Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia përgatit ofensivën vendimtare në Ukrainë

Chernihiv

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka vlerësuar si të dështuara sanksionet ekonomike të Perëndimit kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, e ka pranuar se lufta ka ngritur inflacionin në vend. E Qeveria ukrainase i ka kërkuar lidershipit të Kremlinit që të hapë korridore për evakuimin e grave dhe fëmijëve nga Mariupoli i rrethuar

Forcat ruse kanë përfunduar rigrupimin e trupave për të nisur ofensivën në Ukrainën lindore, tha të hënën një zëdhënës i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.

"Forcimi i grupit sulmues po kryhet për shkak të transferimit të njësive shtesë ruse. Luftimet më intensive po zhvillohen në rajonet Slobozhansky dhe Donetsk", tha koloneli Oleksandr Motuzyanyk.

“Rusia po përgatitet për një ofensivë në Ukrainën lindore për të vendosur kontroll të plotë mbi territorin e rajoneve të Donenjeckut dhe Luhanskut dhe për të siguruar stabilitetin” e korridorit tokësor me Krimenë, tha Motuzyanyk.

Ai shtoi se forcat ukrainase morën disa vendbanime nga forcat ruse rreth qytetit Izium në rajonin e Kharkiv.

Zëdhënësi tha se qyteti Izium dhe zonat përreth janë vendet me përqendrimin më të madh të njësive ruse.

"Nga ai vend ata do të përpiqen të zhvillojnë një ofensivë në lindje", vazhdoi ai.

Ndërkohë, forcat ukrainase po vazhdojnë t'u rezistojnë sulmeve ruse në qytetin port juglindor të Mariupolit, pasi refuzuan ultimatumin për t'u dorëzuar. Zyrtarët thonë se Rusia ka bombarduar fabrikën e çelikut Azovstal, bastion i mbrojtjes ukrainase, ndërsa Moska kërcënon të eliminojë rezistencën.

Një këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit tha se forcat ruse njoftuan se qyteti i rrethuar do të mbyllej për hyrje dhe dalje të hënën, duke paralajmëruar se burrat që mbeten në qytet do të "filtroheshin". Rreth 100.000 njerëz mbeten në Mariupol.

Sanksionet, të dështuara për Putinin

Presidenti rus, Vladimir Putin, i quajti të dështuara sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, duke shtuar se nuk ia dolën ta dëmtonin ekonomikisht Rusinë.

Ai deklaroi të hënën se Perëndimi priste që ta “trazonte” gjendjen financiare dhe ekonomike, por edhe të provokonte panik në tregje e kolaps në sistemin bankar e të furnizimit me ushqim.

“Ne mund të themi me bindje të plotë se ka dështuar politika e sanksioneve ndaj Rusisë. Strategjia e luftës së shpejtë ekonomike nuk ka funksionuar. Për më tepër, vetë nismëtarët nuk ia kanë dalë të kenë sukses me sanksionet”, ka thënë Putini. “Po flas për inflacionin dhe rritjen e shkallës së papunësisë, përkeqësimit të dinamikës ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet evropiane”.

Putini ka folur edhe për shifrat e inflacionit në Rusi, duke i bërë thirrje Qeverisë që të mbështetë qytetarët që ta përballojnë më lehtë valën e inflacionit.

Në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, shtatë persona kanë vdekur dhe njëmbëdhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve ajrore, ka bërë të ditur kryetari i qytetit.

Shtëllunga të mëdha tymi të zi janë parë në qiellin e qytetit, derisa eksplodimet e shumëfishta besohet se janë shkaktuar prej sulmeve me raketa.

Lvivi dhe pjesa më e madhe e Ukrainës perëndimore është prekur më pak prej luftimeve krahasuar me hiset e tjera të vendit, dhe konsiderohet zonë më e sigurt për refugjatët dhe organizimin civil dhe ushtarak të mbrojtjes së vendit.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, i ka bërë apel të drejtpërdrejtë lidershipit të Rusisë që t’i hapë korridoret e evakuimit nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram në gjuhën ruse, Vereshchuk – që është edhe ministre e Ukrainës për riintegrim të territoreve të okupuara përkohësisht – i ka bërë apel ushtrisë dhe lidershipit të Federatës Ruse në lidhje me situatën në Mariupol.

