Botë

SHBA-ja dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Lindjen e Mesme mes tensioneve me Iranin

SHBA-ja dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Lindjen e Mesme

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, në Lindjen e Mesme për të mbështetur një tjetër aeroplanmbajtëse që tashmë ndodhet atje, tha një burim i njohur me planet të premten.

Ky vendim është marrë pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha se mund të kishte një raund të ri bisedimesh me Iranin, por ato bisedime nuk ndodhën pasi një zyrtar i lartë i sigurisë së Teheranit vizitoi Omanin dhe Katarin dhe shkëmbeu mesazhe me ndërmjetësit amerikanë, raporton AP.

Me këtë vendim, rajoni do të ketë dy aeroplanmbajtëse amerikane dhe anijet shoqëruese të tyre; tashmë, USS Abraham Lincoln dhe shkatërruesit e saj nodhen në Detin Arabik. 

Ky vendim shënon një kthesë të shpejtë për Fordin, e cila ishte dërguar nga Trumpi nga Deti Mesdhe në Karaibe vitin e kaluar për ta forcuar prezencën ushtarake para sulmit të papritur që çoi në kapjen e ish-presidentit venezuelan Nicolss Maduro.

Vendimi duket gjithashtu në kundërshtim me strategjinë e sigurisë kombëtare të Trumpit, e cila i jepte përparësi Hemisferës Perëndimore mbi pjesë të tjera të botës.

Trump paralajmëroi Iranin të enjten se dështimi për të arritur një marrëveshje do të ishte “shumë traumatik”. 

SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime indirekte në Oman javën e kaluar. “Mendoj se brenda një muaji diçka e tillë mund të ndodhë”,  ka theksuar Trump, duke shtuar se marrëveshja duhet të arrihet shpejt.

Trump gjithashtu tha se po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të një grupi të dytë aeroplanmbajtësesh në Lindjen e Mesme.