Rreth 2 mijë ushtarë ukrainas dhe 1 mijë civilë janë pozicionuar në fabrikën e çelikut në Mariupol. Gratë e dy ushtarëve ukrainas, që tashmë janë në Romë, po bëjnë përpjekje për t’i shpëtuar burrat e tyre nëpërmjet rrugëve diplomatike
Forcat ukrainase kanë luftuar në secilin fshat të shtunën për t’ia pamundësuar ushtrisë ruse avancimin drejt pjesës lindore të Ukrainës. Në të njëjtën ditë, Kombet e Bashkuara kanë tentuar të arrijnë marrëveshje me Rusinë për të evakuuar civilët nga fabrika e çelikut në Mariupol.
Më shumë se 100 mijë civilë janë ende në qytetin detar, ndërkaq 1 mijë besohet se janë strehuar në fabrikën sovjetike të çelikut. Ukraina nuk ka bërë të ditur se sa ushtarë janë në fabrikën, e cila është pjesa e vetme e qytetit që nuk është pushtuar nga ushtria ruse. Ndërkaq, regjimi rus ka bërë të ditur se në këtë fabrikë janë 2 mijë ushtarë ukrainas.
Televizionet ruse kanë raportuar të shtunën se 25 civilë janë evakuuar nga fabrika “Azovstal”, ani pse këtë nuk e ka konfirmuar OKB-ja ose zyrtarët ukrainas. Mediat e kontrolluara ruse kanë thënë se 19 të rritur dhe 6 fëmijë janë evakuuar nga fabrika.
Ndërkaq në pamjet brenda fabrikës, të cilat i ka siguruar “Associated Press”, shiheshin dhjetëra ushtarë të plagosur; shumë prej tyre me plagë të hapura ose gjymtyrë të amputuar.
Një ekip i vogël mjekësor ka trajtuar së paku 600 të plagosur në fabrikë. Shumë prej plagosurve tani vuajnë nga gangrena.
Edhe
Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë
Në video, burrat e plagosur kanë treguar se hanë ushqim vetëm një herë në ditë, ndërkaq 1.5 litra ujë ndahet mes katër personave. Një burrë i zhveshur me dhimbje të mëdha thotë se ka dy brinjë të thyera dhe mushkëritë e lënduara.
“Dua t’u them të gjithëve që po e shohin këtë video se nëse nuk e ndalni [Rusinë] këtu në Ukrainë, ajo do të vazhdojë drejt Evropës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se negociatorët rusë dhe ukrainas çdo ditë janë në bisedime. Sidoqoftë, ai ka thënë se “progresi nuk ka qenë i lehtë”.
Sulmet ruse
Analistët ushtarakë të perëndimit kanë thënë se ofensiva e Moskës në rajonin lindor të Donbasit, që përfshin Mariupolin, po shkon shumë më ngadalë sesa ishte planifikuar. Deri më tani, trupat ruse dhe forcat separatiste, që Moska ka mbështetur në rajon që nga viti 2014, duket se kanë bërë vetëm avancime të vogla në muajin prill, kur Moska kishte deklaruar se do të përqendronte forcën e saj ushtarake në Ukrainën lindore.
Numerikisht, fuqia njerëzore ushtarake e Rusisë e tejkalon shumë atë të Ukrainës. Në ditët para fillimit të luftës, inteligjenca perëndimore vlerësoi se Rusia kishte pozicionuar afër kufirit deri në 190 mijë trupa. Ushtria e përhershme e Ukrainës është rreth 200 mijë trupa të shpërndarë në të gjithë vendin.
Pjesërisht për shkak të këmbënguljes së rezistencës ukrainase, SHBA-ja beson se rusët janë “të paktën disa ditë prapa aty ku donin të ishin” teksa përpiqen të rrethojnë trupat ukrainase në lindje, tha një zyrtar i lartë i Mbrojtjes amerikane, i cili foli me kushte të anonimitetit për të diskutuar vlerësimin e ushtrisë amerikane.
Me shumë armatim rezervë, ofensiva e premtuar e Rusisë ende mund të intensifikohet dhe të pushtojë ukrainasit. Në përgjithësi, ushtria ruse ka rreth 900 mijë trupa aktive. Rusia gjithashtu ka një forcë ajrore dhe marinë shumë më të madhe sesa Ukraina.
