Qindra civilë, duke përfshirë shumë fëmijë, janë ende të bllokuar nën rrënojat e “Azovstal”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës. Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 15 janë plagosur pas një sulmi në një fabrikë në Ukrainën lindore. Granatimet ruse filluan derisa punëtorët prisnin të merrnin autobusin për në shtëpi
Më shumë se 100 të evakuuar kanë mbërritur me autobusë në qytetin Zaporizhzhia të kontrolluar nga Ukraina. Shumë prej tyre ishin strehuar për muaj të tërë nën fabrikën e çelikut “Azovstal” në qytetin e shkatërruar të Mariupolit.
Kryqi i Kuq tha se ishte i kënaqur që evakuimi u krye me sukses, por ishte i frustruar se shumë njerëz të tjerë mbetën në "ferr". Qindra civilë, duke përfshirë shumë fëmijë, janë ende të bllokuar nën rrënojat e “Azovstal”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës.
Macroni telefonon përsëri Putinin
Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 15 janë plagosur pas një sulmi në një fabrikë në Ukrainën lindore. Granatimet ruse filluan derisa punëtorët prisnin të merrnin autobusin për në shtëpi, thanë zyrtarët lokalë. Ka raporte për shpërthime në qytetin perëndimor Lviv.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Rusisë që t'i japë fund "agresionit të saj shkatërrues". Ai ka folur në telefon me presidentin Vladimir Putin, thanë zyrtarët francezë.
Edhe
Brenda Azovstalit të shkatërruar e të pushtuar
Ndërkohë, Moska tha se Putini i tha Macronit se Perëndimi po "injoronte krimet e luftës në Ukrainë".
Kryeministri indian, Narendra Modi, bëri thirrje për armëpushim dhe u kërkoi të dyja palëve të angazhohen në bisedimet e paqes. Kjo thirrje vjen pasi India u përball me kritika për qëndrimin e saj neutral ndaj luftës.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, tha se Perëndimi ishte treguar "shumë i ngadalshëm për të kuptuar atë që po ndodhte në të vërtetë" në Ukrainë. Këtë qëndrim e shprehu në një fjalim adresuar deputetëve ukrainas.
Shtetet e NATO-s alarmohen në prag të “Ditës ruse të Fitores”
Presidenti rus, Vlladimir Putin, mund t'i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës që më 9 maj, një veprim që do të mundësonte mobilizimin e plotë të forcave rezervë të Rusisë, ndërsa përpjekjet për pushtim vazhdojnë të lëkunden, besojnë zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë. 9 maji, i njohur si "Dita e Fitores" brenda Rusisë, përkujton humbjen që Rusia ua shkaktoi nazistëve në vitin 1945.
Zyrtarët perëndimorë kanë besuar prej kohësh se Putini do të përdorte rëndësinë simbolike dhe vlerën propagandistike të asaj dite për të shpallur një arritje ushtarake në Ukrainë. Deri më sot Putini ka këmbëngulur t'i referohet konfliktit brutal si "operacion ushtarak special".
Kryeministri italian, Mario Draghi, bëri thirrje të martën që Evropa të lëvizë më shpejt drejt integrimit më të madh të mbrojtjes, pas pushtimit rus të Ukrainës. Duke folur në Parlamentin evropian në Strasburg, Draghi tha se ndërtimi i mbrojtjes "së përbashkët" "duhet të shoqërohet me politikë të jashtme të bashkuar".
Kthimi në shtëpitë e shkatërruara
Disa familje të zhvendosura nga Mariupoli po kthehen dhe po i meremetojnë shtëpitë e shkatërruara, megjithëse në qytetin strategjik ende ka luftime ndërmjet trupave ruse dhe atyre ukrainase. Banorët thonë se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë prej vendlindjes së tyre.
Valentina Dmitriyeva dhe familja e saj kaluan javë të tëra në bodrumin e shtëpisë së tyre që u dëmtua rëndë nga bombardimet.
Banorët u kthyen vetëm dhjetë ditë më parë.
Tani djali i saj, Mykhaili, po riparon çatinë me panele të vjetra druri, pasi nuk ka materiale ndërtimi në dispozicion.
