Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macroni hezitoi të përdorë termin gjenocid, Zelensky e fton në Ukrainë të bindet

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ftuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron të vizitojë Ukrainën për të parë vetë atë që e kanë shkaktuar forcat ruse, e që ai e quan gjenocid.

Kjo thirrje është bërë pak ditë pasi Macroni hezitoi ta përdorë fjalën “gjenocid”, duke deklaruar se nuk është i sigurt nëse kjo retorikë i shërben situatës së krijuar në Ukrainë.

“E ftova të vijë kur të ketë mundësi. Do të vijë të shohë dhe jam i sigurt se do ta kuptojë gjenocidin”, ka thënë Zelensky për CNN të hënën.

I pari i Ukrainës ka theksuar se hezitimi i Macronit për të përdorur këtë term është i dhimbshëm për Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht kanë hezituar të akuzojnë shtetet për gjenocid, javën e kaluar akuzuan presidentin rus, Vladimir Putin për kryerjen e akteve të gjenocidit, duke u përpjekur të fshijë identitetin ukrainas.

Konventa e OKB-së për gjenocidin, nënshkruese e së cilës është SHBA-ja, kërkon që vendet të ndërhyjnë pasi gjenocidi të identifikohet zyrtarisht.