Ukraina ka akuzuar Rusinë për granatimet e infrastrukturës agrokulturore, djegien e fushave, vjedhjen e grurit, dhe përpjekjen për t'ia shitur Sirisë, pasi Libani dhe Egjipti kanë refuzuar ta blejnë atë
Armiqësitë ruse në Ukrainë po pengojnë që drithërat t’i largojnë nga “shporta e bukës së botës” dhe po i bëjnë ushqimet më të shtrenjta në të gjithë botën, duke kërcënuar të përkeqësojnë mungesat, urinë dhe paqëndrueshmërinë politike në vendet në zhvillim.
Së bashku, Rusia dhe Ukraina eksportojnë afro një të tretën e grurit dhe elbit në botë, më shumë se 70% të vajit të lulediellit dhe janë furnizuese të mëdha të misrit. Rusia është prodhuesja më e madhe globale e plehrave.
Çmimet botërore të ushqimeve tashmë po rriteshin dhe lufta i përkeqësoi gjërat, duke parandaluar rreth 20 milionë tonë të drithërave ukrainase të arrinin në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në pjesë të Azisë.
Javët e negociatave për korridoret e sigurta për të nxjerrë drithërat nga portet e Detit të Zi të Ukrainës kanë bërë pak përparim, me urgjencën në rritje me ardhjen e sezonit të korrjeve të verës.
“Kjo duhet të ndodhë në dy muajt e ardhshëm (ose) do të jetë e tmerrshme”, ka thënë Anna Nagurney, e cila studion menaxhimin e krizave në Universitetin e Massachusetts Amherst dhe është në Bordin e Shkollës Ekonomike të Kievit.
Ajo thotë se 400 milionë njerëz në mbarë botën mbështeten në furnizimet ushqimore të Ukrainës. Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Agrokulturën parashikon se deri në 181 milionë njerëz në 41 vende mund të përballen me krizë ushqimore ose në nivele më të këqija të urisë këtë vit.
Situata nëpër botë
Në mënyrë tipike, 90% e grurit dhe e drithërave të tjera nga fushat e Ukrainës dërgohen në tregjet botërore nga deti, por janë mbajtur nga bllokadat ruse të bregut të Detit të Zi.
Një pjesë e drithërave po ridrejtohet nëpër Evropë me hekurudhë, rrugë dhe lumë, por sasia është në rënie në krahasim me rrugët detare. Dërgesat janë gjithashtu të mbështetura, sepse standardet hekurudhore të Ukrainës nuk përputhen me ato të fqinjëve të saj në Perëndim.
Zëvendësministri i Agrokulturës i Ukrainës, Markian Dmytrasevych, u kërkoi ligjvënësve të Bashkimit Evropian ndihmë për të eksportuar më shumë grurë, duke përfshirë zgjerimin e përdorimit të një porti rumun në Detin e Zi, ndërtimin e më shumë terminaleve të mallrave në lumin Danub dhe shkurtimin e burokracisë për kalimin e mallrave në kufirin polak.
Por kjo do të thotë se ushqimi është edhe më larg nga ata që kanë nevojë.
“Tani ju duhet të shkoni në të gjithë Evropën për t'u kthyer në Mesdhe. Me të vërtetë ka shtuar një kosto të pabesueshme për grurin ukrainas", tha Joseph Glauber, studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore në Uashington.
Ukraina ka qenë në gjendje të eksportojë vetëm 1.5 milionë deri në 2 milionë tonë drithë në muaj që nga lufta, nga më shumë se 6 milionë tonë, tha Glauber, një ish-kryeekonomist në Departamentin e Agrokulturës të SHBA-së.
Edhe gruri rus nuk po ia del, po ashtu. Moska po argumenton se sanksionet perëndimore mbi industritë e saj bankare dhe të transportit e bëjnë të pamundur për Rusinë të eksportojë ushqim dhe plehra dhe po i trembin kompanitë e huaja të transportit për transportimin e tyre. Zyrtarët rusë po këmbëngulin që sanksionet të hiqen për të dërguar grurin në tregjet globale.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë thonë, megjithatë, se sanksionet nuk prekin ushqimin.
Vlerësimet e ndryshme
Ukraina ka akuzuar Rusinë për granatimet e infrastrukturës agrokulturore, djegien e fushave, vjedhjen e grurit dhe përpjekjen për t'ia shitur Sirisë, pasi Libani dhe Egjipti refuzuan ta blejnë atë. Imazhet satelitore të marra në fund të majit nga Maxar Technologies tregojnë anijet me flamur rus në një port në Krime duke u ngarkuar me grurë dhe më pas disa ditë më vonë ankorohen në Siri me kapakët e tyre të hapura.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se Rusia ka provokuar një krizë globale ushqimore. Perëndimi pajtohet, me zyrtarë si presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, që thonë se Rusia po armatizon ushqimin.
