Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shmanget mbyllja e qeverisë në SHBA

Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar një projektligj i cili parasheh vazhdimin e financimit të përkohshëm të qeverisë, për të parandaluar mbylljen e saj.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka propozuar projektligjin. Pro këtij projektligji kanë votuar 336 përfaqësues ndërsa kundër 95 sosh. Nga ata që ishin pro, 209 ishin demokratë. Projektligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve lejon vazhdimin e financimit të qeverisë pas 17 nëntorit, kur edhe skadon buxheti i mëparshëm i përkohshëm, duke siguruar kështu fonde për financimin ushtarak, çështjet e veteranëve, transportin, strehimin dhe Departamentin e Energjisë deri më 19 janar.

Ky plan u jep ligjvënësve amerikanë më shumë kohë për të diskutuar dhe miratuar një projektligj buxhetor për të gjithë vitin.

Financimi aktual i përkohshëm, si ai i mëparshmi, nuk parasheh ndarjen e fondeve për të mbështetur Ukrainën ose për të ofruar ndihmë për Izraelin. Senati duhet ta miratojë projektligjin përpara se presidenti amerikan Joe Biden të mund ta nënshkruajë dokumentin.

Senati ka planifikuar ta shqyrtojë buxhetin e përkohshëm të premten, më 17 nëntor.

Në Shtetet e Bashkuara, autoriteteve federale u ndalohet të veprojnë pa financim. Një mbyllje e qeverisë ndodh kur Kongresi dështon të miratojë marrëveshjet buxhetore për shkak të mosnënshkrimit të tyre nga Presidenti.