Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka akuzuar forcat ruse për kryerje të gjenocidit në Ukrainë, raportoi të mërkurën BBC. Ai ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet ta “fshijë idenë” e një identiteti ukrainas.
SHBA-ja historikisht është treguar ngurruese që të përdorë fjalën gjenocid për shkak të detyrës së saj për të ndërhyrë nëse përdoret ky term.
Bideni insistoi të martën se po mblidhen prova të veprimeve gjenocidiale nga trupat ruse. Kremlini i quajti komentet e Bidenit “të papranueshme”.
“Më shumë prova po dalin nga gjërat e tmerrshme që rusët kanë bërë në Ukrainë. Dhe ne do të mësojmë gjithnjë më shumë për shkatërrimin. Do t’i lëmë avokatët të vendosin nëse kualifikohen ose jo, por mua më duket, sigurisht”, ka thënë ai.
Teksa, presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë ditës së mërkurë, hezitoi ta përdorë këtë term.
Edhe
Çfarë nënkupton kur SHBA-ja thotë se në Ukrainë po bëhet gjenocid
Duke folur për France 2, Macroni tha se ai do të ishte i kujdesshëm me terma të tillë sot, sepse këta dy popuj, rusët e ukrainasit, janë vëllezër.
“Dua të vazhdoj të përpiqem aq sa mundem që ta ndaloj këtë luftë dhe ta rindërtoj paqen. Nuk jam i sigurt se një retorikë eskaluese i shërben kësaj kauze”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili nuk ka kursyer akuzat ndaj Rusisë se ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit pas zbulimit të varreve masive në qytetin Bucha, ka thënë se deklaratat e Bidenit janë “fjalë të vërteta të një lideri të vërtetë”.
Muajin e kaluar, Bideni në fund të një fjalimi para zyrtarëve polakë tha për Putinin: “Për hir të Zotit, ky burrë nuk mund të qëndrojë në pushtet”.
SHBA-ja shpejt doli me një deklaratë sqaruese.
“Theksi i presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë fuqinë mbi fqinjët e tij ose rajonin”, tha një zyrtar i administratës së tij. “Ai nuk diskutoi pushtetin e Putinit në Rusi ose ndërrimin e regjimit”.
Gjenocidi shihet gjerë si krimi më serioz kundër njerëzimit dhe definohet sipas ligjit ndërkombëtar si shfarosje masive e një grupi të caktuar njerëzish.
Edhe
Për herë të parë, Bideni akuzon “diktatorin” Putin për gjenocid në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht kanë shmangur përdorimin e fjalës gjenocid kur përcaktohen krimet. Konventa e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin, nënshkruese e së cilës është SHBA-ja, kërkon që shtetet të ndërhyjnë pasi gjenocidi të identifikohet zyrtarisht.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se është vetëm hera e tetë në histori që SHBA-ja ka përcaktuar se ka ndodhur gjenocidi.