Zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden, gjithashtu ka vizituar Ukrainën pa asnjë paralajmërim. Ajo ishte për vizitë për Ditën e Nënës së bashku me Zonjën e parë ukrainase, Olena Zelenska. Të dyja e kanë vizituar shkollën e fshatit teksa Rusia po vazhdonte bombardimet në pjesën lindore të Ukrainës.
Luhansk, 8 maj (AP) - Dhjetëra ukrainas dyshohet se kanë vdekur të dielën pasi një bombë ruse bëri rrafsh me tokë një shkollë në bodrumin e së cilës po strehoheshin 90 civilë, teksa trupat ukrainase refuzuan të dorëzoheshin në fabrikë e rrethuar të çelikut në Mariupol. Këtë fabrikë rusët duan ta marrin nën kontroll para festës së Ditës së Fitores në Rusi.
Guvernatori i provincës Luhansk, një nga dy zonat që përbëjnë zemrën industriale lindore të njohur si Donbas, ka thënë se shkolla në fshatin Bilohorivka mori zjarr pas bombardimeve të së shtunës. Ekipet e emergjencës gjetën dy trupa të vdekur, ndërkaq 30 të tjerë janë shpëtuar.
“Me shumë gjasa, 60 njerëzit që mbeten nën rrënoja tani janë të vdekur”, ka thënë Serhiy Haidai në aplikacionin e mesazheve Telegram. Granatimet ruse lanë të vdekur edhe dy djem 11 dhe 14 vjeç në qytetin e afërt të Pryvillia, ka thënë ai.
Konflikti më i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore është shndërruar në luftë ndëshkuese për shkak të rezistencës së madhe të ushtrisë ukrainase. Që prej dështimit për të pushtuar kryeqytetin Kievin, forcat e Moskës kanë sulmuar qytete, qyteza dhe fshatra në Ukrainën lindore dhe jugore, por nuk kanë fituar shumë terren, kanë thënë analistët ushtarakë të Perëndimit.
Dita e Fitores
Edhe
Ukraina përgatitet për sulme të përshkallëzuara ruse
Për të demonstruar suksesin në kohë për Ditën e Fitores të hënën, ushtria ruse ishte angazhuar që të merrte kontrollin e plotë të Mariupolit, qytet që ka qenë nën sulme të pamëshirshme që prej fillimit të luftës. Fabrika e madhe e çelikut buzë detit, të cilën janë duke e mbrojtur 2 mijë ushtarë ukrainas, është fortifikata e fundit e Ukrainës në qytetin detar.
Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit që në muajt e fundit janë strehuar në fabrikë së bashku me ushtarët, janë evakuuar të shtunën. Ushtria ukrainase ka refuzuar të gjitha afatet e dorëzimit. Rusët kanë insistuar se ushtarët ukrainas do të mund të largoheshin nëse dorëzojnë armët.
Kapiteni Sviatoslav Palamar, zëvendëskomandanti i Regjimentit Azov, batalion i Gardës Kombëtare të Ukrainës që mban fabrikën e çelikut, ka thënë në një konferencë për media të dielën se fabrika Astroval ishte në shënjestër gjatë natës nga tre aeroplanë luftarakë, artileria dhe tanket ruse.
“Ne jemi nën granatime të vazhdueshme”, ka thënë ai, duke shtuar se këmbësoria ruse u përpoq të sulmonte fabrikën - pretendim që zyrtarët rusë e mohuan gjatë ditëve të fundit. Kapiteni Palamar ka bërë të ditur se në fabrikë janë një numër i madh viktimash.
Togeri Illya Samoilenko, anëtar i Regjimentit të Azov, ka thënë se në fabrikë janë më shumë se 200 ushtarë të plagosur, mirëpo nuk ka treguar se sa ushtarë janë të aftë për luftë.
Ai ka thënë se situata është e rëndë në fabrikë, sepse nuk kanë pajisje të shpëtimit në tunelet dhe bunkerët e fabrikës.
“E vërteta është se ne jemi unikë, sepse askush nuk priste që do të zgjasim kaq gjatë”, ka thënë Samoilenko. “Dorëzimi për ne është i papranueshëm, sepse ne nuk mund t'i japim një dhuratë të tillë armikut”.
Pas evakuimit të civilëve të fundit nga fabrika e çelikut, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se po përpiqej të siguronte korridore humanitare për banorët e Mariupolit dhe qyteteve përreth për largimin e tyre.
Qeveria ukrainase ka kontaktuar me organizatat ndërkombëtare në përpjekje për të siguruar kalim të sigurt për luftëtarët që kanë mbetur në tunelet dhe bunkerët nëntokësorë të uzinës Azovstal.
Udhëheqësi ukrainas ka zhvilluar bisedime të dielën me kryeministrin britanik Boris Johnson, presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe liderët nga vendet e tjera të G-7. Në mbledhjen virtuale, u shfaq uniteti i aleatëve perëndimorë në Ditën e Fitores në Evropë, që shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Vizitat e papritura
Kryeministri kanadez Justin Trudeau bëri një vizitë të papritur në Irpin të dielën, qytet i dëmtuar nga përpjekja e Rusisë për të marrë Kievin në fillim të luftës.