Rusia thotë se eksportet mund të rifillojnë pasi Ukraina të heqë minat në Detin e Zi dhe anijet që vijnë të mund të kontrollohen për armë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, premtoi se Moska nuk do të "abuzonte" me avantazhin e saj të flotës dhe "do të merrte të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar që anijet të mund të largoheshin lirisht nga atje".
Zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë kanë dyshime për zotimin. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha këtë javë se mund të jetë e mundur të krijohen korridore të sigurta pa pasur nevojë për pastrimin e minave detare, sepse vendndodhja e mjeteve shpërthyese dihet.
Por pyetje të tjera do të mbesin ende, të tilla si nëse siguruesit do të ofrojnë mbulim për anijet.
Dmytrasevych u tha ministrave të agrokulturës të BE-së këtë javë se zgjidhja e vetme është mposhtja e Rusisë dhe zhbllokimi i porteve: "Asnjë masë tjetër e përkohshme, si korridoret humanitare, nuk do ta trajtojë këtë çështje".
Nxitja e krizës
Çmimet e ushqimeve po rriteshin përpara pushtimit, që rrjedhin nga faktorë, duke përfshirë motin e keq dhe të korrat e dobëta, duke shkurtuar furnizimet, ndërsa kërkesa globale u ringjall fuqishëm nga pandemia e COVID-19.
Glauber përmendi korrje të dobëta të grurit vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada dhe një thatësirë që dëmtoi rendimentet e sojës në Brazil. I rënduar gjithashtu nga ndryshimet klimatike, Briri i Afrikës po përballet me një nga thatësirat më të këqija në katër dekada, ndërsa një valë e nxehtë rekordi në Indi në mars uli rendimentet e grurit.
Kjo, së bashku me kostot e larta për karburant dhe pleh, ka penguar vendet e tjera të mëdha prodhuese të drithërave të mbushin boshllëqet.
Ukraina dhe Rusia eksportojnë kryesisht produkte në vendet në zhvillim, që janë më të rrezikuara nga rritja e kostos dhe nga mungesat.
Vendet si Somalia, Libia, Libani, Egjipti dhe Sudani varen shumë nga gruri, misri dhe vaji i lulediellit nga dy vendet ndërluftuese.
"Barra po mbahet nga të varfrit e shumtë", tha Glauber. "Kjo është një krizë humanitare, pa diskutim".
Krahas kërcënimit të urisë, rritja e çmimeve të ushqimeve rrezikon paqëndrueshmërinë politike në vende të tilla. Këto ishin një nga shkaktarët e “Pranverës arabe” dhe ka shqetësime për një përsëritje.
Qeveritë e vendeve në zhvillim ose duhet të lejojnë që çmimet e ushqimeve të rriten, ose të subvencionojnë kostot, tha Glauber. Një vend mesatarisht i begatë si Egjipti, importuesi kryesor i grurit në botë, mund të përballojë të absorbojë kosto më të larta të ushqimit, tha ai.
"Për vendet e varfra si Jemeni ose vendet në Bririn e Afrikës, ato me të vërtetë do të kenë nevojë për ndihmë humanitare", tha ai.
Uria dhe kriza po ndjekin atë pjesë të Afrikës. Çmimet për produktet kryesore si gruri dhe vaji i gatimit në disa raste janë më shumë se dyfishuar, ndërkohë që miliona bagëti që familjet përdorin për qumësht dhe mish kanë ngordhur. Në Sudan dhe Jemen, konflikti Rusi-Ukrainë erdhi në krye të viteve të krizave të brendshme.
UNICEF-i paralajmëroi për një "shpërthim të vdekjeve të fëmijëve" nëse bota fokusohet vetëm në luftën në Ukrainë dhe nuk vepron. Agjencitë e OKB-së vlerësuan se më shumë se 200.000 njerëz në Somali përballen me "uri dhe ngordhje urie katastrofike", afërsisht 18 milionë sudanezë mund të përjetojnë urinë akute deri në shtator dhe 19 milionë jemenas do të përballen me pasiguri ushqimore këtë vit.
Çmimet e grurit janë rritur në disa prej këtyre vendeve deri në 750%.
