Presidenti kinez, Xi Jinping, iu ka bërë thirrje liderëve të Bashkimit Evropian të enjten që të “trajtojnë dallimet dhe grindjet në mënyrën e duhur”, teksa i ka kritikuar veprimet e fundit tregtare të bllokut evropian kundër Pekinit zyrtar gjatë samitit të përbashkët ku diskutime qendrore janë çështjet e lidhura me tregtinë dhe luftën në Ukrainë.
Pritshmëritë ishin të ulëta për samitin që po organizohet në kryeqytetin kinez, i cili njëkohësisht shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, pas disa javësh tensionesh në rritje dhe grindjesh për formatin e tij, përderisa kohëzgjatja u shkurtua papritmazi në një ditë, sipas kërkesës së Pekinit, ka raportuar Reuters.
“Këto sfida aktuale me të cilat po përballet Evropa nuk vijnë nga Kina”, ka thënë Xi para presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, sipas njoftimit të agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.
Ai i ka adresuar thirrje BE-së që të “ndjekë bashkëpunimin e hapur dhe të trajtojë siç duhet dallimet dhe fërkimet”, pas deklaratës së mëparshme nga Von der Leyen, e cila ka kërkuar rishikimin e lidhjeve tregtare me ekonominë e dytë më të madhe të botës, duke thënë se marrëdhëniet ishin në “pikën e kthesës”.
“Përmirësimi i konkurrueshmërisë nuk mund të mbështetet në ‘ndërtimin e mureve dhe fortesave’”, ka shtuar Xi. “‘Përçarja dhe thyerja e zinxhirëve’ do të sjellin vetëm në izolim”.
Gjatë takimit në Pekin, Von der Leyen i ka thënë Xi, se “ndërkohë që bashkëpunimi ynë është thelluar, po ashtu janë thelluar edhe pasiguritë”.
“Ne kemi arritur në pikën e kthesës”, ka shtuar ajo, duke i bërë thirrje Kinës të “dalë me zgjidhje reale”.
Ajo i është referuar po ashtu deficitit tregtar të BE-së me Kinën, i cili është rritur në një nivel historik prej 305.8 miliardë euro në vitin e kaluar.
Veprimet tregtare të BE-së gjatë vitit të kaluar kanë shënjestruar eksportet kineze të automjeteve elektrike, teksa zyrtarët e saj janë ankuar shpeshherë për mbiprodhimin e industrive kineze.