Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja do të dërgojë në Ukrainë sistemet e saj më të avancuara të mbrojtjes ajrore

SHBA-ja po planifikon të dërgojë raketa të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë, raportojnë mediat amerikane.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet ta bëjë të ditur lajmin këtë javë, sipas zyrtarëve të cilët nuk kanë dashur të identifikohen, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Ukraina ka kërkuar mbështetje të mëtejshme të mbrojtjes ajrore për disa kohë, pasi sulmet ruse kanë vazhduar të vrasin civilë dhe të shkaktojnë ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike.

“Patriot” është një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore amerikane, por furnizimet në Ukrainë ka të ngjarë të jenë të kufizuara. Nuk dihet se sa prej tyre do të dërgohen në Ukrainë.

Pasi të miratohet masa, sistemet ka të ngjarë të dërgohen në ditët në vijim, derisa ushtarët ukrainas tashmë janë trajnuar për t'i përdorur ato në një bazë të ushtrisë amerikane në Grafenwoehr, Gjermani, thanë zyrtarët.

“Sistemi ‘Patriot’ do të ishte një objektiv legjitim për sulmet ruse”, tha Kremlini të mërkurën.