Botë

Sirianët festojnë 1-vjetorin e rënies së Asadit

Ahmad al-Sharaa

Foto: Associated Press

Sirianët kanë shënuar të hënën përvjetorin e parë të përmbysjes së Bashar al-Assad dhe sundimit të tij të hekurt, ndërsa kombi i përçarë përpiqet të gjejë stabilitet dhe të rimëkëmbet pas viteve të luftës.

Festimet zyrtare janë planifikuar për Sheshin qendror Umayyad në Damask, i cili ka qenë i mbushur me tubime festive edhe përpara 8 dhjetorit, dhe në pjesë të tjera të vendit. Priten edhe parada ushtarake.
Assad iku nga Siria për në Rusi një vit më parë, ndërsa rebelët e komanduar nga presidenti i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit të tij.

Sharaa e shënoi rastin duke kryer lutjet e agimit në Xhaminë Umayyad të Damaskut, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve SANA. 

Ai ishte veshur me uniformë ushtarake si ato që mbante veshur gjatë fushatës fitimtare të rebelëve të udhëhequr nga grupi i tij islamist Hayat Tahrir al-Sham, raportoi agjencia e lajmeve.

Sharaa premtoi të ndërtonte një Siri të drejtë dhe të fortë.

"Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, me vullnetin e Zotit, ne do të rindërtojmë një Siri të fortë me një strukturë që i përshtatet të tashmes dhe të kaluarës së saj", ka thënë ai, sipas SANA-s.

Familja Asad, anëtarë të komunitetit minoritar alavit të Sirisë, sundoi Sirinë për 54 vjet.

Lufta siriane vrau qindra mijëra njerëz dhe zhvendosi miliona të tjerë që nga viti 2011, duke i shtyrë rreth pesë milionë të shpërngulen në vendet fqinje si refugjatë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka thënë të hënën se rreth 1.2 milionë refugjatë, përveç 1.9 milionë personave të zhvendosur brenda vendit, janë kthyer në shtëpi që kur Asadi u rrëzua.