Botë

Scholz në vizitë në Pekin, takon presidentin Xi

Kancelari gjerman, OlaSf Scholz , gjatë vizitës në Kinë, ka takuar presidentin kinez, Xi Jinping.

Scholz është bërë udhëheqësi i parë të G7 që viziton Pekinin që nga pandemia Covid-19, raporton BBC-ja.

Udhëtimi i tij ka ngjallur polemika në Gjermani dhe shqetësim në të gjithë Evropën. Ai pason një përplasje të jashtëzakonshme që ka ndodhur brenda qeverisë së Berlinit.

Ishte raportuar se një kompani kineze ishte gati të blinte një pjesë të rëndësishme të aksioneve në një pjesë të portit të Hamburgut.

Gjashtë ministra të qeverisë gjermane reaguan për këtë, duke thënë se marrëveshja, do t'i jepte Kinës ndikim të rëndësishëm mbi infrastrukturën kritike gjermane. Shërbimet e sigurisë në në Gjermani kërkuan gjithashtu që të bëhej kujdes.

Por kancelari gjerman kishte insistuar se marrëveshja duhet të shkonte përpara. Ai siç raporton BBC-ja, e shtyu marrëveshjen, vetëm se kufizoi në 24.9% vlerën e aksioneve që mund të blinte kompania kineze.

Askush nuk ishte i sigurt pse ai dukej kaq i vendosur për marrëveshjen, por autoritetet të qytetit të Hamburgut, ishin pro saj dhe vlerësonin se marrëveshja përfaqësonte investimin jetik.

Por shumë opinionistë dyshojnë për një motiv të fshehtë; që Olaf Scholz nuk donte të shkonte në Pekin pa një "dhuratë" për Xi Jinping-un.

Shqetësime ka ngritur edhe fakti që kancelari ka marrë me vete një delegacion të përbërë kryesisht nga përfaqësues gjermanë të biznesit.

"Sinjali që po dërgohet është se ne duam të shtrijmë dhe të intensifikojmë bashkëpunimin tonë ekonomik - që duhet vënë në dyshim", ka thënë Feliks Banazsak, një politikan nga Partia e Gjelbër, që është partner në qeverinë e koalicionit të Scholzit.

Të Gjelbërit kanë kërkuar prej kohësh një linjë politike më të ashpër ndaj Kinës.

Por Kina ende mbetet partneri më i madh tregtar i Gjermanisë. Në gjysmën e parë të këtij viti, bizneset gjermane investuan më shumë në Kinë se kurrë më parë.

Kancelari Scholz do të kalojë më pak se 12 orë në Pekin.

Para se të shkonte atje ai ka deklaruar se qëllimi i tij është të shohë mundësitë për një bashkëpunim edhe më të madh me Kinën. Sipas tij “bota ka nevojë për Kinën" në luftën kundër pandemisë globale dhe ndryshimeve klimatike.

"Nëse Kina po ndryshon, atëherë qasja jonë ndaj Kinës duhet të ndryshojë", ka thënë ai. / BBC