Trudeau është takuar me presidentin ukrainas, të cilit ia ka konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për popullin ukrainas.
Zelenskyy gjithashtu është takuar me kryetarin e Bundestagut gjerman, Bärbel Bas, në Kiev për të diskutuar ndihmën e mëtejshme të mbrojtjes si dhe sanksionet kundër Rusisë, sipas zyrës së shtypit të Zelenskyyt.
Edhe
Kharkivi pritet të kthehet në kontrollin e ukrainasve
Trudeau është në mesin e liderëve perëndimorë që kanë vizituar Ukrainën për të ofruar mbështetjen e tyre për vendin e shkatërruar nga lufta. Kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar, Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë kanë vizituar Ukrainën në javët e fundit. Ukrainën e ka vizituar edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden, gjithashtu ka vizituar Ukrainën pa asnjë paralajmërim. Ajo ishte për vizitë për Ditën e Nënës së bashku me Zonjën e parë ukrainase, Olena Zelenska. Të dyja kanë vizituar shkollën e fshatit teksa Rusia po vazhdonte bombardimet në pjesën lindore të Ukrainës.
Ndërkaq në portin kryesor të Detit të Zi, Odesan, janë dëgjuar bombardimet e shumta. Në këtë qytet, më shumë se 250 apartamente janë dëmtuar nga sulmi me gjashtë raketa.
Udhëheqësit ukrainas kanë paralajmëruar se sulmet do të përkeqësoheshin vetëm në prag të Ditës së Fitores, festa e 9 majit kur Rusia feston humbjen e Gjermanisë naziste në 1945 me parada ushtarake. Presidenti rus, Vladimir Putin, besohet se dëshiron të shpallë një lloj triumfi në Ukrainë kur t'u drejtohet trupave në Sheshin e Kuq të hënën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka publikuar një video për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945. Në këtë video, presidenti ukrainas ka krahasuar pushtimin e Ukrainës me tmerrin e nazistëve. Në videon bardhezi, Zelenskyy qëndron para një blloku apartamentesh në Borodyanka. Periferia e Kievit është bërë rrafsh me tokë shkaku i bombardimeve.
Në fjalimin e tij, Zelenskyy ka thënë se tmerret e Luftës së Dytë Botërore kanë mësuar botën të thotë “Kurrë më”. Zelenskyy ka thënë se disa njerëz e kanë fshirë këtë fjalë kur Ukraina u bombardua më 24 shkurt. Presidenti ukrainas ka bërë krahasime mes veprimeve të ushtrisë naziste me ushtrinë ruse të përfshirë në pushtimin e vendit të tij. Ai ka thënë se gjatë dy vjetëve të pushtimit nazist, u vranë 10 mijë civilë, ndërkaq në dy muaj të pushtimit rus janë vrarë 20 mijë civilë.
“E keqja është kthyer përsëri, mirëpo me tjetër uniformë, por me të njëjtin qëllim”, ka thënë Zelensky.
Ishulli i Gjarprit
Ndërkaq të dielën, ushtria ukrainase ka publikuar një video në të cilën shihet duke u shkatërruar një helikopter rus në ishullin e Gjarprit afër Ukrainës. Helikopteri rus dyshohet se kishte fluturuar drejt ishullit për të ndihmuar ushtarët e plagosur në sulmet e së shtunës. Ushtria ukrainase ka goditur përsëri pozicionet ruse në ishullin e Detit të Zi, i cili ishte pushtuar në ditët e para të luftës, por u shndërrua në simbol të rezistencës ukrainase. Ndërkaq në pamjet satelitore janë konfirmuar luftimet për këtë ishull. Në një pjesë të këtij ishulli shihet edhe shkronja “Z” që simbolizon rusët në luftë.
Pjesa më e madhe e objekteve në ishullin ushtarak janë shkatërruar nga sulmet me dronë. Beteja për ishullin ka zbehur gjasat e Rusisë që të marrë kontrollin e Detit të Zi. Javë më parë, Ukraina ka fundosur luftanijen “Moskva” të Rusisë, e cila kontrollonte këtë zonë.
Në Moldavinë fqinje, trupat ruse dhe separatiste kanë qenë në “gatishmëri të plotë”, paralajmëroi ushtria ukrainase. Rajoni është në qendër të shqetësimeve se konflikti mund të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës.
Forcat proruse thyen seksionin e Moldavisë Transnistria në vitin 1992 dhe rreth 1,500 trupa ruse janë vendosur që atëherë, me pretendimet se janë paqeruajtës. Sipas Ukrainës, këto forca janë në gatishmëri të plotë ushtarake.
Vadim Krasnoselsky, presidenti i territorit, i mohoi këto pretendime, duke thënë se “nuk përbën kërcënim për shtetet fqinje, respekton neutralitetin dhe mbetet i përkushtuar ndaj parimit të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në tryezën e bisedimeve”.
Edhe
Kombet e Bashkuara me mision për të shpëtuar civilët nga fabrika e ferrit
Moska dëshiron të pushtojë pjesën jugore të Ukrainës, me qëllim që ta shkëputë nga Deti i Zi dhe të krijojë një korridor për në Transnitri.

Ukrainën e ka vizituar edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau. Ai është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.