Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Parlamenti i Armenisë shndërrohet në ring boksi, deputetët përleshen me grushte e shqelma

Parlamenti i Armenisë

Një përleshje masive mes deputetëve ka shpërthyer të enjten në Parlamentin e Armenisë, pasi një përplasje verbale mes përfaqësuesve të partisë në pushtet, “Kontrata Civile”, dhe bllokut opozitar “Armenia e Fortë” eskaloi në përleshje fizike.

Ajo që nisi si debat mes deputetëve, fillimisht u shndërrua në shtyrje e përleshje, për të përfunduar në një rrahje masive, ku ligjvënësit përdorën grushte e shqelma. E gjithë ngjarja u transmetua drejtpërdrejt.

Kryetari i Parlamentit, Ruben Rubinyan, deklaroi se nuk do ta ndërpriste transmetimin, në mënyrë që publiku ta shihte se çfarë po ndodhte brenda institucionit.

VIDEO:

Përleshja nuk u kufizua vetëm në sallën e parlamentit, por vazhdoi edhe në korridore, ku, sipas raportimeve, u dëgjuan edhe fyerje. Për një kohë, sigurimi dhe disa deputetë të tjerë nuk arritën t’i ndanin personat e përfshirë në përleshje.

Pas incidentit, në ndërtesën e parlamentit mbërriti një autoambulancë. Deputeti i bllokut “Armenia e Fortë”, Andranik Gevorgyan, kishte gjakderdhje nga hunda, ndërsa rrobat e deputetit Ruben Mkhitaryan ishin shqyer gjatë përleshjes.