Disponimi është aq i keq në Capitol të Washingtonit sa një kongresist demokrat e la t’i ikte ashensori sesa të kalonte katin përkrah një kolegu republikan që votoi kundër certifikimit të fitores së Joe Bidenit.
Republikanët thonë se janë demokratët ata që duhet ta harrojnë problemin – ta lënë prapa sulmin vdekjeprurës ndaj Capitolit më 6 janar, të heqin masat kundër koronavirusit dhe të tentojnë pajtimin mes dy partive.
Kur nuk i ka bërë as njëqind ditë Kongresi i ri, shtëpia e demokracisë është bërë strehë toksike dhe e parehatshme. Ligjvënësit janë të pakënaqur me punën nga shtëpia shkaku i masave kundër koronavirusit dhe janë dyshues ndaj njëri-tjetrit që prej trazirave të janarit në lidhje me presidencën e Trumpit.
Sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve, që mbetet e mbyllur shkaku i pandemisë dhe në të cilën ligjvënësit dëgjuan të shtënat gjatë kaosit, besimi është i ulët për shkak se aty u mblodhën provat për kaosin dhe kjo nxiti debatin e ashpër. Ligjvënësit e lodhur amerikanë nuk e dinë se si dhe kur “Shtëpia e popullit” do të kthehet në normalitet.
Tmerri para syve
Edhe
Kuvendi i Shqipërisë “në zjarr”, protesta jashtë e tensione brenda
Një kongresiste e re thotë se është e tmerrshme të shohësh se në çfarë është shndërruar institucioni që ajo e kishte dashur fort, brenda një shteti në të cilin u betua se do ta mbrojë nga armiqtë e huaj dhe të brendshëm.
“Shpesh i mbylli sytë dhe mendoj këtë vend siç ka qenë dikur dhe sa mikpritës ishte”, thotë përfaqësuesja demokrate Ilhan Omar, që për herë të parë u zgjodh në vitin 2018.
Si refugjate nga Somalia, thotë se është mësuar të përballet me zona konflikti gjatë fëmijërisë. Dijen e saj për këso momentesh po e shfrytëzon për të hyrë në Capitolin e rrethuar me tela gjembash. Shtëpia e demokracisë tani ruhet nga anëtarët e armatosur të Gardës Kombëtare. Kongresistja e re thotë se me sy mbyllur tenton të mendojë se ky nuk është realiteti.
Muajt e parë të vitit kanë bërë bashkë plagët helmuese me ngjarjet e papara historike të muajit janar. Pasojat dalin përtej dritareve të thyera dhe mureve të shkarravitura të ndërtesës së famshme të Capitolit. Me takime virtuale dhe vota nga distanca, ligjvënësit amerikanë kanë shumë pak mundësi të takohen me njëri-tjetrin për të ndarë ide ose për më tepër, për të lehtësuar frikën pas trazirave famëkeqe.
“Disponimi është toksik. Ta shpifë të jesh pakicë, por situata është përkeqësuar me ngritjen e temperaturave mes partive”, thotë përfaqësuesi Rodney Davis.
Përplasjet e shpeshta
Situata është nxehur gjatë kësaj jave kur një numër i madh i republikanëve votuan kundër dhënies së Medaljes së Artë të Kongresit për zyrtarët e sigurisë që mbrojtën Capitolin më 6 janar. Në arsyetimin për dhënien e medaljes përmendeshin “kryengritësit” që sulmuan “tempullin” e demokracisë amerikane. Demokratët u shtangën.
Pavarësisht atmosferës së zymtë, Dhoma e Përfaqësuesve është duke ecur përpara me agjendën e Bidenit. Shumica demokrate ktheu në ligj propozimin për pakon financiare prej 1.9 trilionë dollarësh. Ligji u bë pa asnjë votë nga republikanët. Tensionet po vonojnë, por nuk po ngecin tentimet për të drejtë të votës, kontroll të armëve dhe çështje të tjera administrative. Ama, kanë krijuar dyshime për përkrahjen mbipartiake të Bidenit.
Një gjë është e qartë: presidenti i fundit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në degën e legjislativit.
