Liderët e Kinës dhe të BE-së zhvilluan bisedime të enjten, të cilat ishin të fokusuar në mosmarrëveshje të tyre mbi tregtinë, subvencionet dhe po ashtu ndasisë së thellë për luftën në Ukrainë, raporton agjencia “AP”.
Presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Bashkimi Evropian po i bën thirrje Kinës të përmirësojë qasjen në treg për të trajtuar një çekuilibër prej më teprë se 200 miliardë dollarëve mes dyja palëve.
Kina nuk është e kënaqur me kufizimet e BE-së në eksportet e teknologjisë dhe një hetim të BE-së sa i përket subvencionimit të veturave elektrike. BE-ja po ashtu ka kërkuar nga Kina që të përdorë ndikimin e saj që ka te Rusia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Von der Leyen ka thënë se dyja palët duhet t’i menaxhojnë dallimet e tyre me përgjegjësi.
“Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së”, ka thënë Von der Leyen. “Por, ka pabarazi dhe dallime të qarta që ne duhet t’i adresojmë”.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, tha se Kina dhe BE-ja duhet t’i trajtojnë dallimet e tyre nëpërmjet dialogut dhe kundërshtoi atë që e quan qeveria e tij si ndryshim i politikës evropiane karshi Kinës drejt një qasje më të ashpër dhe konkurruese.
“Dyja palët nuk duhet ta konsiderojnë njëra-tjetrën si rivale për shkak të sistemeve të ndryshme, e të zvogëlojnë bashkëpunimin për shkak të konkurrencës dhe të përballen me njëra-tjetrën shkaku i dallimeve”, tha Xi.