Një senatore australiane ka nxitur zemërim për paraqitjen e saj me burkë në parlament, me synimin për të shtyrë përpara një projektligj për ndalimin e veshjes myslimane.
Pauline Hanson u dënua nga kolegët senatorë, teksa njëri prej tyre e akuzoi atë për "racizëm të hapur".
Procedurat në senat u ndaluan pasi ajo refuzoi ta hiqte burkën.
Senatorja e Queensland, e partisë anti-imigracion "Një Komb", synonte të paraqiste një projektligj që do të ndalonte mbulimin e plotë të fytyrës në publik - një politikë për të cilën ajo ka bërë fushatë prej kohësh.
Është hera e dytë që ajo ka veshur veshjen, e cila mbulon fytyrën dhe trupin, në parlament, dhe ka thënë se veprimet e saj ishin në protestë ndaj senatit që hodhi poshtë projektligjin e saj.
Menjëherë pasi ligjvënësit e tjerë e bllokuan atë nga paraqitja e projektligjit të hënën, ajo u kthye e veshur me një burkë të zezë.
"Kjo është një senatore raciste, që shfaq racizëm të hapur", ka thënë Mehreen Faruqi, një senatore myslimane e të Gjelbërve nga Uellsi i Ri Jugor.
Fatima Payman, një senatore e pavarur nga shteti i Australisë Perëndimore, e quajti këtë veprim "të turpshëm".
Ministrja e Jashtme, Penny Wong, e cila shërben si udhëheqëse e qeverisë në senat, e dënoi atë si "mungesë respekti".
"Ne përfaqësojmë në shtetet tona njerëz të çdo besimi, të çdo besimi të të gjitha prejardhjeve. Dhe duhet ta bëjmë këtë me dinjitet", ka thënë ajo.
E në një postim në Facebook, Hanson ka shkruar se "nëse nuk duan që unë ta vesh - ndalojeni burkën".
Ajo ka mbajtur një burkë në parlament edhe në vitin 2017, duke bërë gjithashtu thirrje për një ndalim kombëtar në atë kohë.
Në vitin 2016, Hanson u kritikua për fjalimin e saj të parë në senatin Australian, në të cilin tha se vendi ishte në rrezik të "mbytej nga myslimanët".
Kjo i bëri jehonë fjalimit të saj kontrovers të vitit 1996 në të cilin ajo paralajmëroi se vendi ishte në rrezik të "mbytej nga aziatikët".
🇦🇺🧕 Storm in the Australian Senate: Right-wing politician Pauline Hanson entered the chamber wearing a burqa to push her bill to ban the burqa. She was expelled from parliament and received severe criticism. #Australia pic.twitter.com/Fyx1S3UlQc
— 🔰 Military-News (@MilitaryNewsEN) November 24, 2025