Ajo ka kërkuar të hapet një korridor nga Mariupoli për në Berdiansk për civilët dhe një korridor urgjent nga territori i fabrikës Azovstal në mënyrë që të evakuohen fëmijët, gratë dhe civilët tjerë.

Image

Politika e tokës së djegur

Rrethina e qytetit verior të Ukrainës, Çernihiv, është kthyer në gërmadha me zonën e mbushur me pajisje ushtarake ruse të shkatërruara, dëshmi e një tërheqjeje kaotike.

Rreth 100 kilometra në verilindje të kryeqytetit Kiev, Çernihivi mbajti peshën kryesore të fazave të hershme të pushtimit rus.

Nikolai Ilnitsky, shtetas ukrainas me etni bjelloruse, i tha AP-së se si ushtarët rusë në tërheqje plaçkitën shtëpinë e tij dhe madje u larguan me një medalje që ai fitoi për shërbimin ushtarak në luftën e Bashkimit Sovjetik në Afganistan.

"Ushtari rus tha: 'unë e di që je rezervist', ata shikuan përreth dhe panë që unë kisha ende një uniformë parade me medalje e kështu me radhë të varur në mur. Ata hoqën një medalje për arritjet ushtarake. Unë i thashë 'merre dhe trego në atdheun tënd se si luftove për Ukrainën”, ka thënë ai.

Qyteti dhe rajoni përreth Çernihivit ishin fushëbetejë e luftimeve të pamëshirshme derisa forcat ruse u tërhoqën nga veriu në fillim të këtij muaji. Ilnicki u referohet rusëve me rashistë, një kombinim i fjalëve rusë dhe fashistë.

Sfida e deminimit

"Këta rashistë filluan të përhapin kaos. Ata madje më morën rrobat që më kishin veshur me të cilat arrita nga qyteti. Nuk e prisja një kaos të tillë prej tyre”, ka theksuar Ilnitsky.

Në Çernihiv, forcat ruse kishin detyruar qindra banorë të qëndronin për javë të tëra nëpër bodrume të vogla shtëpish e shkollash. Dhe pos atyre që u ekzekutuan nga forcat ruse, shumë ukrainas të tjerë vdiqën prej kushteve të tmerrshme e frikës së madhe.

Forcat ruse u tërhoqën nga fshati në fillim të prillit, si pjesë e tërheqjes rajonale nga Ukraina veriore pasi ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të madhe në Ukrainën lindore.

Shërbimet emergjente të Ukrainës kanë nisur pastrimin e minave në rrethinën e qytetit. Në këtë rajon janë sjellë edhe specialistë të deminimit që kanë punuar më parë në rajonet lindore të Ukrainës, të sulmuara e të minuara prej vitit 2014 kur separatistët pro-rusë nisën sulmet e tyre kundër forcave ukrainase. Në Çernihiv janë angazhuar 44 pjesëtarë dhe 17 njësite me pajisje speciale deminimi.

Armëpushimi “nuk shihet as në horizont”

Armëpushimi në Ukrainë nuk shihet as në horizont, por mund të arrihet javët e ardhshme, në varësi të mënyrës se si lufta dhe negociatat e vazhdueshme të paqes vazhdojnë, ka deklaruar Martin Griffiths, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe i koordinatorit të Ndihmës Emergjente.

“Armëpushimet… ato nuk janë në horizont tani, por mund të jenë brenda disa javësh. Ato mund të jenë pak më të gjata se kaq”, tha Griffiths në komentet e tij të hënën para gazetarëve në selinë e OKB-së.

Griffiths tha se planifikon të shkojë në Turqi më vonë këtë javë për t'u takuar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, për të identifikuar mënyrat se si OKB-ja mund të ndihmojë në mbështetjen e procesit të paqeruajtjes dhe negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë.

"Ne duhet t'i shikojmë bisedimet me shumë, shumë kujdes, prandaj udhëtoj në Turqi këtë javë", tha Griffiths.

Griffiths shpreson që Turqia mund të presë një "grup kontakti humanitar" përmes të cilit mund të diskutohen negociatat për ndihmën humanitare. Ai tha se zyrtarët ukrainas tashmë kanë rënë dakord për këtë dhe se shpreson që edhe zyrtarët rusë ta bëjnë këtë.

Përgatiti: Rexhep Maloku

Artikuj të ngjashëm