Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sërish luftime mes Armenisë e Azerbajxhanit, të paktën tre të vdekur

Armenia dhe Azerbajxhani shkëmbyen sulme të reja në kufi, duke lënë të paktën tre persona të vrarë, shkroi “Al Jazeera” të martën.

Personat e vrarë thuhet se janë azerbajxhanas, e sulmet ndodhën në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakhut.

Nëpërmjet një deklarate, ministria armene e Mbrojtjes, deklaroi se Azerbajxhani i nisi granatimet intensive kundër pozicioneve ushtarake në drejtim të qyteteve Goris, Sok dhe Jermuk, mëngjesin e së martës.

“Trupat e Azerbajxhanit përdorën dronë dhe artileri e armë zjarri të kalibrit të madh. Forcat e armatosura të Armenisë nisën një përgjigje proporcionale”, u tha në njoftim.

Tutje, ministri i Mbrojtjes së Azerbajxhanit akuzoi Armeninë “për akte subversive në shkallë të gjerë”, pranë rretheve të Bashkesanit, Kelbajarit dhe Lachinit në kufi.

“Ka humbje në mesin e ushtarakëve azerbajxhanas”, deklaroi ministri Zakir Hasanov, pa dhënë shifra.

Edhe Përshkallëzon situata në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, ka të vdekur Botë Përshkallëzon situata në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, ka të vdekur

SHBA-ja u shpreh e shqetësuar për sulmet. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, iu bëri thirrje palëve t’u japin fund armiqësive.

“Siç e kemi bërë të qartë prej kohësh, nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin”, deklaroi Blinken.

Armenia dhe Azerbajxhani u përfshin në luftë gjatë 2020-s, por që mospajtimet mes tyre datojnë që nga 1990-a. Kur dy palët ishin nën sundimin sovjetik, forcat armene pushtuan një pjesë të territorit pranë Nagorno-Karabakhut, i njohur prej kohësh si territor i Azerbajxhanit, por me popullsi armene. Nga konflikti vdiqën mbi 30 mijë njerëz.