Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia rrethon Kievin e vendosur të rezistojë

Forcat ushtarake dhe vullnetare të Ukrainës janë përgatitur për një sulm të gjithanshëm. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të shtunën ka thënë se Rusisë do t'i duhej të bombardonte kryeqytetin ukrainas dhe të vriste banorët e saj për të marrë qytetin. “Ata do të vijnë këtu vetëm nëse na vrasin të gjithëve”, ka thënë ai. “Nëse ky është qëllimi i tyre, le të vijnë”. Ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur se forcat ruse kanë kapur pjesët lindore të Mariupolit, duke zënë ngushtë qytetin strategjik

Ushtria pushtuese e Rusisë ka vazhduar bombardimin e qytetit të Mariupolit dhe të shtunën cak ka qenë xhamia e qytetit në të cilën po strehoheshin 80 persona. Bombardime dhe luftime nga afër ka pasur në periferi të kryeqytetit, Kievit, teksa Rusia po ashpërson planin ushtarak ndaj qyteteve rezistuese.

Mariupoli, qytet me 446 mijë banorë, ka përjetuar ditët më të rënda qëkur Rusia nisi pushtimin. Bombardimet e njëpasnjëshme kanë pamundësuar furnizimin e qytetit me bukë, ujë dhe ilaçe. Mijëra civilë nuk kanë arritur të ikin nga qyteti i rrethuar. Bombardimet kanë pamundësuar edhe varrosjen e shpejtë të të vrarëve nëpër varreza masive.

Qeveria ukrainase ka thënë të shtunën se Xhamia Sultan Sylejmanit është goditur, por burime të pakonfirmuara kanë raportuar se udhëheqësit fetarë e kanë thënë të kundërtën. Se xhamia është kursyer nga bombardimet që kanë vazhduar 700 metra larg saj. Është raportuar se 80 banorë, së paku 34 fëmijë, po fshiheshin brenda xhamisë.

“Janë duke e bombarduar Mariupolin 24 orë në ditë. E kanë sulmuar me raketa. Është urrejtje. Po vrasin fëmijë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në një adresim online.

Tanket kanë goditur ndërtesën nëntëkatëshe në Mariupol, ndërkaq dhjetëra punëtorë të spitalit kanë qenë cak i një snajperi të premten. Njëri prej tyre është goditur, por ka mbijetuar. Ndërkaq, gjendja në spitale është shumë e rëndë: energjia elektrike është e rezervuar vetëm për tavolinat e operacioneve, ndërkaq njerëzit që nuk kanë nga të shkojnë kanë mbushur korridoret.

Në mesin e tyre ishte edhe Anastasiya Erashova. Me lot në sy mbante fëmijën e fjetur. Ka rrëfyer se nga mortaja ka vdekur fëmija i saj dhe i vëllait.

“Erdhëm te shtëpia e vëllait. Gratë dhe fëmijët qëndronin në bodrum dhe një raketë goditi ndërtesën. U ngujuam dhe dy fëmijë vdiqën. Askush nuk mundi t’i shpëtonte”, ka thënë Erashova e plagosur.

Bisedimet pa efekte

Ndërkohë, liderët francezë dhe gjermanë kanë folur të shtunën me presidentin, Vladimir Putin në një dështim të radhës për të arritur armëpushimin. Sipas Kremlinit, Putini ka shpalosur kushtet për fundin e luftës, përfshirë çarmatosjen e Ukrainës dhe dorëzimin e territorit.

Ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur se forcat ruse kanë kapur pjesët lindore të Mariupolit, duke zënë ngushtë qytetin strategjik. Marrja nën kontroll e këtij qyteti dhe porteve të tjera në Detin Azov, do t’ia mundësonte Rusisë një korridor tokësor me Krimenë, të cilën e pushtoi nga Ukraina në vitin 2014.

Zelenskyy ka inkurajuar popullin e tij që të vazhdojë rezistencën, gjë që shumë analistë janë të mendimit se ka penguar pushtimin e shpejtë dhe fitoren ushtarake që Kremlini po i priste gjatë planifikimit të pushtimit.

“Fakti që i gjithë populli ukrainas u reziston këtyre pushtuesve tashmë ka hyrë në histori, por ne nuk kemi të drejtë të heqim dorë nga mbrojtja, sado e vështirë të jetë për ne”, ka thënë ai. Më vonë gjatë së shtunës, Zelenskyy ka raportuar për 1 mijë e 300 ushtarë të vrarë qëkur nisi pushtimi rus më 24 shkurt.

Zelenskyy ka shprehur keqardhjen përsëri për refuzimin e NATO-s që të shpallë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë dhe ka thënë se Ukraina ka kërkuar mënyra për të ruajtur asetet e mbrojtjes ajrore.

