Pas sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, familjet e pengjeve izraelite vazhdojnë të përballen me ankth të përditshëm për fatin e më të dashurve të tyre. Ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë të zgjeruar në Gazë, shqetësimet rriten për sigurinë e pengjeve. Dëshmitë e të liruarve zbulojnë trajtimet çnjerëzore, urinë dhe abuzimet. Familjarët kërkojnë presion ndërkombëtar dhe veprime për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbetura.
Familjet e pengjeve izraelite të marra në Gazë në sulmet e 7 tetorit kanë shprehur shqetësimin e tyre në rritje për fatin e të dashurve, ndërsa rriten dilemat se sa prej tyre mund të jenë ende gjallë.
Sipas njërës prej familjeve, pengjet janë në rrezik “të përditshëm” përderisa vazhdojnë të mbahen robër nga Hamasi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka theksuar se ka “pasiguri” mbi gjendjen e tre prej 24 pengjeve që më parë besohej se ishin gjallë.
Ai ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se vetëm 21 nga personat e marrë peng në sulmet e udhëhequra nga Hamasi ishin ende gjallë.
Ekipi i BBC-së ka folur me dy familje - përfshirë vëllain e një pengu të liruar nga Hamasi këtë vit - pasi kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një ofensivë të zgjeruar në Gazë.
Netanyahu ka theksuar se ministrat kishin vendosur për një “operacion të fuqishëm” për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i shpëtuar pengjet dhe se popullsia prej 2.1 milionë banorësh e Gazës “do të zhvendoset për ta mbrojtur atë”.
Një familje i ka thënë BBC-së se shpreson që ushtria do të përdorej vetëm për të ndihmuar me qëllim lirimin e pengjeve, jo për ndonjë arsye tjetër.
Vëllezërit binjakë të Liran Bermanit, Gali dhe Ziv, janë mbajtur nga Hamasi për 19 muaj pasi u rrëmbyen nga shtëpia e tyre në Kibbutz Kfar Aza më 7 tetor 2023.

Shqetësimi i familjarëve
Rreth 1.200 njerëz u vranë nga persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi atë ditë, ndërsa Gali dhe Ziv ishin midis 251 të tjerëve që u morën peng.
Afro 53 mijë njerëz janë vrarë në Gazë gjatë luftës që pasoi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.
Izraeli ndërpreu të gjitha dërgesat e ndihmave dhe furnizimeve të tjera më 2 mars dhe rifilloi ofensivën e tij dy javë më vonë pasi prishi një armëpushim dymujor, gjatë të cilit 33 pengje izraelite dhe pesë tajlandeze u liruan në këmbim të rreth 1.900 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Pas lajmit për planin e Izraelit për të zgjeruar operacionin ushtarak në Gazë duke përdorur mijëra trupa të tjera, nëse Hamasi nuk binte dakord për një armëpushim të ri dhe nuk lironte pengjet e mbetura, Liran Berman i tha BBC News se “shpreson që Izraeli po dërgon forcat për të ushtruar presion mbi Hamasin që të dorëzohet”.
“Kur Hamasi ndihej i kërcënuar, grupi bëri marrëveshje. Shpresoj që ata të mos dërgojnë trupa për të pushtuar ose për hakmarrje”.
Berman ka theksuar se vëllezërit e tij 27-vjeçarë ishin “në rrezik çdo ditë”.
“Ne e dimë që ata janë gjallë. Pengjet e liruara i panë ata”.
Ai ka thënë se besonte që Gali dhe Ziv ishin plagosur kur u kapën, porse shqetësohej se gjendja e tyre mendore nuk ishte e mirë pas kaq shumë kohësh në robëri.
Me lirimin e pengjeve të dobësuar dhe të brishtë në shkurt, Berman ka theksuar se ishte i shqetësuar për gjendjen shëndetësore e vëllezërve të tij.
“Ne duhet të ushtrojmë presion mbi Hamasin dhe ata që e mundësuan atë”.
Për 491 ditë, Or Levy u mbajt nga Hamasi duke mos ditur nëse gruaja e tij Einav kishte mbijetuar sulmin e 7 tetorit në festivalin muzikor “Nova”.
Ajo nuk i mbijetoi dhe për më shumë se një vit djali i tij trevjeçar Almog ishte pa të dy prindërit e tij. Në shkurt Or, tepër i dobët, u lirua nga Hamasi.
