Kancelari gjerman, Friedrich Merz, do të bëjë vizitën e tij të parë në Kinë nga fundi i këtij viti, me një delegacion drejtuesish të lartë biznesi, ka thënë për Reuters një person me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen.
Vizita nga kreu i ekonomisë më të madhe të Evropës dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës do të ishte simbolikisht e rëndësishme në mbështetjen e marrëdhënieve midis dy shteteve, mes fërkimeve me Shtetet e Bashkuara mbi tarifat tregtare.
Kompanitë kineze shpresojnë të investojnë më shumë në Gjermani dhe vizita e Merzit mund të përdoret për të riparuar marrëdhëniet pas tensioneve të mëparshme me Berlinin, ka thënë personi, i cili ka njohuri për përgatitjet.
Udhëtimi, i cili mund të ndodhë që në tetor, ende nuk është finalizuar dhe detajet mund të ndryshojnë.
Njoftimi vjen pas një vizite në Berlin më herët këtë muaj nga ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi, në një turne evropian që kërkon të hedhë themelet për një samit midis Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve kinezë më vonë këtë muaj.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka thënë se dy ministrat e jashtëm kishin diskutuar për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, Tajvanin dhe krizën në Lindjen e Mesme.
Kina dhe Gjermania janë të ndërthurura ngushtë, jo vetëm nga varësia e prodhuesve gjermanë të veturave nga Kina.
Marrëdhëniet u lëkundën nën qeverinë e mëparshme gjermane, ku ministrja e atëhershme e Jashtme Annalena Baerbock kritikoi vazhdimisht Pekinin, duke e përshkruar presidentin Xi Jinping si një "diktator" dhe Kinën si një rivale.
Tensionet mes dy vendeve vazhdojnë. Gjermania ka thirrur ambasadorin kinez në ministrinë e jashtme të martën pasi tha se ushtria e Kinës kishte shënjestruar me lazer një avion gjerman në Detin e Kuq.
Deri më tani, Merz ka pasur gjithashtu një qëndrim të ashpër publik ndaj Kinës, duke shmangur një përplasje të plotë.
Më parë këtë vit, ai nënvizoi shqetësimet në lidhje me afërsinë e Kinës me Rusinë, ndërsa u zotua të zvogëlojë varësinë e Gjermanisë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.