Marka e politikës së Donald Trumpit po riformon Partinë Republikane ndërsa ligjvënësit po imitojnë Trumpin. Ligjvënësit republikanë vazhdimisht e kanë cilësuar kaosin si një “protestë” të vogël, për të cilën janë akuzuar për sulm 300 persona. Republikanët hedhin poshtë kufizimet e koronavirusit të Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht udhëzimeve të shëndetit publik që kërkojnë vaksinime, mbajtje maske dhe distancë sociale për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Qëndrimet e dyshimta
Përfaqësuesi Jim Jordan nga Ohio thotë se në ngjarjet që i ndoqi përsëri në shtëpi, pak njerëz mbanin maska dhe bënin thirrje për kthim në normalitet dhe liri të plotë.
Lidershipi cakton një ton, dhe përfaqësuesi Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës, u përpoq të thoshte të njëjtën gjë në konferencën për media. Tha se qëllimi i republikanëve për fitoren e Bidenit nuk ishte të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve – ani pse Trumpi u kërkoi mbështetësve të tij që të “luftonin si në ferr” më 6 janar teksa ligjvënësit vërtetonin rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit 2020.
Edhe
Kongresi miraton masën që qorton veprimet ushtarake të Trumpit në Iran
Gjatë kaosit të 6 janarit në Capitol, pesë njerëz vdiqën, përfshirë gruan e qëlluan nga policia dhe zyrtaren policore që vdiq nga lëndimet e rënda.
Në të njëjtën kohë, dhjetëra ligjvënës kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin, dhe dy zyrtarë të zgjedhur, të dy republikanë, kanë vdekur nga COVID-19, njëri vetëm një ditë para se të betohej më 3 janar.
Kreu i republikanëve i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke i kërkuar rifillimin e punës normale, tani kur 75 për qind e ligjvënësve janë vaksinuar. Pelosi të premten iu përgjigj duke thënë se pa u bërë 100 për qind nuk mund të nisë puna normale.
Një problem për rifillimin e punës plotësisht normale në Captiol është mungesa e vaksinave për mijëra anëtarë të stafit dhe 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Deri më tani vetëm dy doza të vaksinës kanë qenë të gatshme për secilën zyrë të Dhomës së Përfaqësuesve. Gjashtë doza të tjera pritet të sigurohen kah fundi i muajit mars. Senati prej 100 anëtarësh rinisi punën e pjesshme në pranverën e vitit 2020.
Tani për tani, votimi nga distanca për përfaqësuesit e Dhomës do të vazhdojë. Kthimi i vizitorëve ende nuk është as ide për drejtuesit e Capitolit.
Shmangia e republikanëve
“Ka momente kur jam shumë i lumtur, sepse po ndodhin gjëra të mira, thotë Jim McGovern, përfaqësues nga Massachusetts që nuk hyri në ashensor kur pa se në të po qëndronin disa republikanë që sfiduan zgjedhjen e Bidenit.
Mirëpo thotë se ishte i shqetësuar nga ligjvënësit republikanë “që përpiqeshin të pretendonin se ishte veprim patriotik kundërshtimi i zgjedhjeve. Më lini rehat”.
Është e qartë se demokratët janë më të shpenzuar emocionalisht sesa republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që u është ngritur disponimi, ani pse Turmpi ka humbur. Avantazhi i tyre ua ka shtuar mundësinë që të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2022.
Ligjvënësja republikane, përkrahëse e madhe e Trumpit, Marjorie Taylor Greene, nisi të manipulonte secilën lëvizje të demokratëve, duke testuar durimin e ligjvënësve kur procedurat e gjata të Dhomës së Përfaqësuesve edhe ashtu zvarriteshin deri në orët e vona të natës. Në muajin shkurt, Dhoma e Përfaqësuesve e liroi Greene nga detyra në njërin prej komiteteve për shkak të përhapjes së teorive konspirative nëpër rrjetet sociale.
Teksa telat me gjemba pritet të hiqen nga Capitoli, detektorët e metaleve do të jenë të vendosur fiks para hyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi ligjvënësit demokratë premtuan se do të merrnin armë me vete.
Besimi është përtokë.
“A e keni njëmend?”, thotë Thomas Massie, republikani që votoi kundër medaljeve. “Shikoni detektorët e metalit – duhet të shtrydhemi para se të hyjmë këtu”.
Edhe
Opozitarët kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit
Norma Torres, demokrate nga California, thotë se me net të tëra ka qëndruar pa gjumë teksa nëpër mendje i sillej kaosi i 6 janarit. Shpreson se kolegët republikanë do të angazhohen për të njëjtin qëllim: jetësimin e demokracisë amerikane”.
“Nëse duam të kthehemi në normalitet”, thotë ajo, “duhet të jemi më të mirë sesa tani”.