Ligjvënësit austriak kanë miratuar ligjin e diskutueshëm që ndalon shamitë në shkolla për vajzat nën moshën 14 vjeç, një veprim ky që grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët e quajnë diskriminues dhe i cili mund të thellojë përçarjet shoqërore.
Qeveria e udhëhequr nga konservatorët, nën presionin e rritjes së ndjenjave anti-imigracioni, propozoi ndalimin këtë vit, duke argumentuar se është për të mbrojtur vajzat “nga shtypja”.
Partia e Gjelbër në opozitë votoi kundër ndalimit duke thënë se ishte jokushtetuese.
Në vitin 2019, kur vendi futi një ndalim për shamitë në shkollat fillore, gjykata kushtetuese e rrëzoi atë, duke e quajtur jokushtetues dhe diskriminues.
Megjithatë, këtë herë, qeveria këmbëngul se ligji i saj është kushtetues. Ndalimi, i cili zbatohet për “të gjitha format” e mbulesës islame, duke përfshirë hixhabet dhe burkën, do të hyjë në fuqi të plotë me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator. Nga shkurti, do të nisë një periudhë fillestare gjatë së cilës rregullat e reja do t'u shpjegohen edukatorëve, prindërve dhe fëmijëve pa ndëshkime për shkeljen e tyre.
Por për mosrespektim të përsëritur, prindërit do të përballen me gjoba që variojnë nga 150 deri në 800 euro.