Frika e Zelenskyt
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e pranoi këtë në fjalimin e tij të së premtes.
“Nëse pushtuesit rusë arrijnë të realizojnë planet e tyre, të paktën pjesërisht, ata do të kenë ende mjaft artileri dhe avionë për të shkatërruar të gjithë Donbasin. Ashtu siç shkatërruan Mariupolin”, ka thënë Zelensky.
Në Mariupol, rreth 100 mijë civilë besohet se janë ende në qytet me pak ushqim, ujë ose ilaçe. Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, ka thënë se organizata po negocionte me autoritetet në Moskë dhe Kiev për të krijuar kushtet për kalim të sigurt.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Egërsia e luftimeve ka tronditur botën. Në SHBA, sekretari i Pentagonit, John Kirby, u emocionua të premten teksa diskutoi “brutalitetin” dhe “shthurjen” e pushtimit të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Është e vështirë të shikosh se çfarë po bën ai në Ukrainë, çfarë po bëjnë forcat e tij në Ukrainë dhe të mendosh se çdo individ etik dhe moral mund ta justifikojë këtë,” u ka thënë gazetarëve Kirby, admiral i pensionuar. “Është e vështirë të shikosh disa nga imazhet dhe të imagjinosh se çdo udhëheqës i menduar mirë, serioz dhe i pjekur do ta bënte këtë. Pra, nuk mund të flas me psikologjinë e tij. Por unë mendoj se ne të gjithë mund të flasim për shthurjen e tij”, ka shtuar ai.
Rrethimi i fabrikës
Dy gra ukrainase, burrat e të cilave janë duke mbrojtur fabrikën e rrethuar të çelikut në Mariupol, kanë bërë thirrje për evakuimin e civilëve nga kjo fabrikë. Ato kanë bërë thirrje edhe për evakuimin e ushtarëve nga fabrika e çelikut. Frikësohen se ushtarët ukrainas mund të torturohen dhe të vriten nëse kapen nga forcat ruse.
Sipas informacioneve që kanë siguruar, ukrainaset thonë se në fabrikën e çelikut ka shumë të vrarë.
“Duhet t’i shpëtojmë jetët e tyre, sepse nuk kanë bukë, ilaçe dhe kushte të mira për të luftuar. Janë në situatë tragjike me ushtarë të plagosur. Janë më shumë se 600 ushtarë të plagosur, disa prej tyre tashmë kanë vdekur, sepse po bombardohen çdo natë”, ka thënë Kateryna Prokopenko, gruaja e një ushtari në Mariupol.
Lutjen e tyre e kanë bërë nga Roma, pak ditë pasi janë evakuuar nga Ukraina.
Më shumë se 2 mijë ushtarë ukrainas dhe 1 mijë civilë janë bllokuar në fabrikën që besohet se ka rrjet bunkerësh, të cilët mund t’u rezistojnë bombardimeve.
Kombet e Bashkuara janë pajtuar me Rusinë për t’i evakuuar civilët nga fabrika, por nuk kishte shenja lëvizjeje.
“Dua të them se edhe jeta e ushtarëve është e rëndësishme dhe nuk mund të flasim vetëm për civilët. Po shpresojmë se mund t’i shpëtojmë edhe ushtarët, jo vetëm të vdekurit dhe të plagosurit, por të gjithë që janë pozicionuar në fabrikë”, ka thënë Yuliia Fedusiuk, bashkëshortja e njërit prej ushtarëve ukrainas në fabrikën e çelikut.
Dy gratë kanë kërkuar ndihmë nga organizatat evropiane dhe ato të SHBA-së për të gjetur një zgjidhje diplomatike për betejën në fabrikën e çelikut në Mariupol.
Edhe
Vela: Lufta në Ukrainë mund të krahasohet me betejat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore
Regjimenti i “Azovit”, që është pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës, është forcë vullnetare, e cila cilësohet si një prej njësive më të fuqishme të shtetit.
Gratë po bëjnë përpjekje për t’i shpëtuar burrat e tyre, pasi e dinë se ata nuk do të dorëzohen kurrë te forcat ruse.