Botë

SHBA-ja dhe evropianët po finalizojnë propozimin 30-ditor për armëpushim në Ukrainë

Trump-Macron-Zelensky

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë janë duke finalizuar propozimin për armëpushim 30-ditor në Ukrainë, i cili nëse refuzohet do të thotë se ata së bashku do t’i vendosin sanksione të reja Rusisë, sipas një burimi diplomatik francez, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të enjten bëri thirrje për një armëpushim 30-ditor pa kushte midis Rusisë dhe Ukrainës, duke paralajmëruar se Washingtoni dhe partnerët e tij do të vendosin sanksione të mëtejshme nëse armëpushimi nuk respektohet.

Ukraina ka shprehur gatishmëri për të pranuar propozimin e SHBA-së. E Rusia ka shpallur në mënyrë të njëanshme armëpushim treditor që do të zgjasë nga 8 deri më 10 maj, për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk jemi plotësisht me një projekt të finalizuar, por shpresojmë se jemi në një moment konvergjence”, tha burimi diplomatik, duke folur në kushte anonimiteti. “Çfarë mund të ndodhë në orët dhe ditët në vijim, mund të ketë një njoftim për një armëpushim ose 30-ditor ose të ndarë në pjesë, gjë që është ende duke në diskutim”.

Franca, Britania dhe Gjermania gjatë javëve të fundit kanë kërkuar koordinim më të ngushtë me Washingtonin. Dy javë më parë ato kundërshtuan disa propozime të SHBA-së për mënyrën se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë, duke bërë kundërpropozime për çështje nga territori te sanksionet.

“Po arrijmë në një pikë ku nuk do të presim një përgjigje zyrtare nga Moska ndaj një propozimi të përbashkët për të shpallur këtë armëpushim”, sipas burimit.

Ai shtoi se ende po diskutohet nëse do të shpallet një armëpushim i njëanshëm apo do t’i jepet një kohë e shkurtër reagimi Rusisë, megjithëse nëse ajo refuzon, atëherë do të vendosen sanksione të reja amerikane dhe të BE-së ndaj Moskës.

Të dyja palët po koordinohen mbi paketat e sanksioneve.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, i cili ishte në Washington javën e kaluar për të takuar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, ishte në Ukrainë të premten, bashkë me 17 ministra të tjerë të Jashtëm të BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Një takim i aleatëve më të ngushtë të Ukrainës do të zhvillohet të shtunën, ku do të diskutohet propozimi SHBA-Evropë.

Presidenti Emmanuel Macron të premten deklaroi se Franca do të marrë pjesë në takimin hibrid.

Sipas burimit, bisedimet politike dhe teknike midis Evropës dhe SHBA-së janë intensifikuar që nga java e kaluar. Trumpi dhe Macroni folën të enjten për të diskutuar propozimin për armëpushim.

“Në diskutimet me amerikanët ndjemë njëfarë acarimi ndaj qëndrimit rus, mungesës së reagimit dhe seriozitetit në përgjigjet e saj ndaj asaj që u propozua më parë. Vendimi praktikisht është marrë”, deklaroi burimi.