Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se nuk janë të interesuar për asnjë lloj konflikti në Lindjen e Mesme, përfshirë Jemenin, shkruan BBC.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën bombardimet të enjten në mbrëmje ndaj caqeve të grupit rebel të Jemenit, Houthi. Sipas grupit, pesë anëtarë të tyre vdiqën nga sulmet, ndërsa kanë paralajmëruar se do të përgjigjen ashpër. Por SHBA-ja e kishte njoftuar Houthin para se ta bombardonte, duke vënë në pah synimin që nuk do konflikt të zgjeruar. Fuqitë perëndimore bombarduan Houthin pasi grupi rebel sulmonte anijet në Detin e Kuq që nga nëntori.
“Ne nuk jemi të interesuar për luftë me Jemenin. Ne nuk jemi të interesuar për konflikt të asnjë lloji këtu”, ka thënë Kirby i pyetur nëse SHBA-ja është gati për luftë me Jemenin dhe nëse do të dërgonte trupa tokësore.
Ndërsa i pyetur se sa dëme i kanë shkaktuar Houthit me sulmet e mbrëmshme, Kirby ka thënë se duhet pritur edhe disa orë për vlerësimin e plotë.
Por sipas Kirbyt, të gjitha sulmet ishin në “objektiva ushtarake të vlefshme dhe legjitime - dhe vende të përdorura për të ruajtur, lëshuar dhe drejtuar raketa dhe dron”.
“Gjithçka që presidenti Joe Biden ka bërë është të parandalojë çdo përshkallëzim konflikti”, ka thënë Kirby.
Por ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të ndërmerren sulme të tjera “nëse është e nevojshme”.