“Përgjithësisht, çdo gjë është bërë më e shtrenjtë. Qoftë ujë, qoftë ushqim, është bërë pothuajse e pamundur”, tha Justus Liku, një këshilltar i sigurisë së ushqimit me grupin ndihmës CARE, pas vizitës së fundme në Somali.
Liku tha se një shitës i ushqimit të gatuar “nuk ka pasur perime ose produkte të kafshëve. Nuk ka pasur qumësht, nuk ka pasur mish. Shitësi ka vazhduar të na tregojë se ishte aty vetëm për hir të të qenit aty”.
Në Liban, furrat që më herët mbanin lloje të shumta të bukës së sheshtë, tani shesin vetëm bukë pite bazike për të kursyer miellin.
Përpjekjet e ekspertëve
Për javë të tëra sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është përpjekur të sigurojë një marrëveshje për të zhbllokuar eksportet ruse të drithërave dhe plehrave dhe të lejojë Ukrainën të transportojë mallra nga porti kryesor i Odesës. Por progresi ka qenë i ngadaltë.
Ndërkohë një sasi e madhe e drithit ka ngecur në kapanone ukrainase ose në ferma. Dhe ka ende më shumë, korrja e grurit dimëror në Ukrainë do të fillojë së shpejti, duke servuar më shumë stres në objektet e magazinimit, edhe pse disa ara ka të ngjarë të mbesin pa u korrur për shkak të luftimeve.
Serhiy Hrebtsov nuk mund të shesë drithin që ka në fermën e tij në rajonin e Donbasit, sepse lidhjet e transportit janë ndërprerë. Blerësit e paktë nënkuptojnë se çmimet janë aq të ulëta, sa bujqësia është e paqëndrueshme.
"Ka disa opsione për të shitur, por është si ta hedhësh atë", tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, thotë se ai po punon me partnerët evropianë për një plan për të ndërtuar depo të përkohshme në kufijtë e Ukrainës, duke përfshirë edhe Poloninë, një zgjidhje që do të trajtonte gjithashtu standardet e ndryshme hekurudhore midis Ukrainës dhe Evropës.
Ideja është që gruri të mund të transferohet në depo, dhe më pas “në makina nëpër Evropë dhe ta dërgohet në oqean dhe më pas nëpër botë. Por kërkon kohë”, tha ai në një fjalim të martën.
Dmytrasevych tha se kapaciteti i depozitimit të grurit të Ukrainës është reduktuar në 15 milionë nga 60 milionë tonë, pasi trupat ruse shkatërruan depot ose pushtuan zona në jug dhe lindje.
Prodhimi botëror i grurit, i orizit dhe i drithërave të tjera pritet të arrijë në 2.78 miliardë tonë në vitin 2022, 16 milionë tonë më pak nga viti i kaluar, rënia e parë në katër vjet, tha Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Agrokulturën.
Çmimet e grurit janë rritur për 45% në tre muajt e parë të vitit krahasuar me një vit më parë, sipas indeksit të çmimeve të grurit të FAO-s. Vaji vegjetal është rritur për 41%, ndërsa çmimet e sheqerit, mishit, qumështit dhe peshkut gjithashtu janë rritur me dyshifra.
Rritjet po nxisin inflacion më të shpejtë në mbarë botën, duke i bërë ushqimet më të shtrenjta dhe duke rritur kostot për pronarët e restoranteve, të cilët janë detyruar të rrisin çmimet.
Disa vende po reagojnë duke u përpjekur të mbrojnë furnizimet e brendshme. India ka kufizuar eksportet e sheqerit dhe grurit, ndërsa Malajzia ndaloi eksportet e pulave të gjalla, duke alarmuar Singaporin, i cili merr një të tretën e shpendëve të saj nga fqinji i saj.
Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Politikave Ushqimore thotë se nëse mungesat e ushqimit bëhen më akute ndërsa lufta zvarritet, kjo mund të dërgojë në më shumë kufizime të eksportit që rrisin më tej çmimet.
Një kërcënim tjetër është plehrat e pakta dhe të kushtueshme, që do të thotë se fushat mund të jenë më pak produktive pasi fermerët kursejnë, tha Steve Mathews nga “Gro Intelligence”, një kompani e të dhënave agrokulturore dhe analitike.
Ka mungesa veçanërisht të mëdha të dy prej kimikateve kryesore në plehra, nga të cilat Rusia është një furnizues i madh.
"Nëse vazhdojmë të kemi mungesën e kaliumit dhe fosfatit që kemi tani, do të shohim rënie të rendimenteve", tha Mathews. "Nuk ka dyshim për këtë në vitet e ardhshme".
Përktheu: Forca Jashari