Ai ka akuzuar gjithashtu Rusinë se po përdor “një fazë të re terrori” me rrëmbimin e dyshuar të kryetarit të bashkisë së Melitopolit, qytet 192 kilometra në perëndim të Mariupolit. Pasi banorët e qytetit të pushtuar demonstruan për lirimin e kryetarit të bashkisë të shtunën, udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje forcave ruse që t'u kushtojnë vëmendje thirrjeve.

“Ju lutem dëgjoni në Moskë!”, ka thënë Zelenskyy. “Një tjetër protestë kundër trupave ruse, kundër përpjekjeve për të gjunjëzuar qytetin”.

Në zona të shumta rreth kryeqytetit, breshëritë e artilerisë i shtynë banorët të nxitonin për strehim teksa dëgjoheshin sirenat e sulmeve ajrore. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka deklaruar se forcat tokësore ruse që ishin grumbulluar në veri të Kievit për pjesën më të madhe të luftës ishin afruar 25 kilometra nga qendra e qytetit dhe ishin përhapur, me gjasë për të mbështetur një tentativë rrethimi.

Image
Mariupoli, qytet me 446 mijë banorë, ka përjetuar ditët më të rënda qëkur Rusia nisi pushtimin. Bombardimet e njëpasnjëshme kanë pamundësuar furnizimin e qytetit me bukë, ujë dhe ilaçe...

Teksa artileria ka goditur periferinë veriperëndimore të Kievit, tymi është ngritur në jugperëndim të kryeqytetit pas një sulmi në një depo municioni në qytetin e Vasylkiv. Një depo e ushqimit të ngrirë jashtë kryeqytetit gjithashtu është goditur në një përpjekje të dukshme për të penguar furnizimin me ushqime të Kievit.

Forcat ushtarake dhe vullnetare të Ukrainës janë përgatitur për një sulm të gjithanshëm. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë të enjten se rreth 2 milionë njerëz, gjysma e banorëve të zonës metropolitane, ishin larguar dhe se “çdo rrugë, çdo shtëpi ... është duke u fortifikuar”.

Zelenskyy të shtunën ka thënë se Rusisë do t'i duhej të bombardonte kryeqytetin ukrainas dhe të vriste banorët e saj për të marrë qytetin.

“Ata do të vijnë këtu vetëm nëse na vrasin të gjithëve”, ka thënë ai. “Nëse ky është qëllimi i tyre, le të vijnë”.

Putini ka zhvilluar një telefonatë 90-minutëshe me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të shtunën. Putini ka folur për “çështjet që lidhen me marrëveshjet në diskutim për zbatimin e kërkesave ruse” për përfundimin e luftës, ka njoftuar Kremlini pa dhënë detaje të tjera.

Për t'u dhënë fund armiqësive, Moska ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga oferta për t'u anëtarësuar në NATO dhe të miratojë një status neutral; të njohë sovranitetin rus mbi Krimenë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014; të njohë pavarësinë e rajoneve separatiste në lindje të vendit; dhe të bien dakord të çmilitarizohen.

Zelenskyy i ka thënë kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, të shtunën se do të ishte i hapur për të takuar Putinin në Jerusalem për të diskutuar fundin e luftës, por fillimisht do të duhej të kishte armëpushim. Bennett së fundmi është takuar në Moskë me Putinin, i cili ka injoruar ofertat e mëparshme për bisedime nga Zelenskyy.

Shtrëngimi i ngadalshëm i lakut nga Rusia rreth Kievit dhe bombardimi i qyteteve të tjera pasqyrojnë taktikat që forcat ruse kanë përdorur më parë në fushata të tjera, veçanërisht në Siri dhe Çeçeni, për të shtypur rezistencën e armatosur.

Ambasada e Ukrainës në Turqi ka bërë të ditur se 86 shtetas turq, përfshirë 34 fëmijë, ishin ata që ishin strehuar në xhaminë e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm dhe gruas së tij Roksolana në Mariupol, e cila ishte modeluar sipas një prej xhamive më të famshme dhe më të mëdha në Stamboll.

Përpara se Mariupoli të bëhej objektiv i konfliktit më të madh tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, qyteti promovoi ndërtesën me mure të bardha dhe minaren e saj të lartë si atraksion piktoresk. Numri i të vdekurve në Mariupol ka kaluar 1,500 të premten, nga 12 ditët e sulmit, ka njoftuar zyra e kryetarit të bashkisë.

