Botë

Macroni kërkon ndihmën e Xi-së për të arritur paqen në Ukrainë

Emmanuel Macron dhe Xi Jinping

Emmanuel Macron dhe Xi Jinping, Pekin, 4 dhjetor 2025

Foto: Associated Press

Kina dhe Franca premtuan bashkëpunim më të thellë në çështjet globale si lufta në Ukrainë dhe tregtia, ndërsa Franca përgatitet të marrë presidencën e Grupit të Shtatë vitin e ardhshëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është takuar me Xi Jinping të Kinës të enjten në mëngjes, si pjesë e një vizite shtetërore tre-ditore me fokus në tregti dhe diplomaci.

Udhëheqësi francez i ka kërkuar Pekinit përfshirje në presionin ndaj Rusisë për një armëpushim me Ukrainën, pas intensifikimit kohëve të fundit të diplomacisë rreth një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA-ja.

"Ne po përballemi me rrezikun e shpërbërjes së rendit ndërkombëtar që solli paqe në botë për dekada, dhe në këtë kontekst, dialogu midis Kinës dhe Francës është edhe më thelbësor se kurrë”, ka thënë Macroni të enjten.

"Shpresoj që Kina do t'i bashkohet thirrjes sonë, përpjekjeve tona për të arritur, sa më shpejt të jetë e mundur, të paktën një armëpushim në formën e një moratoriumi për sulmet që synojnë infrastrukturën kritike”, ka thënë ai.

Xi ka thënë se "Kina mbështet të gjitha përpjekjet që punojnë drejt paqes" dhe bëri thirrje për një marrëveshje paqeje që do ta pranojnë të gjitha palët .

Kina i ka ofruar mbështetje të fortë diplomatike Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.

Xi njoftoi gjithashtu se Kina do të ofrojë 100 milionë dollarë për të ndihmuar krizën humanitare të vazhdueshme të Gazës dhe për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e territorit.

Tregtia ishte një tjetër fokus i rëndësishëm i agjendës të së enjtes.

Ata nënshkruan 12 marrëveshje, duke përfshirë ato që bëjnë thirrje për bashkëpunim në një rund të ri përpjekjesh për ruajtjen e pandave dhe shkëmbime në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Bashkimi Evropian ka një deficit të madh tregtar me Kinën: mbi 300 miliardë euro vitin e kaluar. Vetëm Kina përfaqëson 46% të deficitit të përgjithshëm tregtar të Francës.

Franca dhe Bashkimi Evropian e kanë përshkruar Kinën si njëkohësisht një partnere, një konkurrente dhe një rivale sistemike.