Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkalla e lindjeve në Kinë vazhdon të bie për të pestin vit radhazi

Shkalla e lindjeve në Kinë ra për të pestin vit radhazi, për të arritur një rekord të ri të ulët në vitin 2021, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë për të inkurajuar çiftet që të kenë më shumë fëmijë, përballë një krize demografike të afërt.

Vendi më i populluar në botë regjistroi 10.62 milionë lindje vitin e kaluar, ose vetëm 7.5 lindje për 1000 njerëz, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës – duke shënuar nivelin më të ulët që nga themelimi i Kinës komuniste në vitin 1949.

Numri i lindjeve ishte i mjaftueshëm për ta tejkaluar numrin e vdekjeve, me popullsinë që u rrit në 1.4126 miliardë. Mirëpo, shkalla e rritjes natyrore ra në 0.034%, më e ulëta që nga uria e madhe e Kinës nga viti 1959 deri në vitin 1961, e cila la të vdekur dhjetëra miliona njerëz dhe çoi në një rënie të popullsisë.

Lindjet e reja në vitin 2021 ranë për 11.6% nga 12.02 milionë sa ishin në vitin 2020 – një rënie më e butë se rënia prej 18% atë vit, nga 14.65 milionë sa ishin në vitin 2019. Demografët kinezë kanë paralajmëruar se nëse trendi në rënie vazhdon, popullsia e Kinës mund të zvogëlohet së shpejti.

Ning Jizhe, kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave, i tha medias shtetërore të hënën se rënia e lindjeve erdhi nga një kombinim faktorësh, nga "ulja e numrit të grave në moshën e lindjes së fëmijëve, një rënie e vazhdueshme e fertilitetit, ndryshimet në qëndrimet ndaj lindjes së fëmijëve, dhe vonesat e martesës nga të rinjtë”, përfshirë edhe për shkak të pandemisë.

Edhe Për të katërtin vit radhazi, bie popullsia e Kinës Botë Për të katërtin vit radhazi, bie popullsia e Kinës

Rënia e nivelit të lindjeve vjen pak pasi Qeveria kineze rrit përpjekjet për të inkurajuar familjet që të kenë më shumë fëmijë, pasi kuptoi se politika e saj për një fëmijë prej dekadash kishte kontribuar në një popullsi në plakje të shpejtë, dhe në tkurrje të fuqisë punëtore, që mund të shqetësonte rëndë stabilitetin ekonomik dhe social të vendit.