Vëllai i tij, Michael Levy, i ka thënë ekipit të BBC News se ishte i shqetësuar për ndikimin te pengjet nëse Izraeli do të dërgonte më shumë trupa në Gazë.
“Jam i shqetësuar se kjo do të ndikojë te pengjet, se terroristët mund të vendosin t’u bëjnë diçka atyre”, ka deklaruar ai. “Unë besoj se ushtria e di çfarë po bën dhe do të sigurohet që pengjet të mos preken, por kjo është gjithmonë një shqetësim”.
Por ai ka theksuar se donte të ushtrohej më shumë presion për t’i liruar ata.
“Ky është një krim kundër njerëzimit dhe të gjithë, përfshirë presidentin Trump, duhet të bëjnë më shumë për t'i rikthyer ata”.
Ai ka deklaruar se vëllai i tij nuk mori ushqim të mjaftueshëm ndërsa mbahej peng në tunelet nëntokësore të Hamasit në Gazë dhe nuk pa dritën e diellit. Ka theksuar se bënte dush vetëm çdo dy muaj e jo më shpesh.
“Vëllai im shqetësohet për faktin se pengjet e tjera do të vdesin në robëri sepse kjo ishte frika e tij më e keqe për veten dhe tani është frika e tij më e keqe për ata që la pas”.
Nga 251 personat e marrë peng më 7 tetor - dhe katër robërit e tjerë të mbajtur nga Hamasi për rreth një dekadë para sulmeve - 59 tani mbeten ende në Gazë.
Qeveria izraelite ka konfirmuar publikisht vdekjen e 35 personave, duke lënë 24 pengje. Tani ka pasiguri edhe për fatin e tre prej tyre.
Të 59 personat u rrëmbyen në sulmin e 7 tetorit, përveç njërit - ushtarit Hadar Goldin, i cili u vra në luftime në Gazë gjatë një lufte të mëparshme në vitin 2014.
Pengjet e gjalla janë burra në të 20-at ose 30-at e tyre, përveç Omri Miran, i cili mbushi 48 vjeç në prill.
Nga 35 trupat e të cilëve Izraeli ka konfirmuar se mbahen në Gazë, pothuajse të gjithë janë burra që ishin midis 19 dhe 86 vjeç kur vdiqën. Tri janë gra.

“Një copë buke në ditë”
Që nga vërshimi i lirimeve në fillim të këtij viti, ish-pengjet kanë folur me mediat dhe të tjerët për kohën e tyre në robëri. Tal Shoham, 49 vjeç, i liruar në shkurt pas 505 ditësh, ka deklaruar në një aktivitet të OKB-së muajin e kaluar se “kishte shumë raste që merrnim vetëm një copë bukë për një ditë të tërë” Ai ka thënë se “të traumatizuar nga uria, mblidhnim thërrime pas thërrimeje”.
Eliya Cohen, 28 vjeç, i cili u mbajt gjithashtu për 505 ditë, i tha Kanalit 12 të Izraelit se një herë në javë luftëtarët e Hamasit e detyronin atë dhe pengjet e tjera të hiqnin të gjitha rrobat dhe u thoshin: “Nuk jeni ende aty ku duhet, nuk jeni mjaftueshëm të dobët... Po mendojmë ta reduktojmë edhe më shumë ushqimin”.
Ilana Gritzewsky u lirua gjatë një armëpushimi tjetër në nëntor 2023. Partneri i saj, Matan Zangauker, është ende peng.
31-vjeçarja tha për “New York Times” në mars se teksa u rrëmbye nga shtëpia e saj, u ngacmua seksualisht nga njëri prej rrëmbyesve.
Artikulli thotë se ajo beson se është sulmuar seksualisht edhe në Gazë. “Kur erdhi në vete, tha ajo, e gjeti veten në dysheme në një ndërtesë të rrënuar, qartësisht në Gazë, me këmishën lart që i tregonte gjoksin dhe pantallonat poshtë, me shtatë persona të armatosur që qëndronin mbi të”.
Ron Krivoi, i cili merrej me zërim, u rrëmbye në festivalin e muzikës “Nova”.
Muajin e kaluar “The Times of Israel” citoi një intervistë të Channel 12 në të cilën ai përshkroi tunelet.
“Ne ishim brenda një kafazi shumë, shumë të vogël... dhe na u desh të shtriheshim dhe të pushonim në të - nuk mund të qëndroje. Tavani ishte i ulët, as tualete, as ushqim. Ishim pesë persona”.