Botë

Nga frika e luftës me Rusinë, Finlanda forcon kufirin verior të NATO-s

finlanda

Finlanda, shteti evropian me kufirin më të gjatë me Rusinë, po përgatitet për ndonjë konflikt të mundshëm, pas luftës në Ukrainë. Sulmi i Kievit më 1 qershor ndaj flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, përfshirë edhe në aeroportin Olenya pranë Finlandës veriore, e solli luftën më afër vendit

(Reuters) - Në një poligon qitjeje, mbi 16 kilometra larg kufirit rus, rezervisti i ushtrisë finlandeze, Janne Latto, hapi bagazhin e veturës së tij dhe nxori një dron të vogël mbikëqyrës dhe një kontrollues, pajisje që ai i sheh si jetësore për çdo konflikt të ardhshëm me fqinjin e Finlandës.

Qëkur pushtimi i Ukrainës e shtyu Helsinkin të bashkohej me NATO-n dy vjet më parë, tensionet që kujtojnë Luftën e Ftohtë janë rishfaqur përgjatë kufirit të pyllëzuar prej 1,340 km, më i gjati i Evropës me Rusinë.

Kombi nordik po fuqizon një forcë rezerviste tashmë të konsiderueshme dhe do të presë një komandë të re të NATO-s, anëtarët e së cilës janë mbledhur në Hagë më 24 dhe 25 qershor për një samit vjetor.

Ende në ndërtim e sipër, një gardh me tela me gjemba tani dominon një pjesë dikur të gjallë të kufirit, të mbyllur nga Finlanda, pasi akuzoi Rusinë se po e përdorte migracionin si armë. Qendrat tregtare dhe restorantet që gumëzhinin nga vizitorët rusë janë qetësuar.

Nga ana tjetër, Rusia ka filluar ngadalë të pastrojë bazat ushtarake të epokës sovjetike, tregojnë imazhet satelitore. Sulmi i Kievit më 1 qershor ndaj flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, përfshirë edhe në aeroportin Olenya pranë Finlandës veriore, e solli luftën më afër vendit.

Reuters ka folur me dhjetëra njerëz në rajonin kufitar të Finlandës, ku zhvillimet e fundit ua kanë pamundësuar shumë prej tyre për të vizituar të afërmit dhe kanë shkaktuar po ashtu humbje ekonomike. Të tjerë mbështetën masat, duke përmendur nevojën për t'u përgatitur dhe për të penguar konfliktet e ardhshme.

Në poligonin e qitjes, pranë qytetit buzë liqenit - Lappeenranta, rreth 160 km nga qyteti i dytë i Rusisë, Shën Petersburg, Latto, 47 vjeç, tha se rezervistët po stërviteshin me tre dronë, përfshirë automjetin mbikëqyrës Parrot Anafi, të përdorur nga ushtritë profesionale të disa anëtarëve të NATO-s, përfshirë Finlandën.

Një grant nga shoqata e grupeve rezerviste të Finlandës nënkuptonte se dhjetë të tjerë ishin të porositur për të ardhur, tha ai.

Sulmi i vitit 2022 ndaj Ukrainës e ngurtësoi perceptimin e 47-vjeçarit Latto për Rusinë.

"Po sikur të vendosin të vijnë dhe të ndryshojnë kufirin, ashtu siç shkuan në Ukrainë?" tha Latto, i cili drejton një biznes të vogël që monton tabela neoni dhe billboarde. Ai kujtoi përpjekjet sovjetike për të pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se si Finlanda u detyrua t’ia lëshonte Rusisë afërsisht 10% të territorit të saj, përfshirë Ayrapaan, një komunë aty pranë, për të cilën gjyshi i tij vdiq duke e mbrojtur në vitin 1944.

Të dyja vendet këmbëngulin se nuk përbëjnë kërcënim për tjetrën. Presidenti finlandez, Alexander Stubb, ka thënë se një nivel i caktuar i përforcimit rus është një përgjigje normale ndaj pranimit të Helsinkit në NATO, i cili dyfishoi gjatësinë e kufirit të Rusisë me aleancën.

Megjithatë, një raport i mbrojtjes së qeverisë finlandeze në fund të vitit të kaluar përshkroi "një rrezik të shtuar të një konflikti të armatosur", duke përmendur zhvillimin e aftësive ushtarake të Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe duke thënë se Moska kishte ambicie për të krijuar një "zonë neutrale" nga Arktiku në Evropën Jugore.