Me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë në Mariupol, punonjësit e ndihmës dhe autoritetet ukrainase përshkruan një katastrofë humanitare. Grupi i ndihmës “Mjekët pa Kufij” ka deklaruar se banorët e Mariupol po vdesin nga mungesa e mjekimeve dhe po kullojnë tubat e ngrohjes për ujin e pijshëm.

Forcat ruse kanë goditur dy spitale dhe objekte mjekësore që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Zyrtarët ukrainas kanë raportuar të shtunën se artileria e rëndë dëmtoi një spital të onkologjisë dhe disa ndërtesa banimi në Mykolaiv, qytet 489 kilometra në perëndim të Mariupolit.

Mjeku kryesor i spitalit, Maksim Beznosenko, ka thënë se disa qindra pacientë ishin në objekt gjatë sulmit, por askush nuk ka vdekur.

Pushtuesit rusë duket se kanë luftuar shumë më tepër sesa pritej kundër luftëtarëve të vendosur ukrainas. Megjithatë, ushtria më e fortë e Rusisë kërcënon të shkatërrojë forcat ukrainase, pavarësisht fluksit të vazhdueshëm të armëve dhe ndihmave të tjera nga Perëndimi për qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës me qëndrime perëndimore.

Një diplomat i lartë rus paralajmëroi se Moska mund të sulmojë dërgesat e huaja të pajisjeve ushtarake në Ukrainë.

Duke folur të shtunën, zëvendësministri i jashtëm, Sergei Ryabkov, ka thënë se Moska ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara “se pompimi i armëve nga një numër vendesh që ajo orkestron, nuk është vetëm një veprim i rrezikshëm – është një veprim që i bën ato autokolona objektiva legjitime”.

Trupat ruse ka të ngjarë të forcohen së shpejti nga jashtë.

Denis Pushilin, kreu i një rajoni separatist në Ukrainën lindore, i mbështetur nga Rusia, ka thënë të shtunën se ai pret që “mijëra” luftëtarë nga Lindja e Mesme të bashkohen me rebelët dhe të luftojnë krah për krah kundër ushtrisë ukrainase.

Mijëra ushtarë nga të dyja palët besohet se janë vrarë së bashku me shumë civilë. Të paktën 2.5 milionë njerëz janë larguar nga vendi, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Zyra e kryeprokurorit ukrainas ka bërë të ditur të shtunën se të paktën 79 fëmijë janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur. Shumica e viktimave ishin në rajonet e Kievit, Kharkivit, Donetskut, Sumyt, Khersonit dhe Zhytomyrit duke vënë në dukje se shifrat nuk janë përfundimtare, sepse luftimet aktive po vazhdojnë.

Image
Ushtarë ukrainas, të shtunën, në afërsi të lumit Irpin

Jeta në luftë

Qindra ukrainas janë duke jetuar në stacionet e metrove të shndërruara në strehë teksa Ushtria ruse ka vazhduar bombardimin e Kharkivit. Shumë prej banorëve të qytetit kanë kaluar kohën në nëntokë, qëkur nisën këto bombardime. Një prej tyre është edhe Katerina, e cila ende ruan lulet që bashkëshorti ia dhuroi për 8 Mars.

“Këto 15 ditë kanë qenë të vështira. Shtëpia jonë nuk është shkatërruar, por shumica këtu kanë humbur banesat dhe shtëpitë e tyre. Është e frikshme. Më e frikshmja është se po humbin jetët. Gjërat materiale nuk kanë më rëndësi. Nuk kanë më rëndësi gjërat për të cilat keni ëndërruar... Sikur veç të mbijetonim”, ka thënë Katerina.

Në ditët e bombardimeve, banori i quajtur Oleksandr ka thënë se mungesa e internetit ka nxitur njerëzit që të shoqërohen me njëri-tjetrin.

“Nuk ka qasje në internet brenda metrove – duhet të dalim pak jashtë që të dërgojmë mesazhe dhe t’i lexojmë lajmet. Kjo është arsyeja se përse njerëzit shëtisin qentë nëpër hekurudhë, ecin me fëmijët, njoftohen me njëri-tjetrin se prej nga vijnë dhe ndajnë lajmet që dinë”, ka thënë ai.

Yevhenia thotë se është e tmerruar nga deklaratat e Rusisë se Ukraina nuk është shtet.

“Nuk jam naziste, as nacionaliste. Nuk e di si mund ta bëjnë këtë edhe nëse thonë se ukrainasit nuk kanë shtet? Atëherë kush jemi ne?”, ka thënë ajo.

Në ditët e fundit, Qeveria ukrainase ka evokuar banorët e Kharkivit nëpërmjet korridoreve humanitare.

Përgatiti Gent Mehmeti

Artikuj të ngjashëm