Botë

Dënohen rëndë deputetët që performuan hakan në Parlamentin e Zelandës së Re

Hana-Rawhiti Maipi-Clarke

Hana-Rawhiti Maipi-Clarke

Tre deputetë të Zelandës së Re nga Partia Maori (Te Pāti Māori) janë pezulluar përkohësisht nga Parlamenti, pas performuan vallen tradicionale haka gjatë një seance si formë proteste. Kjo masë konsiderohet si një nga dënimet më të ashpra të dhëna ndonjëherë ndaj ligjvënësve në historinë parlamentare të vendit, shkruan “The Guardian”.

Deputetët Debbie Ngarewa-Packer dhe Rawiri Waititi dhe Hana-Rawhiti Maipi-Clarke, performuan hakan në nëntor të vitit të kaluar, gjatë një votimi për Projektligjin e Parimeve të Traktatit të Waitangit – një dokument i nënshkruar më 1840 ndërmjet fiseve Maori dhe Kurorës Britanike.

Protesta, e cila përfshinte Maipi-Clarken duke grisur një kopje të projektligjit, u filmua dhe u bë virale në mediat sociale, duke grumbulluar qindra miliona shikime në mbarë botën. Veprimi i tyre erdhi si reagim ndaj propozimit të Partisë së Aktit (ACT), partner i vogël në koalicionin qeverisës, për të riinterpretuar parimet e Traktatit – një nismë që u pa gjerësisht si kërcënim për të drejtat historike të komunitetit Maori dhe që shkaktoi protesta masive.

Projektligji në fjalë u rrëzua në prill, gjatë leximit të dytë. Megjithatë, komiteti i privilegjeve të parlamentit publikoi një raport këtë javë, ku rekomandoi pezullimin e Ngarewa-Packer dhe Waititi për tre javë dhe të Maipi-Clarke për shtatë ditë. Komiteti argumentoi se performanca e tyre kishte ndërprerë procesin parlamentar dhe kishte potencialisht frikësuar ligjvënës të tjerë.

Edhe pse haka është përdorur më parë në parlament, përfshirë nga vetë deputeti Waititi, komiteti theksoi se mënyra dhe momenti i kësaj proteste e bënte atë “çështje serioze” për institucionin legjislativ.

VIDEO: