë nga traktati që në janar. 

“Nëse skadon, skadon”, i ka thënë ai New York Times. “Ne thjesht do të bëjmë një marrëveshje më të mirë”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka sqaruar më vonë se Trumpi dëshironte një marrëveshje që të përfshinte edhe Kinën, e cila ka një arsenal dukshëm më të vogël prej rreth 600 koka bërthamore, shumë pak prej të cilave janë të vendosura dhe gati për përdorim, sipas vlerësimeve të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS).

Për krahasim, FAS vlerëson arsenalin e SHBA-së në 5.177 koka bërthamore dhe atë të Rusisë në 5.459.

Raporte jozyrtare sugjerojnë se administrata Trump mund të bëjë një njoftim për ambiciet e saj në fushën e mospërhapjes bërthamore, por vetëm pasi New START të ketë skaduar.

Përveç vendosjes së kufijve numerikë mbi arsenalet, New START krijoi edhe një sistem të gjerë monitorimi të ndërsjellë, shkëmbimi të të dhënave dhe inspektimesh, megjithëse Putini ka pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë në këtë aspekt të traktatit në vitin 2023, si përgjigje ndaj mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën përballë pushtimit të plotë rus.