Lideri i ekstremit të djathtë në Itali, Matteo Salvini, pritet të marrë pjesë në seancën e Senatit që pritet të miratojë një kërkesë të Gjykatës për hetime kundër tij, që mund të shpien deri në gjykim për akuzat e kidnapimit të emigrantëve.
Në korrikun e vitit 2019, Salvini që rriti famën me premtimet për të ndalur ardhjen e afrikanëve, urdhëroi që 131 emigrantë të shpëtuar të mbesin për gjashtë ditë në një anije në Sicili, derisa shtetet evropiane të pajtoheshin për strehimin e tyre.
Gjykata e qytetit në Catania, e specializuar në hetimet kundër ministrave, ka rekomanduar se Salvini duhet të gjykohet me akuzat për mbajtjen ilegale të emigrantëve.
Në rast se shpallet fajtor, kryetari i partisë Liga, mund të dënohet deri në 15 vjet burgim, transmeton KTV. Atij mund t’i ndalohet pjesëmarrja në politikë, duke ia shuar ambiciet që të jetë kryeministër.
Në dokumentet e siguruara nga Reutersi, gjykata e Palermos, ka kërkuar nga parlamenti që të autorizojë nisjen e hetimeve ndaj Salvinit me dyshimin se kidnapoi 107 emigrantë nga një anije spanjolle.
Këta emigrantë qëndruan në anije deri në momentin kur Prokuroria vendosi në ndaljen e anijes dhe evakuimit të tyre nga anija.
Lëvizja e tij e ekstremit të djathtë, gjithashtu është duke u hetuar në dy raste të ndara për pastrim parash dhe korrupsion me dyshimet se tentoi përfitimin e disa miliona eurove përmes një marrëveshjeje sekrete për naftën ruse.