Botë

SHBA-ja u përpoq të punonte kundër ndalimit të Le Penit nga zgjedhjet në Francë

Marine Le Pen

Foto: Associated Press

Një zyrtare gjyqësore franceze ka deklaruar se dy të dërguar të administratës Trump i janë afruar asaj me synimin për të lobuar kundër ndalimit zgjedhor ndaj lideres së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen.

Magali Lafourcade, sekretare e përgjithshme e Komisionit Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut të Francës (CNCDH), një organ i pavarur këshillimor i qeverisë, i ka thënë Agence France-Presse (AFP) se e kishte raportuar menjëherë përmbajtjen e takimit në ministrinë e Jashtme franceze, nga frika e një “manipulimi të mundshëm të debatit publik në Francë”.

Duke konfirmuar komentet që kishte bërë për televizionin France 5, Lafourcade ka thënë se ishte befasuar shumë nga toni i diskutimit me këshilltarët amerikanë në Paris në maj të vitit të kaluar, kur ata e orientuan bisedën drejt vendimit të gjyqtarëve francezë për dënimin e Le Pen në vitin 2025, pasi ajo u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian.

Pas një gjyqi nëntëjavor në Paris, gjyqtarët vendosën në mars të vitit të kaluar se Le Pen kishte qenë në qendër të një skeme të gjerë dhe afatgjatë të punësimeve fiktive në Parlamentin Evropian dhe e ndaluan atë të kandidonte për poste publike për pesë vjet, me efekt të menjëhershëm.

Le Pen, 57 vjeçe, e cila drejton partinë kundër emigracionit “Tubimi Kombëtar” (RN), konsiderohej si një nga favoritët kryesorë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm deri në momentin e dënimit.

Ajo u dënua gjithashtu me katër vjet burgim, nga të cilat dy janë pezulluar dhe dy të tjera do të vuhen jashtë burgut. Ajo u urdhërua gjithashtu të paguante një gjobë prej 100 mijë eurosh.

Le Pen ka apeluar së bashku me 10 nga 24 anëtarët e partisë që u shpallën fajtorë vitin e kaluar. Ajo ka mohuar çdo shkelje teksa po vazhdon një gjykim i ri në Paris, me synimin për t’u rrëzuar dënimi dhe vendimi gjyqësor. Ajo i ka thënë gjykatës të mërkurën se kishte vepruar gjithmonë me mirëbesim.

Lafourcade i ka thënë AFP-së se ishte takuar në maj të vitit të kaluar me Samuel D. Samson dhe Christopher J. Anderson, këshilltarë të Byrosë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën (DRL), e cila është pjesë e Departamentit amerikan të Shtetit. 

Lafourcade ka thënë se ishte përpjekur të shpjegonte procesin gjyqësor francez, por se dy burrat “ishin të bindur se bëhej fjalë për një gjyq politik që synonte ta largonte Le Pen nga gara presidenciale ose ta ndalonte për arsye thjesht politike.

Ajo ka thënë se ata mendonin se Le Pen ishte trajtuar padrejtësisht dhe ishte viktimë e një “dënimi politik”, dhe se kishin kërkuar elemente për të mbështetur këtë pikëpamje.

Lafourcade, e cila nuk është e përfshirë në çështjen e Le Pen, ka thënë se ishte e shqetësuar sepse kjo nuk ishte një lloj bisede që “duhet të ndodhë mes aleatëve”.