“Nuk ka tavane. E keni parë vetë. Uji po pikon në dysheme, kështu që dyshemeja mund të kalbet. Kush do ta meremetojë, kush do ta ndihmojë? Askush nuk do të ndihmojë. Ishim me fat, djali im ka pak material ndërtimi për garazhin. Garazhi u rrëzua, kuzhina u rrëzua”, ka theksuar Valentina Dmitriyeva, banore e Mariupolit. “Tani erdhi mbesa ime me të dashurin e saj, djali po punon, kështu që po e meremetojmë vetë. Nuk ka tjegulla, nuk di, nuk di”.
“Do të vijë dita jonë!”
Edhe
Bie fortifikata e fundit ukrainase në qytetin port
Mykhaili po punon me vullnet të madh në shtëpinë e tij të dëmtuar.
"Ata thonë se do të mbajnë paradë, kështu që unë do të rruhem më 9 maj atëherë. A ndodh, a keni dëgjuar? Do të vijë dita jonë!” – ka thënë ai.
Mykhaili u referohet raporteve se Rusia po planifikon të organizojë një paradë ushtarake në Mariupol më 9 maj për të shënuar përvjetorin e fitores ndaj nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Familja e Valentinës ishte me fat që shtëpia e tyre mbijetoi pasi katër shtëpi fqinje u shkatërruan plotësisht. Valentina nuk e ka ndërmend të nisë jetën në një vend tjetër.
"E dini, shtëpia është shtëpi. Mund të jetë e dëmtuar, por unë kam lugën, pirunin dhe pjatën time këtu. Nuk kam ku të shkoj me pensionin që kam. Nuk e kemi në plan të ikim”, thotë ajo.
Ajo shpreson se më nuk do të detyrohet ta lëshojë shtëpinë.
Finlanda dhe Suedia, pa qëndrim të prerë për anëtarësim në NATO
Në Berlin, udhëheqëset e Finlandës dhe Suedisë treguan të martën se qeveritë e tyre nuk kanë vendosur ende nëse do të anëtarësohen në NATO, por theksuan bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë me vendet e tjera evropiane përballë agresionit rus kundër Ukrainës.
Duke folur pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Sholc, kryeministrja e Finlandës, Sana Marin, tha se sulmi rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar plotësisht mjedisin e sigurisë dhe nuk ka kthim prapa. "Ne duhet të vendosim nëse do të aplikojmë për anëtarësim në NATO apo do të vazhdojmë në rrugën tonë aktuale", tha ajo. "Ky është diskutimi që po bëjmë tani në Parlamentin tonë kombëtar”.
Homologia e saj suedeze, Magdalena Anderson, tha se Parlamenti i vendit nordik po kryen një rishikim të sigurisë që do të prezantohet më 13 maj. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se të dy vendet do të ishin të mirëpritura nëse vendosin të bashkohen me organizatën ushtarake prej 30 vendesh dhe mund të bëhen anëtare shumë shpejt.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës viziton Kievin
Ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod, vizitoi Kievin gjatë rihapjes së Ambasadës daneze në kryeqytetin ukrainas. Ai pati gjithashtu takime me homologun Dimitro Kuleba dhe presidentin Volodymyr Zelenskyy.
Kofod tha se tregoi "mbështetje të plotë" për transferimin e armëve, sanksionet ndaj Rusisë, por edhe ndihmën humanitare. Takimi i liderit nordik vjen, ndërsa fqinjët e saj, Suedia dhe Finlanda, po debatojnë për anëtarësimin në NATO.
Danimarka, anëtare themeluese e Aleancës, theksoi se anëtarësimi suedez dhe finlandez do ta bënte NATO-n "që të ketë një aleancë më të madhe, madje edhe më të fortë". Moska ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të kishte pasoja, por nuk ka dhënë detaje.
Edhe
Rusia pretendon se e ka pushtuar tërësisht Mariupolin
Megjithatë, të premten një avion ushtarak rus shkeli hapësirën ajrore suedeze dhe daneze. Më herët Kofodi vizitoi Irpinin në periferi të Kievit për të parë nga afër shkatërrimin nga lufta.
Përgatiti: Rexhep Maloku