Finlanda ka thënë se pret që Rusia të shtojë më tej trupat përgjatë kufirit të tyre të përbashkët kur të përfundojë lufta në Ukrainë, pas raportimeve se Moska ka forcuar bazat e saj ushtarake pranë kufirit të shtetit anëtar të NATO-s.
Gjeneral Major Sami Nurmi, kreu i strategjisë së forcave finlandeze të Mbrojtjes, ka thënë se ushtria po ndjek manovrimin e Moskës “nga afër" dhe se ishte detyra e tyre, si pjesë e aleancës së NATO-s, të "përgatiteshin për më të keqen", raporton The Guardian.
Roja kufitare finlandeze ka njoftuar të mërkurën se ka përfunduar 35 km të parë të një gardhi të planifikuar prej 200 km në kufirin e saj lindor me Rusinë. Kufiri është mbyllur për më shumë se një vit pasi Helsinki akuzoi Moskën se i drejton azilkërkuesit në Finlandë në një "operacion hibrid". Gardhi përdor gjithashtu kamera dhe sensorë për të dalluar ndërmjet kalimit të njerëzve dhe kafshëve.
Imazhet satelitore, të publikuara në New York Times, duket se tregojnë një zgjerim të infrastrukturës ushtarake ruse pranë kufirit finlandez, duke përfshirë rreshta tendash, automjete ushtarake, rinovime të strehimoreve të avionëve luftarakë dhe ndërtim në një bazë helikopterësh të papërdorur më parë.
“Ata po ndryshojnë strukturat dhe ne po shohim përgatitje të moderuara kur bëhet fjalë për ndërtimin e infrastrukturës afër kufijve tanë, që do të thotë se ata, sapo të përfundojë lufta në Ukrainë, do të fillojnë të rikthejnë forcat që kanë luftuar në Ukrainë, veçanërisht forcat tokësore”, ka deklaruar Nurmi.
Kjo nuk ishte e papritur që kur Finlanda iu bashkua NATO-s në mënyrë të shpejtë në vitin 2023 pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
"Ata po e bëjnë këtë në faza. Unë do të thoja se janë ende shifra të moderuara. Nuk është ndërtim i madh, por në vende të caktuara po bëhet ndërtimi i infrastrukturës së re dhe përgatitja, sjellja e pajisjeve të reja”, ka thënë ai.
“Duhet gjithashtu të vlerësojmë nëse ata po përgatiten të dërgojnë më shumë trupa në Ukrainë apo po përgatiten të ndërtojnë forcat e tyre pranë kufirit tonë. Por mendoj se ata po i bëjnë të dyja”, ka shtuar Nurmi.