Votimi i rezolutës në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gazën, është shtyrë sërish, kësaj radhe për të mërkurën, raporton “CNN”.
Rezoluta synon të nxisë më shumë ndihma humanitare për Gazën.
U mbajtën diskutime intensive mes shteteve, por votimi u shty sërish. Shtyrja është thënë se u bë për ta mundësuar vazhdimin e negociatave.
Votimi është paraparë të mbahet të mërkurën pasdite.
Fillimisht votimi ishte planifikuar për të hënën, por u shty për një ditë që të mundësohen negociatat. Por, edhe të martën nuk është arritur dakordim.
“Ne jemi duke punuar për modalitete të rezolutës. Është e rëndësishme për ne që pjesa e tjetër e botës ta kuptojë se çfarë është në rrezik këtu dhe çfarë bëri Hamasi më 7 tetor dhe se si Izraeli ka të drejtë të mbrohet ndaj këtyre kërcënimeve”, ka thënë këshilltari i SHBA-së për siguri, John Kirby.
Në draft-rezolutën bëhej thirrje për një “ndërprerje të armiqësive” që të lejohet hyrja e ndihmave shumë të nevojshme në Gaza. Diplomatët shpresuan se ndryshimi i gjuhës për në “pezullim të armiqësive” mund të fitonte mbështetjen amerikane.
SHBA-ja kishte vënë veton ndaj masave të mëparshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka votuar kundër një thirrje për armëpushim që ishte bërë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.