Që atëherë Finlanda ka njoftuar për plane për të grumbulluar mina tokësore. Ajo i ndaloi shtetasit e dyfishtë finlandezo-rusë të fluturonin dronë dhe rusët të blinin prona, dhe këtë javë paralajmëroi se sinjalet celulare ishin ndërprerë në rajonet pranë Rusisë.

"Finlanda është përgjegjëse për më shumë se gjysmën e të gjithë kufirit tokësor midis vendeve të NATO-s dhe Rusisë", shkroi ministrja e Jashtme, Elina Valtonen, në X të enjten, duke thënë se qëndrimi mbrojtës i vendit ishte të siguronte që kufiri "të mbetet i paprekshëm".

Presidenca e Finlandës nuk pranoi të komentonte për këtë artikull. Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Presidenti Vladimir Putin mohoi të mërkurën çdo plan për të sulmuar NATO-n. Ai tha se nuk e shihte riarmatimin e NATO-s si një kërcënim. Mirëpo, pasi Finlanda iu bashkua aleancës, Moska njoftoi për plane për të forcuar kapacitetin ushtarak në perëndim dhe veriperëndim të Rusisë.

Aktivitetet e rezervistëve finlandezë, të cilët përdorin gjithashtu armë zjarri në praktikën e shënjestrës, janë vullnetare, megjithëse shumica e kanë përfunduar rekrutimin ushtarak për burra në Finlandë, i cili është prej kohësh i detyrueshëm.

Më shumë se 50,000 finlandezë marrin pjesë në klube të tilla, më shumë se një çerek më tepër se para luftës në Ukrainë, sipas Shoqatës së Rezervistëve Finlandezë.

Finlanda e ka rritur kufirin e moshës së rezervistëve në 65 vjeç për të shtuar 125,000 trupa në një ushtri të kohës së luftës dhe për ta çuar numrin e rezervistëve në një milion deri në vitin 2031.

Janne Latto e mirëpriti shërbimin e zgjatur ushtarak, duke thënë se rezervistët më të vjetër mund të jenë operatorë të dronëve ose radarëve.

"Nuk keni nevojë të vraponi me këmbësorinë për të qenë pjesë e fushëbetejës moderne", tha Latto.

Finlanda, me popullsi prej 5.8 milionë banorësh, synon të ketë 1 milion rezervistë ushtarakë deri në vitin 2031.

Familjet e ndara

Disa biznese janë të pakënaqura me ndryshimet. Qendrat tregtare dhe restorantet, që dikur ishin plot me vizitorë rusë, janë dukshëm më të zbrazëta. Deri në 13 milionë udhëtime vjetore ndërkufitare kanë mbaruar, duke prekur shtetasit me dy shtetësi me familje në Rusi.

Zhdukja e turistëve rusë dhe mungesa e tregtisë kanë marrë të paktën 300 milionë euro në vit nga një ekonomi lokale prej 5.5 miliardë eurosh, tha këshilli i rajonit. Papunësia u rrit në gati 15% në fund të vitit të kaluar, më e lartë se mesatarja kombëtare.

Pronarja e dyqaneve antike Janne Tarvainen tha se më parë disa vendas u ankuan se vizitorët rusë e kishin bërë të vështirë të bënin rezervime në restorante ose të gjenin vende parkimi.

"E shihja këtë ndryshe - paratë po hynin në qytet", tha Tarvainen, e cila tani po kërkon blerës online për të zëvendësuar numrin e vizitorëve rusë.

Oksana Serebriakova, 50 vjeç, gjyshi i së cilës ishte finlandez, u zhvendos në Lappeenranta nga Moska pas pandemisë COVID-19 duke kërkuar mundësi më të mira për djalin e saj 17-vjeçar Vitalik. Djali i saj i madh dhe babai i djemve qëndruan në kryeqytetin rus, me plane për vizita të shpeshta.

“Mbyllja e kufirit e ka ndarë familjen, duke krijuar një situatë shumë të trishtueshme”, tha Serebriakova, e cila po studion në administrim biznesi në një kolegj profesional lokal.

