Botë

Çfarë nënkupton kur SHBA-ja thotë se në Ukrainë po bëhet gjenocid

Kur presidenti amerikan Joe Biden deklaron se lufta e Rusisë në Ukrainë është gjenocid, nuk është vetëm një fjalë e fuqishme dhe e zakonshme, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press të enjten.

Një ndjekje zyrtare e SHBA-së e cila akuzon Rusinë për fushatë që synon zhdukjen e një grupi të synuar mund të bartë detyrime për botën që të konsiderojë ndërmarrje të veprimit. Kjo për shkak të një traktati të gjenocidit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nënshkruar nga SHBA-ja dhe më shumë se 150 vende të tjera.

Konventa ishte vepër ndër të tjerash edhe e një hebreu polak i cili kishte parë familjen e tij të vritej. Ai shtyu përpara atë që bota jo vetëm ta dënonte por edhe të ndëshkonte gjenocidet e ardhshme.

Të martën, Bideni akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po përpiqej ta “fshinte idenë e të qenit ukrainas”. Shumë liderë të tjerë botërorë nuk kanë shkuar kaq larg. Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se sjellja e Rusisë në Ukrainë “nuk shkon larg gjenocidit”, por Britania nuk e ka përdorur zyrtarisht këtë term, duke thënë se vetëm një gjykatë mund ta bëjë një vlerësim të tillë.

Nuk është e qartë nëse SHBA-ja ka për qëllim të ndjekë komentin e Bidenit për gjenocid si politikë zyrtare të SHBA-së.

Çfarë nënkupton gjenocidi?

Çuditërisht është një fjalë moderne për një krim të lashtë. Një avokat hebre nga Polonia, Raphael Lemkin, e krijoi atë në kulmin e Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Lemkin donte një fjalë që përshkruante çfarë nazistët në Gjermani po u bënin miliona hebrenjve dhe romëve, dhe çfarë Turqia i kishte bërë armenëve në vitet 1910: duke vrarë anëtarë të një grupi të targetuar njerëzish e duke punuar për të zhdukur kulturat e tyre.

Lemkin bashkoi “geno”, një fjalë greke që nënkupton racë, dhe “cide”, fjalë latine që nënkupton vrasje. Lemkin i kushtoi jetën e tij që ta bënte gjenocidin të njohur dhe të dënueshëm.

Më 1948, pasi Adolf Hitleri dhe partnerët e tij vriten sistematikisht 6 milionë hebrenj në Evropë, Asambleja e Përgjithshme e KB-së aprovoi Konventën për Parandalimin e Krimit të Gjenocidit.

Cili është definicioni ligjor?

Sipas konventës për gjenocid, krimi synon ta shkatërrojë një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, pjesërisht ose tërësisht.

Kjo përfshin vrasjet masive, por edhe sterilizimin e detyruar, abuzimin që shkakton dëm ose vuajtje mendore, ose largimin e fëmijëve të një grupi të targetuar për t’u rritur nga të tjerë.

A po kryen Rusia gjenocid në Ukrainë?

Çështja mund të varet pjesërisht nga fjalët e Putinit.

Forcat ruse po sulmojnë një shtet sovran dhe po akuzohen gjerësisht për kryerjen e abuzimeve mbi civilët e Ukrainës, përfshirë vrasjet masive.

Këto do të ishin krime lufte. Por, a përbëjnë ato gjenocid?

Gjithçka ka të bëjë me qëllimin, argumentoi Bohdan Vitvitsky, ish-prokuror federal në SHBA dhe ish-këshilltar special i prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës.

“Çdo përpjekje për të vendosur nëse krimet e kryera nga trupat ruse në Ukrainë janë bërë me qëllime gjenocidale duhet të fokusohen domosdo në deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin”, ka thënë ai.

Putini për shumë kohë ka mohuar çdo qëndrim që Ukraina të ekzistojë si komb i ndarë, ose ukrainasit si popull i ndarë, i pavarur nga Rusia dhe rusët. Ai citon historinë, kur Ukraina ishte pjesë e mbretërisë ruse, dhe më pas e Bashkimit Sovjetik.

Putini dhe media shtetërore ruse në luftën aktuale i quajnë liderët ukrainas “nazist” dhe “të varur nga droga”.

Pse ka rëndësi nëse liderët botërorë përdorin “gjenocidin” për të përshkruar veprimet e Rusisë?

Nëse SHBA-ja dhe nënshkruesit e tjerë të traktatit pohojnë se një gjenocid po ndodh, ata janë të përkushtuar të sigurojnë hetim dhe ndjekje penale.

Njerëzit dhe shtetet që kryejnë gjenocid “duhet të ndëshkohen”, thotë traktati.

Liderët amerikanë për dekada shmangën përdorimin e fjalës “gjenocid” për të shmangur kështu edhe presionin që më pas të veprojnë teksa vrasjet masive targetuan klasa njerëzish ose grupe etnike në Cambodia, Bosnjë, Irak, Rwanda dhe të tjera.

I penduar për dështimin e tij për të bërë më shumë për të ndaluar vrasjen e 800,000 etnikëve tutsis nga grupi hutus në Rwanda më 1994, Bill Clinton në qershor 1999 u bë presidenti i parë i SHBA-së që njohu një akt gjenocidi teksa po ndodhte, duke thënë se forcat serbe që po kryenin fushatë vdekjeprurëse kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë, po tentonin gjenocid.

NATO ndërhyri, me 78 ditë sulme ajrore që detyruan tërheqjen e serbëve nga Kosova. Një gjykatë ndërkombëtare akuzoi liderin serb Sllobodan Millosheviq për krime lufte, megjithëse Millosheviqi vdiq para përfundimit të gjyqit të tij.

Çfarë ndodh nëse SHBA-ja deklaron se veprimet e Rusisë janë gjenocid?

Liderët e SHBA-së për shumë kohë kanë pasur frikën se njohja e gjenocidit do t’u kërkonte atyre të intervenonin, madje edhe të dërgonin trupa, me të gjitha rreziqet, pasojat dhe përplasjet politike që do të sillte. Ka qenë një arsye kryesore pse liderët e kanë frenuar veten në lëshimin e deklaratave të ashpra.

Bideni është këmbëngulës se SHBA-ja nuk do ta përdorë ushtrinë e tij për t’u përballur me forcat ruse në krah të Ukrainës. Ta bëjë këtë do ta rrezikonte Luftën e Tretë Botërore, ka thënë ai.

Ai dhe aleatët në Evropë dhe gjithandej tashmë kanë intervenuar duke sanksionuar Rusinë dhe duke dërguar armë dhe mbështetje të tjera në Ukrainë.

Bideni dhe liderët perëndimorë po ashtu kanë bërë thirrje për gjykimin e krimeve të luftës. Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë ka nisur një hetim. Por kundërshtimi i gjatë i SHBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për shkak të shqetësimeve se trupat amerikane mund të përballen me ndjekje penale atje një ditë, i ndërlikon ndjekjet e tilla. Po ashtu edhe fuqia e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Një sondazh nga AP dhe Qendra për Studimin e Marrëdhënieve Publike NORC gjeti se 40% e njerëzve në Amerikë besonin se SHBA-ja duhet të ketë “rol të madh” në dhënien fund të pushtimit rus. Vetëm 13% mendojnë se SHBA-ja nuk duhet të përfshihet.

Përktheu: Emine Shehu