Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu u takuan sot në Izrael. Takimi u zhvillua pak javë para një sërë zhvillimesh të pritshme që mund të sjellin trazira të reja në këtë pikë të nxehtë të globit.
Presidenti Trump ka caktuar 12 majin si afat për të vendosur nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen me Iranin. Dy ditë më pas, Shtetet e Bashkuara kanë në plan të hapin ambasadën e tyre në Jeruzalem. Ky akt shënon një zhvendosje domethënëse në politikën amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve, të cilët duan ta shpallin Jeruzalemin kryeqytet të një atdheu të tyre në të ardhmen.
Palestinezët e kundërshtojnë fuqimisht hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem.
Më 15 maj palestinezët shënojnë përvjetorin e “Nakba-s” – “Katastrofës” siç e quajnë ata largimin me forcë nga banesat e tyre gjatë luftës së 1948 që shoqëroi krijimin e Izraelit.