Botë

Prokuroria italiane kërkon 6 vjet burgim për ish-ministrin e Brendshëm

Matteo Salvini

Prokuroria italiane i kërkoi gjykatës të shtunën dënimin e udhëheqësit të partisë së djathtë Lega Nord, Matteo Salvini, me gjashtë vjet burgim, për urdhrin e dhënë në vitin 2019 për të ndaluar zbarkimin e mbi 100 emigrantëve në brigjet e Italisë.

Në atë kohë ish-ministër i brendshëm dhe tashmë në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transporteve në qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni, ai është akuzuar për pengmarrje dhe është në pritje të dënimit për vendimin e tij që i la emigrantët në det të hapur.

Prokurorët patën urdhëruan sekuestrimin e anijes dhe evakuimin e personave që gjendeshin në bord.
Të shtunën, prokuroria kërkoi masën e burgimit për Salvinin, gjatë një seance të mbajtur në Palermo. Vendimi do të merret nga një gjykatës i lartë, pasi ka kaluar tashmë një proces gjyqësor prej tre fazash.
Një vendim përfundimtar mund t’ia ndalojë Salvinit edhe mbajtjen e funksioneve publike.

“Do ta bëja sërish të gjithën nga e para: mbrojtja e kufijve nga emigrantët e paligjshëm nuk është vepër penale”, ka shkruar ai në rrjetin X të shtunën.

Gjatë 14 muajve të mbajtjes së postit të ministrit të brendshëm, Salvini ndali ankorimin e disa anijeve në portet italiane, në përpjekje për të ndalur fluksin e emigrantëve. Ai i pati akuzuar rregullisht organizatat e ndihmave për emigrantët se në thelb inkurajojnë trafikimin e njerëzve.

Partia e Salvinit është pjesë e qeverisë së Melonit të qendrës së djathtës.

“Është e pabesueshme që një ministër i Republikës Italiane të rrezikojë gjashtë vjet burg pse bëri detyrën e tij për mbrojtjen e kufijve të vendit, siç kërkohet nga mandati i dhënë nga qytetarët”, ka thënë Meloni në një postim në rrjetin X. “Ta shndërrosh në vepër penale detyrën për të mbrojtur kufijtë e Italisë nga emigracioni i paligjshëm, është një precedent shumë serioz. Solidaritetin tim të plotë”.

Meloni, e cila erdhi në pushtet në vitin 2022, është zotuar se do të zmbrapsë prurjet e paautorizuara nga Afrika e Veriut me ligje më të ashpra për emigracionin, me kufizimet për organizatat e ndihmave dhe të shpëtimit në det, si dhe planet për të ndërtuar kampe pritjeje për emigrantët në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, ajo ka hapur derën për qindra mijëra emigrantë që të punojnë legalisht në Itali, në përpjekje për të plotësuar boshllëqet e punësimit në vend dhe për të ndalur kontrabandimin e emigrantëve.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se numri i emigrantëve të parregullt që kanë mbërritur në Itali përmes detit deri më tani gjatë vitit 2024 është rreth dy të tretat më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – 44,675 persona.