Botë

Si ia doli Irani të depërtonte në sistemin “e përsosur” të Izraelit

Iron Dome

Foto: Associated Press

Për shumë vjet, “Kupola e Hekurt” ka mbrojtur Izraelin nga sulmet e raketave prej Hamasit dhe Hezbollahut. Dy eksperte kanë shpjeguar se si tani raketat e Iranit kanë depërtuar në mbrojtjen ajrore të Izraelit...

Konflikti i Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e gjashtë të mërkurën dhe shtetet po vazhdojnë të këmbejnë sulme të ashpra ajrore. Konflikti nisi kur Izraeli sulmoi zonat bërthamore në Iran. Izraeli ka thënë se Irani në mënyrë të fshehtë po zhvillon armë bërthamore, ndërsa Teherani zyrtar vazhdimisht e ka mohuar. Qindra persona dyshohet të kenë vdekur nga sulmet.

“Iron Dome” apo “Kupola e Hekurt” është sistem i mbrojtjes nga toka në ajër i cili përcjell dhe ndal projektilët drejtuar zonave të populluara në Izrael. Ka qenë vazhdimisht i suksesshëm dhe në të kaluarën izraelitët kanë arritur të shohin në disa raste se si kjo kupolë ka ndalur me sukses sulmet ajrore.

Zyrtarët izraelitë kanë pranuar se “Iron Dome” megjithatë nuk është 100 për qind efektiv.

Marion Messmer, hulumtuese për studime të sigurisë në Chatham House, ka thënë se kjo kupolë mund të mos jetë efektive aq sa mendohet.

“Për shumë kohë, ‘Iron Dome’ ka pasur më shumë marketing sesa që është garanci”, ka thënë ajo për “The Independent”. “Në fund të ditës, është një sistem i mbrojtjes ajrore. Është shumë sistem efikas. Por asnjë mbrojtje ajrore nuk është tërësisht e pathyeshme”.

Duke marrë për bazë shkallën e sulmeve të Iranit mbi Izrael – Messmer ka thënë se nuk është befasi që disa raketa kanë depërtuar.

Raketat e Iranit – sfidë e re

Ekspertët besojnë që Irani po ashtu ka mundësi që ka përdorur pajisje hipersonike, që mund të manovrojnë dhe të fluturojnë me shpejtësi hipersonike, duke e bërë më të vështirë kapjen e tyre.

“Nëse keni diçka që mund të manovrojë, atëherë padyshim që mund të programoni një fluturim jo të rregullt dhe ta ndryshoni nëse shihni se ka raketa penguese. Kjo e bën më të lehtë shmangien e çdo ndalese”, ka shpjeguar Messmer.

Messmer ka thënë se megjithatë niveli i suksesit i “Iron Domet” është “jashtëzakonisht impresiv”, por ka shtuar se “numri i raketave të hedhura poshtë më herët nga sistemi, ishin më të vogla dhe me rrugë të parashikuara e me caqe të njohura”. Këto kryesisht hidheshin nga militantët e Hamasit në Gaza.

“Asnjë sistem i mbrojtjes ajrore nuk është i pathyeshëm”, ka thënë Marina Miron, hulumtuese në departamentin për studime të luftës në King’s College London.

Mbingarkesa e sistemit

Garda revolucionare e Iranit ka thënë të hënën se ka funksionuar me një metodë të re që bëri që sistemi shumështresor i mbrojtjes të luftojë mes vete dhe t’ia mundësonte Iranit goditjen e më shumë shënjestrave.

Miron ka pretenduar se kjo mund të jetë bërë duke pozicionuar “dronë mashtrues” afër raketave mbrojtëse të Izraelit. Mironi ka vlerësuar se Irani ka dërguar numër të madh karremesh “për t’i hapur rrugë vetes”. Por sipas saj, dështimi më i madh i “Kupolës së Hekurt” ka qenë falë “mbingarkesës” së raketave iraniane.

Lexo përditësimet tjera
Khamenei

Në ditën e gjashtë të luftimeve me Izraelin, Irani kërcënon SHBA-në

Dita e gjashtë e konfliktit:Lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar në rrjete sociale duke...