Rusia ka vazhduar ta bombardojë periferinë e Kievit si pjesë e planit për ta rrethuar kryeqytetin, ndërkaq tmerrin është duke e përjetuar edhe qyteti port i Mariupolit.
Ushtria ka vazhduar bombardimin e qytetit të Mariupolit dhe të shtunën cak i tyre ka qenë xhamia e qytetit në të cilën po strehoheshin 80 persona.
Qeveria ukrainase ka bërë të ditur se luftimet kanë vazhduar në periferi të Kievit. Ushtria ruse besohet se i është afruar kryeqytetit deri në 25 kilometra.
Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për të vrarë nga bombardimi i xhamisë së Mariupolit, qyteti më i goditur nga forca pushtuese e Rusisë.
Ambasada ukrainase në Turqi ka bërë të ditur se 86 shtetas turq, përfshirë 34 fëmijë, po strehoheshin në xhaminë Sulltan Sulejmaini i Madhërishëm.
Edhe
Rusia rrethon Kievin e vendosur të rezistojë
Përreth Kievit, artileria ruse ka bombarduar disa zona të banuara. Shtetet perëndimore kanë bërë të ditur se Ushtria ruse është duke u tubuar në veri të kryeqytetit ukrainas.
Ushtarët rusë janë shpërndarë nëpër zona me qëllim që të rrethohet në tërësi Kievi.
Ushtria ukrainase dhe forcat vullnetare janë duke u përgatitur për një sulm masiv nga forcat ruse. Nga kryeqyteti janë larguar 2 milionë banorë.
Rrethimi i ngadaltë dhe i ashpër i Kievit dhe bombardimet e shpeshta janë taktikë që Rusia i ka përdorur edhe në fushatat e mëhershme ushtarake, sidomos në Siri dhe në Çeçeni. Këtë taktikë e përdor për të shtypur rezistencën e armatosur.
Katerina Lugina, 14-vjeçare, banore e Kievit, tregon se Ushtria ruse është në panik. Nga të shtënat është plagosur.
“Po iknim nga shtëpia e gjyshes dhe ata filluan të shtënat në drejtim tonin. Ushtria ruse dukej në panik. Ishin të frikësuar dhe gjuanin ndaj çdo gjëje që lëvizte”, ka thënë ajo.
Situatë më e rëndë është në Mariupol. Nëna Anasatsiya Erashova ka humbur njërin fëmijë.
“Erdhëm te shtëpia e vëllait. Gratë dhe fëmijët qëndronin në bodrum dhe një raketë goditi ndërtesën. U ngujuam dhe dy fëmijë vdiqën. Askush nuk mundi t’i shpëtonte”, është shprehur Erashova.
Edhe
Rusia fshin identitetin ukrainas në Mariupol
Mariupoli me portin strategjik në Detin e Zi është cak i sulmeve të Ushtrisë ruse, që me marrjen nën kontroll të këtij qyteti dëshiron të furnizohet nga deti.
Në këtë qytet, deri të shtunën, janë konfirmuar të vrarë 1 mijë e 500 persona.