Problemi i migracionit “mund të ishte zgjidhur” me masa të tilla si kontrolle të rrepta në pikat e hyrjes të ngjashme me aeroportet, sugjeroi ajo.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Finlanda ka rreth 38,000 shtetas të dyfishtë, dukshëm më pak se vendet e tjera që kufizohen me Rusinë. Rreth 420,000 finlandezë që jetonin në territorin e marrë nga Rusia pas Luftës së Dytë Botërore u vendosën në Finlandë.

Ivan Deviatkin, një politikan lokal që ka një djalë në Finlandë dhe nënën e moshuar në Rusi, e kundërshtoi pa sukses mbylljen e kufirit në gjykatat e Finlandës. Nëntë paditës tani kanë një ankesë në pritje të seancës dëgjimore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila i ka kërkuar Finlandës të justifikojë mbylljen.

Rivendosja e kufijve

Për dekada pas Luftës së Dytë Botërore, Finlanda hapi gradualisht lidhjet tregtare dhe të udhëtimit me Rusinë. Megjithatë, tani, autostrada E18 që lidh Helsinkin dhe Shën Petersburgun, si dhe rrugë të tjera më parë të ngarkuara, përfundojnë papritur në barrikada metalike në kufi.

“Ne kemi kaluar nga një epokë e heqjes së kufijve në një epokë të rivendosjes së kufijve”, thotë Samuel Siljanen, shef i Operacioneve të Gardës Kufitare Finlandeze.

Finlanda mbylli kufirin për shkak të mbërritjes së emigrantëve pa dokumente në vitin 2023, gjë që Helsinki e konsideroi si një përgjigje të politikës ruse ndaj pranimit të saj në NATO. Moska tha se po u përmbahej rregullave dhe se Finlanda kishte miratuar një qëndrim antirus.

Në atë kohë, vija kufitare ishte mezi e dukshme, kryesisht e shënuar vetëm nga shtylla ose një pengesë e ulët për të mbajtur kafshët shtëpiake larg, me një shteg të vogël për patrulla të rastit.

Në vend të kësaj, Finlanda po ndërton 200 km gardh të lartë 4.5 metra, të mbushur me kamera dhe sensorë lëvizjeje në zonat më të kalueshme të kufirit të mbuluar me pyje në gjatësi prej 1,340 km.

“Ndryshimet kanë pasur një ndikim të madh, shumë të madh", tha Siljanen.

“Kemi kaluar nga një epokë e dekonfigurimit në një epokë të rikonfigurimit”, shtoi ai.

Komanda e NATO-s

Shpresat për një ulje të shpejtë të tensioneve janë të pakta. Helsinki beson se Rusia do të përforcojë rajonin fqinj ushtarak të Leningradit sapo të përfundojë lufta në Ukrainë, sipas presidentit Stubb, megjithëse ai minimizon çdo kërcënim nga Rusia deri më tani.

Pas kufirit, imazhet satelitore tregojnë se Rusia po kryen disa punime, duke përfshirë ndërtimin e depove të reja.

Një zyrtar i lartë qeveritar në dijeni të planifikimit ushtarak të Finlandës e përshkroi një punë të tillë si të vogël dhe jo një kërcënim. Finlanda ka pasur prej kohësh një ushtri të fortë. Ajo ka porositur 64 avionë F-35 të prodhuar në SHBA për të modernizuar flotën e saj të avionëve luftarakë. Ajo ka arsenalin më të madh të artilerisë në Evropën Perëndimore, tha një zyrtar tjetër.

Është e rëndësishme “t’i bëhet me dije në mënyrë të besueshme Rusisë se nuk ia vlen”, tha bashkëpunëtori i Chatham House, Minna Alander, hulumtimi i së cilës përfshin punë mbi sigurinë finlandeze dhe të Evropës Veriore. Ajo tha se Finlanda nuk ishte një kërcënim për Rusinë.

“NATO-ja nuk do ta sulmojë kurrë Rusinë dhe besoj se ata e dinë këtë”, tha Alander.

Selia e re veriore e NATO-s do të presë rreth 50 oficerë nga vende të tjera, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me Komandën e Ushtrisë Finlandeze, në qytetin lindor finlandez të Mikkelit, dy orë larg me veturë nga kufiri.

“Në rast se ndonjëherë hyjmë në një konflikt, kjo seli do të punojë së bashku me forcat e NATO-s në një rol komandues dhe kontrollues”, tha për Reuters gjatë një vizite në Finlandë, brigadier Chris Gent i Komandës Tokësore Aleate.