Një objekt i paidentifikuar është rrëzuar dhe ka shkaktuar një shpërthim rreth 95 kilometra brenda territorit polak në orët e para të së enjtes, kan thënë autoritetet vendase, ndërsa Rusia kishte nisur sulme vdekjeprurëse me rreze të gjatë veprimi në të gjithë Ukrainën.
Objekti është rrëzuar në një zonë të pabanuar pranë fshatit Tarnaa-Kolonia në provincën e Lublinit, ka njoftuar ushtria polake. Policia polake ka thënë se banorët raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.
Polonia kishte raportuar më herët ngritjen në ajër të avionëve luftarakë në përgjigje të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ka goditur zona të gjera të vendit, ka lënë të vdekur të paktën tetë persona, përfshirë fëmijë dhe ka lënë disa të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar të enjten në Telegram se kishte kryer një "goditje masive duke përdorur armë precize me rreze të gjatë nga toka, ajri dhe deti", si dhe dronë sulmues, kundër objekteve ushtarake në të gjithë Ukrainën.
Ushtria polake ka njoftuar ndrkaq se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kishin diktuar dhjetëra raketa mbi Ukrainën perëndimore, të cilat përbënin një kërcënim të mundshëm për hapësirën ajrore polake.
Ende nuk është e qartë nëse objekti i paidentifikuar që është rrzuar në Poloni ishte një raketë ruse.
Megjithatë, çdo sulm i mundshëm rus kaq thellë brenda territorit të një vendi anëtar të NATO-s do të rrezikonte të shihej si një përshkallëzim i luftës shumëvjeçare të Moskës kundër Ukrainës.
Sulmi rus gjatë natës ndaj Ukrainës pasonte vizitën e presidentit Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të martën, ku ai i kërkoi presidentit Donald Trump që t'i siguronte Ukrainës sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.
Tusk: Objekti që ra në Poloni me gjasë është raketë ruse
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se një objekt që ka rënë në një fushë në Poloninë lindore, në orët e para të së enjtes, me shumë gjasë ishte një raketë ruse.
Objekti i paidentifikuar ka shkaktuar një krater me gjerësi 10 metra jo larg fshatit Tarnaëa Kolonia, rreth 100 km larg kufirit me Ukrainën, gjatë një sulmi rus ndaj qytetit të Lvivit.
“Të gjitha shenjat tregojnë se bëhej fjalë për një raketë balistike ruse Kh-101, por ne duam të jemi 100% të sigurt për llojin e raketës dhe se kush e lëshoi atë”, ka thënë Tusk gjatë një takimi të thirrur posaçërisht në qytetin fqinj të Lublinit.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Andriy Sybiha, ka deklaruar më herët të enjten se një raketë lundruese ruse Kh-101 kishte "hyrë në territorin polak si pjesë e sulmit masiv të Rusisë kundër Ukrainës, duke shkelur hapësirën ajrore të NATO-s".
Ndrkaq Tusk ka thënë se ishte në kontakt me liderë të tjerë evropianë para se të nisej drejt vendit ku ndodhi incidenti i së enjtes. Ai ka theksuar se nuk kishte raportime për viktima nga incidenti, por se ngjarja po trajtohej si serioze.
Një sërë dronësh rusë dhe një raketë ruse kanë rënë në territorin polak që kur ka nisur lufta në shkallë të gjerë e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Dy fermerë polakë kanë humbur jetën nga një raketë që kishte rënë pak përtej kufirit me Ukrainën në nëntor të vitit 2022, por besohej se ajo ishte një raketë ukrainase e mbrojtjes ajrore që po kundërpërgjigjej ndaj një sulmi rus.